Dialog Plus: Teuta Gashi (34), kimiste – shumë ditë në jetën time si emigrante

188 Lexime

13:32:30            2016-03-09

 

 
Shkupjania studioi për kimi në Gjermani. Si specialiste e çmuar, kumtoi gjithandej vendit gjetjet e saj shkencore. Nga 2014-ta punon si bashkëpunëtore laboratori në Basel.

 

 
Nga
Rehana DOKO

 

 

 

Kur shikoj mbrapa dhe i shoh ndryshimet që kanë lënë gjurmë në jetën time, ajo më duket si një Rollercoaster. Nuk ka pasur ditë në jetë që nuk kam qenë e etur për dije dhe e motivuar për të mësuar. Për dallim nga shumë të tjerë me të cilët punoj sot, nuk i kam pasur të njëjtat mjete sociale dhe financiare, prandaj shumë herët u detyrova të marr përgjegjësi dhe rreziqe mbi veten. Tani mendoj që vërtet ia ka vlejtur. Ëndrra ime për studimet dhe profesionin m’u realizua. E pranoj që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Vetëm dhe në një vend të huaj, me mijëra kilometra larg nga vendlindja, të konfrontohesh me një gjuhë dhe kulturë të panjohur, nuk është shaka. Por, besoj kjo është jeta: e paparashikueshme dhe kërkuese. Me shkollimin tim si kimiste kam mësuar shumë më tepër se ca lidhje molekulare, që edhe në gjumë mund t’i them përmendsh. Unë jetoj me qejf dhe jam mirënjohëse për të gjitha përvojat dhe njerëzit që kam pasur rastin t’i përshëndes dhe shpresoj se do të vazhdoj t’i përshëndes. Më parë dyshoja në veten time, sidomos në fillim, kur sapo kisha ardhur në Gjermani. Tani kjo ka ndryshuar, sot çdo situatë e shoh si një sfidë për t’u rritur më shumë. Është një ndjenjë vërtet e bujshme, të mësosh gjëra të reja dhe të rritesh, si fizikisht, ashtu edhe psikikisht. Thjesht, duhet të duash dhe ta ndërmarrësh hapin e parë! Para së gjithash, duhet të jesh i gatshëm t’i ndërrosh modelet e vjetra të mendimit. Kjo është ajo që në fillim më ka shkaktuar më së shumti kokëçarje: T’i lësh dhe të dalësh në botën e largët dhe të panjohur.

Kam lindur në vitin 1981 në Shkup, si fëmija i dytë i prindërve shqiptarë. Kam edhe një motër më të vogël, Leonorën (32), e cila jeton në Gjermani, dhe një vëlla më të madh, Bujarin (32), i cili me gruan dhe fëmijët e tij jeton në Shkup. Babai im, Isa Gashi, ka studiuar për sociologji dhe filozofi në Maqedoni dhe ka punuar si profesor në gjimnaz, deri më 1981, kur shumë shqiptarë e humbën vendin e punës në arsim dhe duhej të siguronin të ardhura në një mënyrë tjetër. Më 1986, ai emigroi në Zvicër dhe nga dita e parë e deri më tani ka punuar në arkeologjinë e Kantonit të Zugut. Babi ka qenë shembulli im më i madh. Gjithçka doja ishte ta bëja atë një ditë krenar dhe t’i tregoja që mundimet e tij për të na shkolluar mua dhe motrën time ia kanë vlejtur.

Ai i investoi të gjitha kursimet dhe më shumë se gjysmën e rrogës vetëm për shkollimin e vajzave të tij. Me nënën time Nafijen dhe me motrën e vëllanë tim deri në vitin 2000 kemi jetuar në Shkup. Nga fillimi i shekullit të ri për mua nisi një jetë krejt e re. Nga 2001 deri 2003 e kam ndjekur Kolegjin në Universitetin Johannes Gutenberg në Mainz, me fokus në studimet matematiko-natyrore. Nga 2002 deri 2009 kam studiuar për kimi biomjekësore me drejtimet kryesore kimi organike, biokimi, biofizikë dhe kimi bioorganike. Tema ime e diplomës ishte «Spektroskopia e Fe Mössbauerit në nanopartikujt dhe lidhjet komplekse». Ishin vite kur nga ora tetë e mëngjesit e deri në orën njëzetedy mund të më gjeje në bibliotekë. Atëherë e kisha një banesë sa për të ngrënë dhe për të fjetur, prandaj edhe kohën më të madhe e kaloja më me qejf në bibliotekë. Biblioteka është vendi ku unë i kam njohur edhe shokët dhe shoqet më të mira të studimeve. Përditshmëria ime nga 2010 deri më 2013 ishte e pasur me mësime të reja, sikur nuk mund ta dëshiroja më mirë. Me kënaqësi do ta kisha përshkruar kalimin e një dite nga kjo kohë, por një gjë e tillë është thjesht e pamundur, sepse «përditshmëria» nuk ekziston. Gjithë kohën kam qenë në lëvizje dhe vazhdimisht me njerëz. Si bashkëpunëtore shkencore, në fillim punoja në fushën e kimisë inorganike dhe analitike të Universitetit Johannes Gutenberg të Mainzit, në të njëjtën kohë merresha me procese të ndryshme kimike të trupave të lëngët e të ngurtë për krijimin e lidhjeve inorganike dhe organike, zhvilloja procese të ndryshme analitike, i prezantoja rezultatet studimore në konferenca dhe natyrisht përpiloja artikuj shkencorë në gjuhën angleze. Në këtë kohë edhe kam promovuar. Punimin e doktoraturës në kiminë analitike dhe inorganike e kam shkruar në temën «Fe und Sn Mössbauer studies on new Heusler compounds for spintronic applications». Përditshmërinë time atëherë e kam përjetuar po kaq ngatërrueshëm sa ç’tingëllon kjo temë për jokimistët. Befas analizat shkonin e vinin njëra pas tjetrës dhe befasisht e pashë veten të nderuar në rrethin tim si specialiste e drejtimit që kam. Një ndjenjë e papërshkrueshme! Mund të merrja pjesë në konferenca në Dresden dhe në Berlin, isha pjesë e ‹matjeve shërbyese› në qendrat studimore në Grenoble dhe në Hamburg. Rasti e deshi që më 2014 ta gjeja një vend pune si bashkëpunëtore laboratori në analitikën elementare në fushën e barnave dhe analitikës së ndikimit të substancave në Zvicër. Nga kjo kohë jetoj në Basel dhe nganjëherë duhet të konfrontohem me dialektin zviceran. Por, e shijoj fort kulturën dhe atmosferën këtu! Ishte hap me vend që e lashë Gjermaninë për t’i rizbuluar laboratorët në Zvicër.

Jeta ime në Zvicër në ndërkohë është bërë më e qetë. Nuk jam më gjithë kohën në rrugë për t’i prezantuar gjetjet e mia më të fundit nëpër konferenca. Tani kam kohë të lëviz dhe të kualifikohem në fusha të tjera. Përveç punës, ndjek seminare, të cilat në fakt lidhen me fushën time, por që shumë më tepër i afrohen ekonomisë. Është jashtëzakonisht interesante se çfarë horizontesh të hapë kjo. Mësoj shumë në lëndët tjera, para së gjithash çfarë të përbashkëtash dhe varshmërish tregojnë ato, të cilat në shikim të parë nuk duken. Normalisht punoj nga mëngjesi në mbrëmje, nëse gjithçka shkon mirë, nga ora nëntëmbëdhjetë jam në banesën time në Basel. Ta shohim se si do të zhvillohen gjërat. Nuk mund ta dish kurrë se ku do të përfundosh nesër. Këtë e kam mësuar. Prandaj përpiqem, aq sa mundem, që ta vlerësoj dhe ta shijoj çdo moment. Për mua është shumë me rëndësi kontakti me njerëzit në profesion, si në jetën private. Mundohem shumë që t’i kultivoj lidhjet me motrën dhe vëllanë. Sidomos me motrën më të vogël, e cila punon si dentiste në Gjermani. Së paku një herë në muaj i vizitoj prindërit, të cilët jetojnë në Zug, dhe janë shumë të lumtur kur e kalojmë një kohë bashkë. Një herë në muaj takohem me ndonjë kolege pune a shoqe që kam në Zvicër, me kushërirat. Apo lëmë takim me shokë studimesh në Gjermani, ose të Zvicrës, për ta kaluar një kohë së bashku në qytet për një gotë verë të kuqe dhe një copë tiramisu. S’kam ide nëse vera e kuqe dhe tiramisuja akceptohen në këtë kombinim, por kjo përzierje më pëlqen. (Dialog Plus)