Familja shqiptare kërcënohet për tu dëbuar nga Gjermania
16:09:18 2016-04-04
Mirash Permarkaj do të dëbohet për në Shqipëri, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Ai është duke vijuar një shkollë të mesme gjermane, duke bërë praktikë në grupacionin automobilistik „Mubea“
Para disa ditësh, Mirash Permarkajt i kishte ardhur një letër në kutinë postare, e cila e ka tmerruar ate dhe familjen e tij, në rrugën „Lucas-Cranach-Straße“ të Sömmerda në Gjermani. „Ne do të dëbohemi“, ka rrëfyer me lot në sy shqiptari 43-vjeçar. Me bashkëshorten e tij Flora dhe fëmijët Roberto (12), Romario (11) dhe Rebeka (5), ai tash e 16 muaj është duke jetuar në këtë qytezë. Për shkak të një armiqësie familjare, Permarkajt është dashur të largohen nga Qelezi, ndërsa xhaxhai dhe një kushëri i tij tashmë kishin vdekur.
Kujtimet për vendlindjen janë nën hije të varfërisë dhe joperpsektivës në vend. Papunësia ka arritur shkallën prej 40 për qind, ndërsa punëdhënësi kryesor është shteti. Krejt kjo ka bërë që shumë banorë të largohen nga vendi, shkruan „Thueringer Allgemeine“, njofton „Shtegu.com“.
Mirashi ishte për tre vite të tëra në ushtri, ndërsa që nga viti 1991, kafshatën e gojës e siguronte si saldues dhe përpunues metalesh. Viteve të fundit edhe si asistent në ndihmën e shpejtë, në vendlindjen e tij në Qelez.
Familja Permarkaj kishte ardhur në Gjerrmani në tetor të vitit 2014, në një vend të ri, në të cilin u përballën me fjalët paqe e ardhmëri, të cilat i gjetën në Sömmerda. Fëmijët e mëdhenj këtu shkojnë në shkollën „Einstein-Regelschule“, ndërsa më të vegjëlit në foshnjore. Gjithçka dukej mirë. Mirashi, anët e tij më të forta të të cilit janë durimi, aftësia dhe të kuptuarit e teknologjisë, vitin e kaluar absolvoi një kurs të gjermanishtes. Më pas, vijoi parapërgatitjet për përsosjen e profesionit, për të cilin u zgjodhën tetë persona nga gjithsej 24 të tillë. Por, tani ai është vetëm një person nga Shqipëria, ndërsa Shqipëria llogaritet zyrtarisht si shtet me prejardhje të sigurt, që nga tetori i vitit të kaluar.
Refugjatët nga shtetet ballkanike siç janë: Shqipëria, Mali Zi dhe Kosova, përpos sirianëve janë shtetasit me kërkesa më të shumta të strehimit. Por, në krahasim me kërkesat e refugjatëve sirianë, ato të tyret në të shumtën e rasteve refuzohen. Për shembull, Shqipëria: Deri në fund të vitit të kaluar, autoritetet nga Thüringeni kanë shqyrtuar 688 kërkesa, prej të cilave 509 janë refuzuar.
„Mendoj se kjo nuk ka të bëjë me këtë familje“, pohon Kerstin Mucke, kujdestare e klasës, e cila së bashku me Katrin Brune, profesoreshë e ekonomisë, është duke u angazhuar për familjen e Mirash Permarkaj. „Mirashi ka bërë gjithçka për tu integruar sa më mirë. Ai flet shkëlqyeshëm gjermanisht, ndërsa edhe përkundër faktit se është pak i moshuar, ai është kryetar i klasës. Ne kemi paraqitur për praktikë në „Mubea“, pasi ai e ka merituar këtë shans“, deklaron kujdestraja e klasës.
Mirashi ka të drejtë të paraqesë ankesë brenda një jave. Një avokat i familjes do të përkujdeset që familjes t`i ndihmojë në përpilimin e kërkesës, të organizuar përmes peticioneve e nënshkrimeve nga nxënësit dhe mësuesit. „Për ne do të ishte një tragjedi që Mirashin ta dëbojnë papritmas, pasi për ne, ai është një njeri i cili tash ka nevojë për ndihmën tonë“, përfundon mësuesja.