Ish kryetari i KF Iliria: Të tjerët kryqëzoheshin apo luteshin

63 Lexime
12:35:35              2018-07-07
 
 
 
Hasan Kuçi, ish kryetari i KF Iliria, ka mbrojtur çështjen e festimit të golave me shqiponjën dykrenare të Shaqirit dhe Xhakës. Bile, vajza e tij donte të niste një fushatë për mbledhjen e fondeve për Shaqirin, Xhakën dhe Lichtsteiner.
 
 
„Shqiponja dykrenare“ ka polarizuar bisedimet e tifozëve të ekipit kombëtar të futbollit zviceran për ditë të tëra. Por, përse ndjenjat janë aq të mëdha nga zviceranët me rrënjë kosovare dhe shqiptare rreth ndeshjes së Kupës së Botës kundër Serbisë?
 
„Vetëm ata që kanë përjetuar tmerret e luftës në vendin tonë, mund të kuptojnë vërtetë se çfarë provokime poshtëruese para kësaj loje të Kupës së Botës ka mundur të shkaktojë tek ne“, thotë Hasan Kuçi nga Langendörfi. Ai është me prejardhje nga Kosova dhe, sikurse Granit Xhakës, edhe atij i ishte njohur statusi i refugjatit dhe tani është shtetas zviceran. Për tetë vite me radhë, ai ka qenë kryetar i FC Iliria Solothurn.
 
Në ndërkohë, marokenët janë duke kënduar himnin e tyre kombëtar në ekranin e madh gjatë shikimit publik në Rythalle të Solothurnit. Ata i mbajnë duart mbi gjokset e tyre dhe fytyrat e tyre pothuajse dallohen si fetarisht të zjarrta. „A nuk është të paktën ky një mesazh politik i fortë si shqiponja dykrenare pas golit të fitores?“, parashtron pyetjen Hasan Kuçi. „Disa lojtarë kryqëzohen, të tjerët i luten Allahut. Ky nuk është kurrfarë problemi. Për mua, shenja e shqiponjës dykrenare nuk është aq e rëndësishme. Për mua Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë heronj, kundër Serbisë me të vërtetë dhanë gjithçka dhe shënuan gola absolutisht fantastikë“.
 
Një mënyrë e veçantë, ishte vetëm sjellja e Stephan Lichtsteiner. Fakti që kapiteni iu bashkua festimit të golit me shqiponjën dykrenare, tregon karakterin e tij të madh. „Ai e bëri të qartë për të gjithë se Zvicra është një ekip dhe se askush nuk duhet ta mohojë prejardhjen e tij. Kjo ishte një shenjë e madhe e solidaritetit që e ka bërë Zvicrën një ekip edhe më unik“.
 
Ai e ndjeu veten shumë të lehtësuar që Fifa vetëm i gjobiti futbollistët shqiptarë dhe nuk iu shqiptoi ndalesa të tjera për të luajtur. „Vajza ime menjëherë më luti që të filloja mbledhjen e fondeve me KF Iliria për Lichtsteiner, Xhakën dhe Shaqirin. Ajo ka dashur të japë 100 franga nga të hollat që i kishte kursyer“, thotë më tej Hasan Kuçi për „Aargauer Zeitung“. Hasani i tha asaj se yjet e futbollit fitojnë mjaftueshëm dhe se gjobat e tilla janë vetëm simbolikë.
 
Tërësisht  me karakter simbolik e ka filluar aksionin edhe Rilind Reka nga Nju Jorku, i cili në fakt ka filluar iniciativën për financimin e pagesës së gjobave të futbollistëve shqiptarë, duke mbledhur 12.000 dollarë për Lichtsteiner, Xhakën dhe Shaqirin. „Unë besoj se Zvicra aspak nuk është në dijeni se ka rreth tetë milionë tifozë me rrënjë shqiptare në të gjithë botën. Kudo që ndodhen, kosovarët dhe shqiptarët e valëvitin flamurin zviceran“, është i bindur Kuçi.
 
Në shikimin publik, ish kryetari i FC Iliria Solothurn mban të veshur trikonë e ekipit kombëtar zviceran. „Ne jemi persona të zakonshëm zviceranë, që ende ndjehen të lidhur me rrënjët e tyre dhe duan të kalojnë pushimet e tyre në vendlindjen e vjetër. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për tu kthyer në Kosovë“. Kështu e përshkruan familjen e tij Hasan Kuçi.
 
Në ditët para se të luhej ndeshja kundër Serbisë, ai përsëri e kishte ndjerë veten në mënyrë të mjerueshme sikur në vitet e nëntëdhjeta, kur si djalosh i ri kishte bërë fushatë për më shumë liri në Kosovë. „Atëbotë u trajtuam si kafshë, na arrestuan dhe na rrahën brutalisht. Dhe tani, gjatë Kupës Botërore, ne u tallën dhe u poshtëruan nga tifozët e vëllazëruar rusë dhe serbë. Ata kënduan gjëra të tilla si `Vritni kosovarët, që kroatët  të mos kenë vëllezër“. Ata mbanin triko me imazhin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç. Kjo ishte e padurueshme për mua dhe po aq keq duhet të jenë ndjerë edhe lojtarët e Kombëtares zvicerane si Behrami, Xhaka dhe Shaqiri“.
 
Vetëm sa për rikujtim: Ratko Mlladiç është përgjegjës për masakrën e Srebrenicës, ku u vranë 8,000 të rinj, për një arsye të vetme që ata nuk ishin serbë. „Granit Xhaka dhe unë jemi refugjatë me status të njohur të refugjatëve politikë. Babai i tij ishte nëpër burgje serbe dhe është torturuar. Ne i shikonim fshatrat tonë duke u djegur dhe shkatërruar. Nëna ime jetonte në frikë të vazhdueshme që unë kurrë nuk do të kthehesha në shtëpi. Për këtë arsye më në fund erdha në Zvicër. Dhe kështu, ishte e padurueshme të shihet se si disa njerëz në Kupën Botërore lavdëronin një kriminel të dënuar të luftës në opinion“.
 
Dhe, përnjëherë nga Hasan Kuçi mmlefi del jashtë: „Ishte një ndjenjë tepër e bukur, kur Xherdan Shaqiri shënoi golin e fitores për Zvicrën. Moment i papërshkrueshëm. Lehtësim, gëzim, krenari, eufori. Asnjëherë në jetë nuk e kisha ndjerë veten në këtë mënyrë. Në një ndeshje absolutisht korrekte të futbollit, atyre që talleshin me ne, më në fund iu dëshmuam se jemi po aq me vlerë sa edhe ata. Dhe me këtë rast, askush nuk u plagos apo torturua“, ka përshkruar Hasani emocionet e tij.
 
Dhe: „Duke iu faleminderuar Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit dhe gjithë kombëtares së Zvicrës, një shkëmb i rëndë është hequr nga shpina ime. Nuk ndjejë urrejtje, nuk kam asgjë kundër popullit të Serbisë. Kjo fitore e Zvicrës thjesht më ndihmon të lë prapa një kapitull të vështirë të jetës sime“.