Ja se çfarë ndodhi me mjeken e Kaçanikut

96 Lexime

11:46:48                  2016-03-29

 

 

 

Elvira Bajrami tashmë ka arritur në cakun e saj të dëshiruar: „Gjithnjë e kam dashur këtë jetë që po e jetoj tani. Pra, të shkollohem dhe të bëhem një mjeke e mirë“, pohon kosovarja 33-vjeçare, e cila vjen nga kryeqyteti kosovar, Prishtina.

 

 

 
Pas përfundimit të studimeve të larta gjashtëvjeçare në mjekësi, në vitin 2009 ajo mori diplomën si mjeke, ndrësa në fillim të vitit 2010, u punësua në komunën e vogël me 53.000 banorë të Kaçanikut si mjeke e përgjithshme. „Në të vërtetë, unë doja të vazhdoja specializimin për specialiste e mjekësisë së brendshme, por në Kosovë nuk ka shumë vende të lira për një gjë të tillë dhe duhet poritur shumë kohë“, spjegon Elvira Bajrami. Përmes internetit ajo u interesua për zhvillimet në mjekësi nëpër Europë dhe duke parë ofertat angleze e franceze, ajo u përcaktua për Gjermaninë.

 

 

 

Për të tejkaluar barrierën gjuhësore, ajo e vijoi një kurs nëntëmujor të gjermanishtes në shkollën austriake në Prishtinë, të cilin në muajin mars të vitit 2012 e përfundoi me shkallën B2. Prishtinasja kishte konkurruar online tek ndërmjetësuesi mjekësor në Gera dhe po të njëjtin muaj ishte ftuar në intervistë. „Deri atëherë, asnjëherë nuk kisha qenë vetëm jashtë vendit. Fluturimi nga Mynihu, deri në Leipzig për mua ishte shumë i shtrenjtë. Ishte një botë krejtësisht ndryshe për mua, bile nuk dija as si ta shtypja një bilet në automat në relacionin prej Leipzigut për në Gera. Por, kishte shumë njerëz të ndershëm të cilët më ndihmuan“, i përkujton momentet e saj Elvira, e cila asaj të diele u gjendë para një hoteli në Gera.

 

 

 
Katër ditë pas intervistës, ajo ishte pranuar në Klinikën „Heinrich-Braun“ në Zwickau dhe në muajin nëntor ia filloi punës. „Në Gjermani erdha vetëm me një valixhe të mbushur kryesisht me libra për mjekësi në gjuhën shqipe“, vazhdon Elvira për „Thüringer Allgemeine“, njofton „Shtegu.com“.
Në Klinikën „Heinrich-Braun“ kishte mungesë të personelit në repartin e hematologjisë dhe onkologjisë, në të cilat Elvira u angazhua. „Ishte një kohë e vështirë: Puna ishte dinamike, ndërsa gjuha gjermane për mua si fillestare ishte e rëndë. Në Zwickau banoja në një bujtinë infermieresh dhe përgatitesha intensivisht për tu pajisur me licencën për të punuar si mjeke në Gjermani. Isha shumë e emocionuar, pasi po të mos e jepja provimin, nuk prisja ditë më të mira. Për fat të mirë të saj, ajo e dha provimin në mënyrë të shkëlqyeshme, pasi kishte mësuar zellshëm. Si në studime, po ashtu edhe në Gjermani, Elavira dëshironte të bëhej më e mira nga të gjithë.

 

 

 
Por, me punën e saj, Elvira nuk ishte e kënaqur. „Jo vetëm që ishte dinamike, por edhe shkaktonte pasoja“, pohon kosovarja e re, e cila në janar të vitit 2013 ishte pajisur me një Blue-Card të BE-së si lejeqëndrim për punë për fuqitë e specializuara punëtore nga vendet jo anëtare të BE-së. Gjatë një takimi të mjekëve, bashkëkombasi i saj, Mentor Preniqi i kishte folur për klimën pozitive në një klinikë në Schleiz, kështu që ajo u zhvendos në te, në mars të viti të kaluar. „Puna në këtë institucion është shumë më e larmishme“, pohon asistentja e mjekësisë, e cila ka nënshkruar një kontratë trevjeç e gjysmë. Përpos punës që e bën në fushën e saj, ajo është duke punuar edhe në specializimin e saj si specilaiste e mjekësisë së brendshme.

 

 

 

Në të njëjtën kohë, Elvira është duke kryer edhe autoshkollën për vozitëse, pasi patentë shoferi i Kosovës nuk mund t`i nostrifikohet në Gjermani. Me këtë, ajo do ta ketë më lehtë për të udhëtuar, e sidomos gjatë takimeve me mjekët kosovarë, me katër prej të cilëve është e shoqëruar ngushtë.

 

 

 

Përmes rrjetit social, ajo i mirëmban kontaktet me familjen e saj në Kosovë. Prindërit, dy vëllezërit dhe tre motrat e saj jetojnë në Kosovë. Një motër tjetër jeton në Bonn të Gjermanisë, ndërsa është e martuar me një mjek. Kontakti i përditshëm me t`ëmën i ndihmon shumë kundër vetmisë.

 

 

 

Deri më tani, ajo nuk ka pasurt kohë të mendojë për të krijuar familje. „Por, ky është qëllimi im. Me siguri se do ta gjej ndonjë burrë nga Kosova, pasi kemi mentalitet të ngjashëm. Tek burrat gjermanë kam frikë disi dhe nuk më shkon ndërmend të merrem me ta. Por, kush e di, ndoshta mendja ndryshon“, nënvizon Elvira.

 

 

 

Dy herë në vit, Elvira fluturon tek familja e saj. „Ambienti gjatë kthimit për në vendlindje është i trishtueshëm, pasi në avion zakonisht gjenden bashkatdhetarë të cilët janë të dëbuar nga Gjermania. Shaktohen skena dramatike, sidomos tek të rinjtë, të cilët i humbin shpresat e tyre për një jetë më të mirë. Shumica e kosovarëve të gjeneratës sime janë të shkolluar profesionalisht. Të rinjtë kosovarë mendojnë ngjashëm me ata gjermanë, ndërsa unë u dëshiroj, që së paku të kenë mundësi të punojnë për disa vite, në mënyrë që me të hollat e tyre `t`i marrin këmbët në Kosovë`“, thotë Elvira, e cila së shpejti do të bëjë kërkesën për shtetësi gjermane. „16 vite të tëra kam jetuar në luftë, ndërsa Gjermania më ka ndihmuar ta përfundoj këtë luftë. Në zemër do të ngelë kosovare, por me punën time dua t`i kthej ndonjë gjë Gjermanisë, ndërsa me të hollat e mia dua të ndihmoj familjen time dhe farefisin“, përfundon Elvira Bajrami.