Jehona e FC Prishtinës në mediet zvicerane

86 Lexime

“Kur një shqiptar ta zgjat dorën dhe ti e merr atë, prej atij çasti ti do të trajtohesh si anëtar i familjes”, thotë portieri Bertschi
Ngritja e FC Prishtinës së Bernës në një rang më të lartë garash (Liga e dytë regjionale) ka bërë bashkë një numër impozant shikuesish, rreth 2000 sish. Kjo është befasuese për zviceranët prandaj gazetari i “Berner Zeitung” me të drejtë pyet: “a ka ndodhur ndonjëherë që një ndeshje e ligës së tretë regjionale të ndiqet nga aq shumë shikues sa kishte të shtunën në Bümpliz të Bernës? Kjo ndeshje e ka shndërruar stadiumin “Bodenweid” në një lloj panairi shqiptar”.

Kur ndeshja përfundoi me rezultatin 0:0 dhe Prishtina siguroi ngjitjen një ligë më lartë, festa popullore mori hovin e saj, transmeton albinfo.ch. Familje të tëra hynë në fushën me bar artificial dhe vallëzuan dorë për dore me lojtarët valle shqiptare ndërkohë që flamujt e kuq me shqiponjën dykrerëshe të zezë valonin në ajër.

Për shefin sportiv të FC Prishtinës Gazmend Tetaj kjo ishte një përmbyllje e përsosur e një sezoni të fortë. “Është një mesazh i bukur për atë se migrantët mund të kenë sukses”, thotë Tetaj. “Shumë anëtarë të klubit kanë fituar në këtë vend të mrekullueshëm një shans për të ndërtuar diçka. Zviceranët na kanë ndihmuar dhe ne u jemi mirënjohës për këtë”.

Që nga themelimi i klubit, në vitin 1990, shqiptarët kosovarë sjellin në fushat e futbollit të Bernës ato cilësi nga të cilat përfiton shumë edhe përfaqësuesja nacionale e Zvicrës. Fjala është për vlerat që në kombëtare zvicerane kanë sjellë yjet si Behrami, Shaqiri, Xhaka e të tjerë, e këto janë guximi për të sfiduar, zhdërvjelltësia, teknika, fryma luftarake në lojë etj. Një kombinim i tillë cilësishë është kurorëzuar për FC Prishtinën me titull kampioni dhe me ngritje një ligë më lart.

Në këtë klub janë vetëm tre lojtarë që nuk kane prejardhje shqiptare. Në mesin e tyre është edhe portieri Bertschi. “Kur një shqiptar ta zgjat dorën dhe ti e merr atë, prej atij çasti ti do të trajtohesh si anëtar i familjes”, thotë Bertschi. “Në FC Prishtina janë parimisht të mirëseardhur të gjithë njerëzit. Sepse futbolli duhet t`i shërbejë edhe mirëkuptimit në mes të popujve”, sqaron Tetaj.

Më tutje, duke u marrë me dukurinë e klubeve futbollistike të komuniteteve jozvicerane, gazeta shkruan se në ligën ku është ngjitur FC Prishtina janë edhe tri klube me lojtarë me sfond migracioni. Ndërsa ajo përkujton se pak javë më parë FC Kosova e Cyrihut ka arritur atë që deri tash pak ose aspak nga klubet “e huaja” kanë mundur ta arrijnë, pëcjell albinfo.ch.

“Pasi që klubet `italiane` “Azzurri 90″ Lausanne (liga e parë Classic) dhe “YF Juventu”s Zürich (Liga e parë Promotion) tashmë nuk kanë pothuaj fare italianë në mesin e tyre, atëherë pa dyshim se FC Kosova mund të konsiderohet si klubi më i mirë i të huajve në Zvicër. Dhe kjo është një arsye më shumë për kolegët e tyre nga Berna për të ndjekur rrugën e tyre.

Më tutje artikulli bën fjalë për imazhin deri vonë jo të mirë të klubeve me lojtarë të huaj, pasi që ndodhnin shpesh konflikte në fushe, në stadiume ose sulme ndaj gjyqtarëve. Por viteve të fundit ka një trend të qetësimit, thotë një përgjegjës i futbollit të regjionit të Bernës. (Albinfo)