Histori dashurie e Hajrijes nga Maqedonia dhe e Tamilsonit nga Sri Lanka

102 Lexime

10:23:40                 2016-12-27

 

 

 

 

Një grua e re shtatzanë, nga Maqedonia dhe miku i saj janë në kërkim të një banese në Hall të Gjermanisë, por kot. Mirëpo, një lajm para festave të fundvitit i ka qetësuar pa masë.

 

 

 

 

Frika nga fëmija i palindur, një situatë dëshpëruese e banimit dhe perspektivë e brishtë. Këtë fat e ka përjetuar Hajrija Rustemova nga Maqedonia dhe i dashuri i saj, Thusyianthan Nagasara nga Sri Lanka, i njohur me nofkën Tamilson.

 

 

 

Jeta e tyre është përplotë batica e zbatica, por ata janë të lumtur se së shpejti do të lindë edhe fëmija dhe do të bëhen prindër. Tetëmbëdhjetëvjeçarja nga Maqedonia dhe i dashuri i saj 32-vjeçar duan të martohen, për të formuar një familje të vërtetë dhe për vete të gjejnë një banesë të vogël. Por, një gjë e tillë në Gjermani, nuk është shumë e lehtë.

 

 

 

Që të dy janë njohur tash e tre vite më parë. Hajrije Rustemova fillimisht ishte arratisur me vëllezërit dhe motrat e tjera, me babain dhe njerkën nga Maqedonia. Si pjesëtare e romëve dhe me baba shqiptar, ata atje janë të margjinalizuar.

 

 

 

Për shkak të një gjakmarrje, kjo familje është dashur të arratiset nga Maqedonia, ndërsa në qytezën Hall, Hajrija ka vijuar mësimin në shkollën „Thomas-Schweicker-Werkrealschule“.

 

 

 

Tamilsonin e kishte njoftuar në qendrën e refugjatëve në Steinbeisweg. „Unë e fotografova se si argëtohej me një saj me rrota“, rrëfen me buzëqeshje Tamilsoni. Më parë, ai kishte punuar si fotograf. Në vendlindje ai ishte arrestuar, por së shpejti lirohet dhe arratiset për në Indi, Kanada, Brazil, Panama, Meksikë e deri në SHBA. Pas kësaj, ai dëbohet dhe rrugës ndalet në Gjermani, në vitin 2012 në Frankfurt, ku parashtroi kërkesë për azil. Në shkurt të vitit 2013, ai u vendos në Hall.
Vajzës nga Maqedonia i kishte lënë shumë përshtypje. Që të dy filluan një lidhje me të cilën ishin të kënaqur. „Fillimisht kishim pengesa në komunikim, pasi Tamilsoni nuk e njihte gjuhën gjermane“, rrëfen Hajrija për „Südwest Presse“, përcjellë „Shtegu.com“. Por, ai u përkujdes për ta zgjidhur këtë problem duke angazhuar një fëmijë nga qendra, për të përkthyer.

 

 

 

Kur shoqëria e tyre u shndërrua në dashuri, babai i vajzës ishte kundër kësaj lidhje. „Ai më ngujoi“, vazhdon Hajrija. Pas shumë katrahurave me babain e saj, më në fund ajo vendosë që të jetojë në Gjermani. Në ndërkohë, Tamilsoni kishte dëgjuar për një punë të mirë në Regensburg dhe vendosen atje. Tashmë, vajza nga Maqedonia ishte shtatzanë.

 

 

 

 

Por, së shpejti ata kthehen përsëri në Hall, ku Tamilsoni kishte gjetur një punë, ndërsa gjermanja Florentina Götz ishte përkujdesur për të gjetur një strehë për çiftin e ri. Më në fund, vjen edhe sihariqi për ta, pasi ata kishin gjetur një banesë në Teurershof. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm.