E huaj në vendlindjen e saj

72 Lexime

florida
Ekzistojnë njerëz të cilët nuk kursejnë të paguajnë 75 euro për një palë këpucë, apo për një koncert, apo fundi-fundit, për një darkë. Nga ana tjetër, ka njerëz të cilët jetojnë me 75 euro në muaji e gjatë, siç është rasti me Florida Avdiun, shkruan „Westfälichen Nachrichten“. Së bashku me prindërit, vëllain e saj dhe dy motrat e saj, ajo është dashur të mbijetojë me këtë shumë qesharake të hollash. Mesatarisht, këto janë 2,50 euro në ditë, për gjashtë persona
Florida dhe familja e saj janë nga rrethina e Mitrovicës, një qytet në eri të Kosovës. Një qytet, i cili edhe më tej është një skenë e dominimit të trazirave dhe dhunës. „Një qytet i ndarë“, në të cilin gjysma flasin eksluzivisht gjuhën serbe, ndërsa gjysma tjetër gjuhën shqipe. Para disa javësh, familja kosovare kishte vendosur të arratisej. 75 eurot të cilat ua paguante shteti, pasi njëri nga fëmijët ishte nën moshën pesëvjeçare, pas lindjes së motrës më të re të Floridës, iu ndalën. Rrugës së gjatë për në Gjermani, familja mori me vete vetëm disa valixhe. „Nuk morëm shumë gjëra me vete, pasi ashtu se ashtu edhe nuk kishim shumë për të marrë“, rrëfen Florida. Ata udhëtuan nëpër shumë destinacione, Beograd, Hungari etj., duke kaluar pesë orë rrugë nëpër mal dhe pagesë prej 700 eurosh për person për trafikantët. Një shumë marramendëse, nëse meret parasysh paga mujore e familjes. „Ne kemi qenë edhe më parë në Gjermani, në periudhën prej 1993 deri në vitin 2000. Këtu ndjehemi të sigurt, gjermanët sillen shumë mirë me ne dhe për këtë dua tu shprehë falënderime“, spjegon nëna e Floridës, Afërdita. Bile, Florida është e lindur në Gjermani, në një kohë, kur në Kosovë luftohej. Familja e kishte lëshuar Gjermaninë vullnetarisht në vitin 2000, pas përfundimit të luftës, me shpresë se do të bëhej më mirë. Por, ishin zhgënjyer. „Në Gjermani ne jemi të huaj, por jemi më të mirëpritur se në vendlindjen tonë. Këtu respektohen të drejtat e njeriut“. Florida dhe e ëma e saj tregojnë për dëshirën e tyre të madhe, që në Gjermani të vazhdojnë një jetë të pavarur, pasi këtu ekziston rregulli për tu shkolluar, punë e rregullt, një perspektivë dhe një shteg drejt të cilit dëshirojnë të udhëtojnë. Në Kosovë, për çdo ditë Florida ishte e detyruar të udhëtojë gjashtë kilometra në këmbë për të mundur të vijojë ligjëratat në Mitrovicë. „Vetëm para pak kohësh, një 17-vjeçare ishte rrëmbyer nga rruga për në shkollë dhe ishte vrarë“, tregon ajo. Një akt i tillë nuk është i pazakonshëm dhe natyrisht se edhe ajo kishte frikë të mos i ndodhë e njëjta gjë. Ajo ishte një nxënëse e dalluar, ndërsa në pyetjen se si qëndrojnë gjasat për ndonjë vend pune, përgjigjet: „Rrafsh me zero“. Ajo njehë shumë shokë e shoqe të cilët kanë përfunduar ndonjë fakultet të mirë dhe tani janë të papunë. Qeveria kosovare jep të dhëna për një kuotë të papunësisë prej mbi 30 për qind, një shifër që nuk është me perspektivë. Në qytezën Lengerich të Gjermanisë, ajo kohën e kalon duke lexuar dhe shkruar. „Unë jam duke shpresuar shumë se do të më lejohet që të vijoj shkollimin në Gjermani. Më vonë do të dëshiroja të studioja, që më vonë të mund tu ndihmoja të rinjve në Kosovë“, vazhdon ajo. Por, shumica e refugjatëve të cilët kanë qëndruar në Lengerich, kanë marrë përgjigje negative. Florida dhe familja e saj janë në pritje e sipër të ndonjë përgjigjeje. „Është e mundur që ata të dëbohen nesër, apo brenda pesë muajve. Apo ndoshta asnjëherë. Të gjithë po i përmbahen rregullave shtëpiake, këtu është duke mbretëruar një atmosferë shumë e këndshme“, deklaron udhëheqësja e pranimit të refugjatëve, Bernadette Wiegand. Para dhjetë ditësh, Florida i mbushi tetëmbëdhjetë vite. Me akcent të lartë, por të qartë dhe të kuptueshëm, ajo formulon në gjuhën gjermane: „Asgjë nuk dëshiroj për ditëlindje, përveçse të qëndroj në Gjermani. Larg nga varfëria e skajshme, dhuna, lëndimi i të drejtave njerëzore, larg nga ardhmëria pa perspektivë dhe mungesa e përkujdesjes mjekësore“, përfundon Flroda. „Nuk duhet të harrojmë se askush nuk e lëshon nga dëshira vendlindjen e vet“, thotë në fund përkthyesi Driton Bala.