Ismail Sinani: NJË LETËR (DISA) DEPUTETËVE TË KOSOVËS

81 Lexime

Shkruan: Ismail Sinani, Shkup

 

 

 

 

 

19:35:36              2016-08-31

 

 

 

 

 

A ju kujtohet livadhi kur si fëmijë keni kullotur lopët apo buallicat para se të shkolloheni me ose pa thonjëza apo para se të bëni nam që sot të merreni me punë të mëdha? A ju kujtohet kur si fëmijë keni shkuar te dajallarët gjatë pushimeve verore, sepse ndoshta keni qenë prej atyre që në vitet e ’70-ta keni ra n’shehër? A ju kujtohet kur si fëmijë ju merrte baba për dore dhe ju dërgonte “n’katun” për t’ju treguar se sa tokë ju kanë lënë gjyshërit para 200 vjetëve? A ju kujtohet kur baba ose babëloku mundohej t’jua shpjegojë megjet e arave “prej te ai gurë e deri te ky gurë” e ju nuk i kuptonit, sepse nuk mund ta kuptonit “filozofinë e ndarjes së arave”? A ju kujtohet kur babëloku ose baba ju tregonte se si pikërisht në atë apo këtë gurë është derdhur gjak me kushërinjtë, sepse ia ka “lëvritë megjen për një metër”? A, a ju kujtohet kur baba ose babëloku ju thoshte: “Biro, për këtë tokë unë kam lanë eshtrat”? A ju kujtohet ai livadhi i madh që e keni pasur përmbi katund e që pas dite dikur, pasi që i lëshonit lopët, shtriheshit dhe e shikonit gjerësinë e pafund?

Eh! A ju kujtohet ai zabeli kur shkonit të prisni dru, ca të ahut e ca të shkozës? A ju kujtohet se si nuk ishit të kënaqur me dushkun, sepse nuk ndizet lehtë, por mban prush? A ju kujtohen pishat e gjata? A ju kujtohet ajo ndjenja se sa keq ndjeheshit kur dikush jua vidhte zabelin? A, a ju kujtohet ajo ndjenja e rëndë kur shumari (rojtari i pyllit, sinonim për pushtetin) jua merrte drutë e prera e, qe besa, ndonjëherë edhe sëpatën? A ju kujtohet kur lavdëroheshit me sharrat Still, Bosh, me shpatën prej 40 apo 60 centimetrave? Ehee, tjetër kohë ka qenë ajo…

Sigurisht ju kujtohet edhe dita kur thirrnit argat për të kositur! Madje, ma merr mendja se ndonjëri prej jush ka qenë prej atyre që kanë qenë “kosaçë” të mirë, edhe pse shumë prej njerëzve thonë se dinë të kositin e, në fakt, më shumë kanë bartur ujë. Sigurisht ju kujtohet ai momenti pas të kositmes kur uleshit nën hije të dardhës për të ngrënë lakror me dhallë, që e pinit me lugë. Sigurisht ju kujtohet edhe biseda rreth punës së bërë deri në drekë dhe pjesa tjetër që ka ngelë derisa të perëndojë dielli.

Shumë kujtime kanë shqiptarët rreth tokave… Këto që u përmendën më lartë në vete ngërthejnë shumë ironi, por edhe detaje të bukura nga e kaluara e secilit shqiptar.

Megjithatë, pa u futur në dimensione nacional-shoviniste, toka në vete përmban shenjtërinë e saj tejkohore, sepse me të është i ndërlidhur nderi i individit, i familjes dhe i kombit.

Shikuar historikisht, ne shqiptarët – ndonëse nëpër rapsodi jemi mbrojtësit më të mëdhenj të pragut – në jetën praktike jemi nga ata që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës e këndej vazhdimisht keni humbur tokë dhe jemi rrudhur në vetvete.

Politikanët e sotëm, ndonëse jo të gjithë, e shikojnë historinë nga këndvështrimi i jetës së tyre personale. Por, shikuar në 120 vjetët e fundit, do të mund ta shohim qartë se ku ka qenë “molla e kuqe” e ku janë sot tokat shqiptare, pa dashur të përmendim këtu interferimin e Serbisë në Kosovë përmes enklavave të veta, pa e përmendur këtu zbrazjen masovike të Medvegjës, në veçanti, dhe Luginës, në përgjithësi, pa e përmendur faktin se qyteti ku dikur u hartua alfabeti i gjuhës shqipe, sot është maqedonizuar në tërësi.

Dhënia tokë në emër të “politikave të mëdha”, që i kuptuakan vetëm dy-tri figura “të shquara” dhe dy-tre ekspertë me honorarë të majmë, është cinike, për të mos thënë tradhti kombëtare.

Nëse Norvegjia, që është 38 herë më e madhe se Kosova, e ka problem t’ia falë 40 metra katrorë Finlandës, atëherë prej nga dikush ia jep të drejtën vetes që t’i falë as më tepër e as më pak, por 8.000 hektarë (ha).

Dhe, për në fund, edhe disa matematika për ta kuptuar më qartë se për sa tokë bëhet fjalë.

Nëse Kosova ia falë Malit të Zi 8.000 ha, kjo i bie se ia ka falë 80.000.000 metra katrorë ose mbi 13 mijë fusha futbolli. Nëse një familje në qytet i ka 400 metra katror oborr, kjo i bie se ia ka falë 200.000 parcela. Apo, San Marino i ka 61 km katrorë… Kjo i bie se Kosova ia falë Malit të Zi 1,3 San Marino. Kaq! (SHENJA)

 

 

 

 

 

(autori është kryeredaktor i revistës mbarëkombëtare SHENJA)