Inxhinieri elektroteknik gjurmëve të një jete më të mirë
Familja Gashi vjen nga Kosova. Që nga muaji janar është duke jetuar në një kontejner në rrugën „Bahnstraße“ dhe dëshiron të mbetet në Gjermani.
Halil Gashi nuk është për herë të parë në Oberhausen të Gjermanisë. Në vitin 1991, kur në Ballkan mbretëronte lufta dhe kur kosovarët për çdo ditë duhej të llogarisnin me jetët e tyre, ai me bashkëshorten u arratis për në Gjermani, duke kaluar një pjesë të jetës në Oberhausen, me shpresë se këtu do ta gjejë ardhmërinë e tij. Gjatë kësaj kohe, u lindën djali Flamuri dhe vajza e tij Fitorja, të edukuar në frymën e qytetarëve të Oberhausenit.
Por, shpresat e familjes së re nuk u realizuan: Në vitin 1997, kur Fitorja kishte vetëm një gjysmë viti, familja u dëbua për në Kosovë me pretekstin se nuk ka rrezik për jetën e tyre, ka rrëfyer për portalin „derwesten.de“ Halili 48-vjeçar. Gjatë viteve 1998/99, lufta e Kosovës e kishte përfshirë edhe rajonin ku ai jetonte: „Gjatë një mëngjesi, rreth orës 05.00, ushtarët serbë u futën në fshatin tonë. Babai im u vra dhe u masakrua mizorisht, ndërsa një nip i im u plagos rëndë“.
Nga mesi i vitit 1999 lufta në rajon kishte pushuar: „Mendova, tash do të bëhet më mirë. Por, nuk më doli ashtu“, spjegon ai. Në vendet e shkatërruara tërësisht nga lufta, ata mezi gjetën një bodrum në të cilin është dashur të banojnë: „Gjithçka ishte shkatërruar nga bombardimi, hapësirat ishin të errëta, ndërsa uji pikonte nga lart. Gjatë verës jetohej disi, por në dimër… përjetova depresione të fuqishme – dhe përsëri fillova të mendoj për Gjermaninë. Në Oberhausen kam përjetuar çaste të këndshme, luaja futboll në një ekip, këtu e mora edhe patentë shoferin etj“.
Por, ajo që më së shumti e brengoste, ishte mungesa e perspektivës në vend: „Para luftës, në vitin 1987 e kreva shkollimin për inxhinier elektroteknik, por nuk mu dha rasti asnjëherë të punoja pasi është dashur të shkoja në ushtri dhe më pas filloi lufta. Fëmijëve u ecte shkollimi mirë, por nuk kishte gjasa për një arsimim të lartë pasi për shkolla private nevojiteshin shumë të holla. Sistemi shkollor gjithnjë e më tepër po korruptohet, të gjitha shkollat kërkojnë të holla, ndërsa unë nuk i kam. Për fëmijët nuk pashë ndonjë perspektivë atje. Për këtë, ne vendosëm që edhe një herë të bëjmë një përpjekje në Gjermani. Ishte vërtetë një vendim i rëndë, pasi dy vajzat e martuara, Salija (23) dhe Saranda (22) tashmë kanë mbetur në vendlindje dhe kanë krijuar familjet e veta personale.
Me pesë anëtarë, familja Gashi ishte nisur për në Gjermani, fillimisht në muajin dhjetor në Burbach, në strehimoren në të cilën keqtrajtoheshin refugjatët. Që nga fundi i janarit, familja kosovare është duke jetuar në një kontejner në Oberhausen. Prindërit këtu kanë parashtruar një kerkesë të re për vete, për njohjen e statusit të refugjatit, për Flamurin dhe Fitoren, të cilët kanë lindur në Oberhausen, si dhe për Ronën trevjeçare të lindur në Kosovë.
„Dëshirojmë të qëndrojmë në Gjermani, por nuk e di a do të kemi sukses“, vazhdon Halil Gashi. „Është shumë e vështirë që ne kosovarëve të na pranohet statusi i refugjatit“, thotë ai, duke iu referuar faktit se kosovarët nuk janë të ndjekur politikisht.
Si punëtor i zellshëm, ai me gjithë dëshirë do të punonte: „Por kush do ta punësojë një njeri i cili ka leje të qëndrimit vetëm për një muaj“, parashtron pyetjen Andrea Schreiber nga Organizata „Terre des Hommes“.
Personalisht, ajo është shumë e lumtur që tek Halil Gashi ka gjetur një partner bashkëbisedues, i cili gjithnjë është i gatshëm të përkthejë, pasi përpos gjuhës së tij amtare, ai flet edhe serbo-kroatisht dhe shpeshëherë është i kërkuar nga të tjerët për vizitat mjekësore apo çështjet administrative si përkthyes. Në fund, ai ka arritur të sigurojë një punë shumë të vogël në kuadër të ofertës sociale si pastrues: „Rreth e përreth e pastroj këtu pari, pasi nuk mund të rri duarkryq“, përfundon Halil Gashi.