Edhe një familje shqiptare e rrezikuar për tu larguar nga Gjermania
18:38:46 2016-04-05
Shtatzania e gruas e kishte prolonguar deri më tani dëbimin e familjes shqiptare Oruçi nga Gjermania. Nga momenti që Martini i vogël erdhi në këtë botë, koha po skadon. Noshta do të ketë shpresë për kthim.
E ëma e Rrapos kishte qarë, kur kishte marrë vesh se djali i saj do të kthehet. Jo pse nuk dëshiron ta shohë, por se kthimi do të thotë se djali i saj 33-vjeçar nuk pati sukses në Gjermani. Kthim në një banesë të ngushtë dydhomëshe shqiptare, nga e cila ishte arratisur para një viti, që me familjen e tij të vogël të gjejë një fillimjete më të mirë. Por, si edhe gjithë shqiptarët e tjerë, për momentin Rrapo Oruçi do të dëbohet. Vetëm duke iu falënderuar shtatzanisë së bashkëshortes së tij, Vjollcës, ai kishte mundur të qëndrojë deri më tani në qendrën e strehimit në rrugën „David-Gilly-Straße“ në Potsdam. Tashmë, para tre javësh ka lindur edhe djali i dytë, ndërsa i pari, Bashkimi ka katër vite. Që nga lindja e fëmijës, koha është duke skaduar, sepse kur të bëhet foshnja tetëjavëshe, familja Oruçi duhet të largohet nga territori gjerman.
„Nëna ime nuk e kupton përse unë do të kthehem, përse nuk mund të punoj“, pohon Rrapo për „pnn.de“, njofton „Shtegu.com“. Refugjatët nga të ashtuquajturat shtetet e sigurta të prejardhjes, në të cilat që nga tetori është llogaritur edhe Shqipëria, nuk mund të marrin lejeqëndrim në Gjermani. E njëjta vlen edhe me të aushtuquajturin „duldung“, me të cilin janë të pajisur familja Oruçi. Bile edhe praktikën nuk mund ta vijojë edhe pse furra ku kishte konkurruar, e kishte pranuar kërkesën e tij.
Gjatë kërkimit për trajnim dhe shumë gjërave të tjera, familjen shqiptare e ksihte ndihmuar Silvana Uhlrich-Knoll. Gjermanja 37-vjeçare e ka njohur ate që nga korriku i vitit të kaluar dhe së paku një herë në javë takohet me Rrapon dhe Vjollcën 25-vjeçare për tu ndihmuar në gjuhën gjermane, në shqyrtimin e dokumenteve apo edhe për të gjetur ndonjë punë për Rrapon. Por, ajo e krahason këtë betejë të familjes shqiptare me një stuhi: „Atyre nuk do tu jepet rast“, pohon pedagogia dhe mësuesja e muzikës. Tani, ajo po mundohet përmes një rrugë tjetër t`i ndihmojë për ardhmëri tjetër familjes në Gjermani.
Pas dëbimit, familja nuk do të ketë të drejtë për gjashtë muaj të kthehet në Gjermani. Dhe po që se deri atëherë gjendet ndonjë punë për Rrapon dhe po që se organizohet ndonjë leje pune, ai do të mund të kthehet, së paku kështu shpreson. Rrapo mund të punojë si vozitës, kopshtar, apo edhe kuzhinier, pohon ai. „Në mungesë të fuqisë punëtore tek ne, është e mundur të gjejë ndonjë punë“, deklaron Silvana Uhlrich-Knoll. Edhe Vjollca dëshiron të punojë, por vetëm kur fëmija të bëhet njëvjeçar, si pastruese apo përkujdesëse, një profesion për të cilin qyteti i Potsdamit ka nevojë. Silvana Uhlrich-Knoll është e vetëdijshme se për tu realizuar kjo, nuk do të jetë shumë lehtë. Por, ajo është angazhuar që të gjejë një vend pune.
Që të arrihet kjo, familja shqiptare duhet të presë gjashtë muaj në Shqipëri. E ëma e Rrapos, e cila jeton në qytezën Selenicë në afërsi të Vlorës, do t`i pranojë sërish në banesën dydhomëshe, pasi paraprakisht u kishte premtuar. Gjashtë vite të tëra Rrapo dhe Vjollca kishin jetuar tek ajo, në një divan. E ëma e tij ka një pension të dobët prej vetëm 50 eurosh, i cili duhet të ushqejë familjen katëranëtarëshe. E gjithë kjo, në kushte ku artikujt ushqimorë janë të shtrenjtë pothuajse si në Gjermani. „Me këto të holla nuk mund të blejmë bile as qumësht“, thotë Rrapo.
Për periudhën për të cilën të gjithë shpresojnë se do të jetë vetëm kalimtare, për t`ua lehtësuar qëndrimin në Shqipëri, Silvana Uhlrich-Knoll ka startuar një apel për ndihma. Në mesin e miqve të saj, ajo dëshiron të tubojë së paku një mijë euro, që më pas t`ua dërgojë në Shqipëri. Me këto të holla, Oruçët do të mund të mbijetojnë për tre muaj në Shqipëri, ndërsa po aq edhe personalisht kanë kursyer. Para një jave, Silvana Uhlrich-Knoll ua kishte dërguar një e-mail të afërmve të saj, duke menduar se ndokush mund të donojë pesë apo dhjetë euro. „Isha e mahnitur nga aksioni, shumica e miqve donuan nga 50 euro“, pohon Silvana, e cila për një kohë të shkurtër i grumbulloi gjysmën e të hollave. Kur bisedohet për të holla, Rrarpo disi turpërohet. „Është vështirë për mua. Por, unë i falënderoj Silvanës dhe shtetit gjerman“. Për një moment shikimin e drjeton nga dyshemeja që menjëherë më pas të vrapojë drejt foshnjes për ta marrë në krahë. Foshnjen e kanë pagëzuar me emrin Martin, një emër gjerman.
Gjatë lindjes së tij, Rrapo ishte i pranishëm. Në Shqipëri kjo gjë nuk është e lejuar. Ai është i lumtur që i është dhënë një rast i tillë. Çifti bashkëshortor është i mahnitur me sistemin shëndetësor gjerman. Nga fundi i shtatzanisë, ajo ishte kontrolluar rregullisht dhe kjo gjë në Gjermani është e zakonshme, rrëfen Vjollca e entuziazmuar. „Në Shqipëri shkon te mjeku dhe duhet paguar 300 euro rryshfet“, thekson Rrapo. Ai i ka dhënë fund vendlindjes dhe nuk do të kthet më. Gjatë qëndrimit të prindërve në spital, për shkak të lindjes, djali i tyre kishte qëndruar te Silvana Uhlrich-Knoll dhe familja e saj, bile edhe gjatë natës. Kështu është krijuar një miqësi shqiptaro-gjermane, ndërsa besimi është shumë i madh.
Për „Bashkin“, siç e quan Silvana shqiptarin katërvjeçar, dëbimi do të ishte shumë i rëndë. Në foshnjore ai ka gjetur shokë dhe ka filluar të komunikojë shumë mirë në gjuhën gjermane. Ai dëshiron ta vizitojë gjyshen e tij në Shqipëri, por vetëm për disa ditë, thonë prindërit e buzëqeshur. Familja në Gjermani kishte ardhur me tren, ndërsa Bashki kishte pasur frikë të hipë në tren, pasi i kujtohet Shqipëria.