Jo humane: Mjeku zviceran fyen nënën kosovare
16:18:30 2016-04-20
Asnjëherë zonja Nerxhivan Murseli (58) nuk e kishte paramenduar se mund t`i ndodhë një gjë e tillë. Në vend të kontrollit mjekësor, në ordinancën e Dr. zviceran Christophe Bernard hasi në fjalë të rënda. Arsyeja: Nerxhivan Murseli nuk e fletë asnjë fjalë frengjisht.
Një mjek kompetent, këshilla të ndjeshme, një pacient i kënaqur. Kështu do të duhej të dukej një kontroll mjekësor tek një mjek. Në ordinancën e Dr. Christophe Bernard (56) në Yverdon-les-Bains të Zvicrës, më 12 prill të këtij viti, nuk shkoi gjithçka si duhet.
Enriko Murseli (34) e shoqëronte t`ëmën, Nerxhivanen (58), për shkak të trombozës tek specialisti vaskular. „Ishte hera e parë që po e vizitonim. Unë e shoqërova nënën, që në rast të paqartësive, të përkthej. Shpresoja se një gjë e tillë do ta ndihmonte nënën“, pohon i biri për „Blick“, njofton „Shtegu.com“. Por, në vend të kontrollit mjekësor, në ordinancë shpërtheu zënka. „Gjithçka filloi kur mjeku e vërejti se nëna ime nuk dinte mirë frengjisht dhe se ne ishim nga Kosova“, vazhdon më tej kosovari me profesion kamarier. „Ai na pyeti se sa kohë jemi duke jetuar në Zvicër dhe pas kësaj filloi të bërtasë dhe tha se nëna ime së pari duhet të vijojë një kurs të gjuhës frenge në shkollën e Migrosit, e mandej të vijë përsëri“.
Nëna dhe i biri ishin larguar nga ordinanca, të shokuar në masë të madhe dhe pa trajtim mjekësor. „Një mjek duhet ndihmuar e jo të shqetësojë pacientin“, deklaron Enriko Murseli.
Nga ana tjetër, Dr. Christophe Bernard nuk e kupton këtë shqetësim. „Po që se ndokush jeton në Zvicër, ai duhet të flasë edhe gjuhën. Isha i habitur se si pas 15 viteve qëndrim në Zvicër, pacientja nuk kishte mundur ende ta mësojë gjuhën tonë. Me pacientin tim unë dua të bisedoj në mënyrë të drejtpërdrejtë, e jo përmes përkthyesit“, është përgjigjur mjeku zviceran.
Që nga hapja e ordinancës së tij në vitin 2001, një gjë e tillë nuk i kishte ndodhur: „Që nga kontakti i parë me të dy, nuk shkoi gjithçka si duhet“. Mjeku kishte dyshuar se revista satirike „Charlie Hebdo“ që ndodhej mbi tavolinë në sallën e pritjes, do t`i shqetësonte pacienten dhe të birin. „Pas kësaj, ata më thanë se jam rasist“, pohon mjeku.
Dr. Christophe Bernard
Nga Fondacioni zviceran „SPO Mbrojtja e pacientit“ kanë deklaruar se mjeku nuk është sjellë në mënyrë plotësisht korrekte. Por, kryetarja e këtij fondacioni, Margrit Kessler ka treguar mirëkuptim: „Tek pacientët myslimanë, femrat e kanë vështirë shpeshë të thonë atë që i mundon, po që se janë të shoqëruara me një person mashkull të familjes. Ky është një problem i vërtetë. Këtu mund ta arsyetoj mjekun përse ka dashur të bisedojë personalisht me pacienten“.
Gjatë problemeve në përkthim në mes të pacientëve dhe mjekëve, ekziston një zyrë, e cila gjatë javës është në shërbim të qytetarëve: Është ky Shërbimi përkthyes telefonik kombëtar.
Mjekut Christoph Bernard, për këtë rast i ka ardhur keq. Në një letër dërguar pacientes, ai i kërkon falje, duke i ofruar: „Lajmërohuni në një termin të ri. Këshillat mjekësore do t`i keni falas nga unë“.