Kela Canka, krenaria shqiptare në Orkestrën Mbretërore të Belgjikës

68 Lexime

17:59:39              2019-08-01

 

 

Kela Canka është një violiste në kuadër të Orkestrës Mbretërore të Odës së Valonisë, njëri nga ansamblet më prestigjioz muzikorë në Belgjikë. Siluetë e gjatë, flokëverdhë, me një buzëqeshje të ëmbël, ajo flet me pasion për këtë profesion që e shoqëron kudo nëpër botë. Udhëtimin, ajo e njeh mirë. Që në moshën 15-vjeçare, ajo e la Shqipërinë e saj të lindjes, shkruajnë mediat belge, përcjell Shtegu.com. Në vitin 1991, kur vendi i saj u çlirua nga diktatura komuniste, një mik italian i dha mundësinë për të studiuar në Romë. Ky italian ishte fshehur nga gjyshi i Kelës gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj ai kontaktoi sërish familjen e saj dhe i ofroi që ta ndihmonte.

Talentja e re, Kela inkurajohet nga familja e saj por ndarja është e dhimbshme. Qëndrimi në Itali po shkonte mirë, por disa vjet më vonë, vajza kthehet në vendlindje. Aty gjen kaos, anarki dhe dhunë. „Kishte kufoma nëpër rrugë“. Duke iu falënderuar miqve të saj muzicientë që jetojnë në Belgjikë, ajo vendosi ta provonte fatin e saj dhe u transferua në Namur. Pa letra dhe pa para, muzicientët e rinj shqiptarë e kanë vështirë të sigurojnë mbijetesën. Edhe për Kelën, rruga do të jetë e ndërlikuar për të marrë dokumente dhe një leje pune, por pak nga pak, ajo arrin të vendoset përgjithmonë në Belgjikë. E angazhuar për herë të parë në Orkestrën Kombëtare belge, ajo u bashkua me ORCW (Orkestra Mbretërore e Odës së Valonisë) në vitin 2012, informon më tej Shtegu.com. Aktualisht, ajo e ka shtetësinë belge, por vetveten e përcakton si „banore e botës“. Për të kaluarën e saj të vështirë, ajo e ka vështirë të rrëfejë. „Nuk ishte e lehtë, por nuk i them të gjitha, është e kotë“, përfundon ajo.

 

 

https://www.rtbf.be/info/regions/hainaut/detail_kela-canka-de-l-albanie-a-mons-un-voyage-avec-la-musique-pour-seul-bagage?id=10283034