Gjermanët vendosin „Engjullin e Bardhë“ për ta përkujtuar familjen shqiptare
15:48:18 2016-04-18
Piktori shqiptar, Vullnet Hoxha ka krijuar një skulpturë nga mermeri në atelienë e David Verstege nga Vaihingeni dhe „Engjulli i Bardhë“ do të marrë një vend nderi në Waldheim Sonnenwinkel.
Engjulli simbolizon një grua të re, e cila pa dashje ka mbetur shtatzanë. „Kur je i ri, mund të gabosh, gjithashtu edhe në dashuri“, pohon Vullnet Hoxha duke nënvizuar: „Ai i cili bën një gabim, shpeshëherë mbetet i vetmuar, pa dashuri dhe pa përkrahje“. Ai i cili e shikon më mirë skulpturën, mund të vërejë edhe gjëra të tjera, për shembull, katër shekuj dhe katër elemente.
Vullneti e ka krijuar skulpturën nga mermeri. Për te, kjo figurë simbolizon „mentalitetin e luhatshëm“ në vendlindjen e tij në Shqipëri, shkruan „Stuttgarter Nachrichten“, njofton „Shtegu.com“. Ajo që ai mendon, është korrupsioni. „Lidhshmëria në mes parasë dhe partisë, tek ne është shumë e madhe“, vazhdon Vullneti me një gjermanishte të çalë. Arsyeja përse ai e lëshoi vendlindjen e tij, qytetin Gramsh, ishin padrejtësitë e mëdha shoqërore. „Në Shqipëri nuk kisha gjasa, atje nuk ka respekt për artin dhe nuk ka liri të artit“, deklaron Hoxha. Ai, atje nuk kishte parë më perspektivë për vetveten, bashkëshorten dhë katër fëmijët.
Familja shqiptare kishte ardhur para katër muajve në Gjermani, përmes Frankfurtit, Trier dhe Karlsruhe, duke u vendosur më në fund në Shtuttgart. Tash e pesë muaj, familja Hoxha është duke jetuar në një qendër strehimore në Waldheim Sonnenwinkel. Aty e kanë shumë ngushtë, pasi familja gjashtantarëshe është duke e ndarë një dhomë të vogël pesë metrash katrorë me krevatë në kate. „Por, ne jemi të lumtur, pasi kemi gjetur shumë shokë të rinj“, thotë Vullneti.
Njëri nga këta shokë, është edhe skulptori David Verstege. Javën e kaluar, Vullneti pothujase për çdo ditë e vizitonte atelienë e tij. Verstege e ka sposnzoruar mermerin e rëndë rreth 300 kilogramë. Që të dy janë skulptorë, ndërsa Vullneti ka marrë edhe shumë shpërblime nëpër ekspozita të ndryshme. Për këtë arsye, Verstege ia ka hapur atelienë e tij duke i dhënë mundësinë që të punojë diçka.
Vullneti kishte punuar 200 e më tepër orë në skulpturë, ndërsa vlera e saj llogaritet 8 mijë deri dhjetë mijë euro.
Por, përkundër kësaj, familja shqiptare duhet të kthehet për në Shqipëri. Ai i cili vjen si refugjat nga Shqipëria, nuk mund të qëndrojë në Gjermani. „Që në fillim e kishim të qartë këtë gjë. Ne nuk do ta pengojmë dëbimin e familjes shqiptare, por ajo që do të ndodhë me familjen gjashtantarëshe shqiptare, është një krim“, deklaron Heiner Küenzlen nga qendra e refugjatëve. Familja Hoxha nuk ka të holla, nuk ka banesë, asgjë. Përafërisht, rreth 20 prillit, ajo duhet të hipë në autobus dhe të niset në drejtim të panjohur. Më 16 prill, banorët e Sonnenëinkel e kishin organizuar një festë lamtumirëse. Por, „Engjulli i Bardhë“ do të qëndrojë në Dachswald, ku do marrë një vend nderi para Waldheim.
Skulptura do të jetë një dëshmi se nga familja Hoxha ka mbetur diçka. Diçka që do t`i përkujtojë banorët e Dachsëaldit. Miqtë e familjes, kanë filluar një iniciativë për të ndihmuar familjen në të holla, si ndihmë fillestare rrugës për në një jetë të panjohur. Ai i cili dëshiron të ndihmojë, mund të drejtohet përmes e-mailit në Ak_fluechtlinge@thomasgemeinde-stuttgart.de.