EVN vazhdon me rëndimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve të Maqedonisë
Vizita në pikat e pagesës të kompanisë elektro-energjetike EVN të ballafaqon me revoltën e qytetarëve të rëndomtë, të cilët ankohen se pranojnë fatura të larta të rrymës, që nuk përputhen me harxhimin real. Por, frika e shkyçjes nga sistemi dhe angazhimi i përmbaruesve i detyron ata sërish t’i paguajnë
Faturat e shtrenjta të energjisë elektrike vazhdojnë të „djegin“ xhepin e qytetarëve. Megjithëse i ftohti dhe dimri ka kohë që ka ikur, një numër i madh qytetarësh vazhdojnë të pranojnë fatura, shumat e të cilave i tejkalojnë të ardhurat mujore familjare. Një vizitë në pikat e pagimit të kompanisë elektroenergjetike EVN të ballafaqon me revoltën e qytetarit të rëndomtë, i cili e konsideron kompaninë si një të keqe të domosdoshme. Ankesat janë të shumta dhe vijnë nga qytetarët e shtresave të ndryshme, por frika e shkyçjes nga sistemi dhe angazhimi i përmbaruesve kanë drejtuar qytetarët në pikat e pagimit si asnjëherë më parë. Një pjesë e tyre jeton në qytet, pjesa tjetër në fshat, të parët në banesa, ndërsa të tjerët në shtëpi, por të gjithë kanë një emërues të përbashkët, ankesat për faturat e shtrenjta. „Kam ardhur të paguaj 11 mijë denarë për një muaj. Me familjen jetojmë në lagjen e Butelit dhe ngrohemi me dru. Megjithëse sezoni i dimrit ka mbi një muaj që ka mbaruar, ne nuk shpëtuam nga faturat e shtrenjta. Më herët unë kam paguar nga 5-6 mijë denarë në muaj. Në dhjetor EVN më faturoi 25 mijë denarë. E di që nuk është për t’u besuar, por fatura e dhjetorit ishte plot 25 mijë. E keqja më e madhe është se nuk deshën të vijnë ta kontrollojnë as orën. Më kërkuan të bëj një pagesë plotësuese për ta kontrolluar orën“, thotë Blerimi, banor i lagjes së Butelit. Në radhën e gjatë që ka pritur të paguajë ose të sqarohet me punonjësit e EVN-së, pika në Shkup Veri, të martën u gjet edhe një i moshuar, i cili refuzoi të flas me emër e mbiemër, por për gazetën KOHA ndau hallin që kishte. „Para shumë kohësh kisha një dyqan. Shkaku i dyqanit që e kam mbyllur para shumë vitesh, EVN vazhdoi të më faturojë rrymën me tarifën e shtrenjtë, e cila është dy herë më e shtrenjtë. Me faturën e fundit EVN ka kërkuar të paguaj 11 mijë denarë, ndërsa unë jetoj me pensionin prej 7 mijë denarëve. Nuk e di si do të zgjidhet ky problem, do të shohim“, thotë pensionisti, duke kërkuar mos t’i publikohet emri për shkak të frikës nga problemet e mundshme. Një taksist që jeton në lagjen Shkup Veri të martën ishte një tjetër qytetar që u ankua për dërgimin e faturave pa u lexuar gjendja faktike e orëmatësit. Njësoj si dy bashkëbiseduesit e parë, edhe ai kërkoi anonimitet, duke rrëfyer rastin e tij. Sipas rrëfimit të taksistit, për shtëpinë në të cilën ai dhe familja e tij nuk kanë jetuar për tre muaj me radhë, kompania EVN u ka dërguar një faturë prej rreth dhjetë mijë denarë. „Më detyruan të paguaj rreth dhjetë mijë denarë, megjithëse për tre muaj ne nuk jetuam në shtëpi. Pas marrjes së faturës u drejtova në EVN dhe pranuan që kishin faturuar pa e lexuar orën, por më detyruan të paguaj shumën e faturuar, megjithëse e njëjta u minusua muajve në vazhdim“, sqaroi taksisti në moshë të thyer. Sipas përdoruesve të rrymës, në rastin konkret problemi numër një është monopoli që iu lejua kompanisë elektroenergjetike EVN, e cila sipas tyre, tani mund të veprojë si të dojë. „Ish dashur të mendojnë më herët, kur e shitën EVNnë. Tani nuk kemi mundësi për të zgjedhur“, shpjeguan përdoruesit e revoltuar, të cilët të martën pritën radhë për të paguar faturat ose për të kërkuar zgjidhje të problemeve të tyre. Megjithëse ankesat janë të shumta dhe vijnë nga shtresat e ndryshme të popullatës, administrata e kompanisë EVN ka bindje të plotë duke thënë se vazhdon të vërtetojë se funksionon në përputhje të ligjit dhe se asnjë qytetar nuk paguan më shumë sesa harxhon. „Asnjë qytetar nuk do të paguaj më shumë se sa ka harxhuar. Ligji e lejon të lexojmë orët një herë në vit, por për të mos pasur probleme dhe për të mos i ngarkuar qytetarët ne i lexojmë orët çdo muaj. Të rralla janë rastet kur orët nuk lexohen çdo muaj, por edhe në këto raste muajve në vazhdim bëhet leximi dhe barazohet gjendja e orës. Si do që të jetë, mbetemi të hapur për qytetarët, të cilët kanë të drejtë të kërkojnë korrigjim të faturës, nëse mendojnë se janë dëmtuar në çfarë do lloj forme“, thotë Atanas Kovaçveski, zëdhënësi i kompanisë EVN, e cila është duke përgatitur një sistem të ri që do t’u mundësojë qytetarëve të zgjedhin vetë shumën mujore që do ta paguajnë për energji elektrike dhe kohën kur duan t’u lexohet gjendja faktike e orës. /Koha/