Imami nga Tetova për SRF-in zviceran: Xhihadi është gabimisht i përkthyer
Organizata e përgjithshme islamike e komunave të Zvicrës Lindore (Digo), në mbledhjen e saj të rregullt para disa ditësh, për kryetar të saj e kishte zgjedhur hoxhën shqiptar nga Maqedonia, Bekim Alimi. Imami nga Wili, për Televizionin shtetëror zviceran SRF flet decidivisht kundër ndikimeve ekstremiste.
Në Zvicër jetojnë rreth 400.000 myslimanë, që do të thotë rreth 5 për qind e popullatës zvicerane. Rreth 110.000 myslimanë kanë një pasaportë zvicerane, ndërsa me 40.000 anëtarë, Kosova, Turqia dhe Maqedonia janë vendet më të rëndësishëm të prejardhjes së tyre. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e myslimanëve në Zvicër i përkasin sunitëve.
Në Zvicrën Lindore dhe në Mbretërinë e Lichtensteinit, varësisht nga prejardhja e myslimanëve, veprojnë disa organizata të ndryshme, të cilat koordinohen nga Organizata e përgjithshme islamike e komunave (Digo) dhe e cila tashmë udhëhiqet nga imami shqiptar, Bekim Alimi. Dyzetenjëvjeçari është rritur në Tetovë (Maqedoni) dhe në Universitetin Al-Azhar të Kajros, ka studiuar Filozofinë islamike dhe Teologjinë. Që nga viti 1999 jeton në Wil, ku është i angazhuar si mësues religjioni dhe imam. Bekimi është i martuar me një shqiptare të rritur në Zvicër dhe ka dy fëmijë.
„Zoti nuk na ka udhëzuar që të vrasim në emër të tij. Ai që vepron kundër tij, ai nuk vepron në mënyrë islamike“, deklaron Bekimi për SRF, njofton „Shtegu.com“. Posaçërisht i vendosur, imami shqiptar shprehet kundër islamistëve radikalë, duke bërë të qartë: „Persona të tillë nuk frekuentojnë qarqet tona“.
Digo ishte formuar në vitin 2003 në St.Gallen nga 17 komuna islamike. Imami shqiptar flet qartë kundër disa ndikimeve ekstremiste. Qëllimi i Digo është, „që të promovohen vlerat e ideologjisë islame“, pohon Alimi. Shpeshëherë është pretenduar se në Kuran bëhet fjalë për një „luftë të shenjtë“. „Por, aty nuk thuhet asgjë“, dëshmon Bekimi me bindje. Edhe fjala „Xhihad“ është përkthyer gabimisht, pasi nuk do të thotë „luftë e shenjtë“, por „përpjekje“.
Motoja e Bekim Alimit është: „Toleranca qëndron në njohjen e lirisë dhe dinjitetit të çdo njeriu dhe statusi social i një personi nuk duhet të përcaktohet që nga lindja e tij“.