Byrektorja e tetovarit në Lubjanë në ballinë të mediave sllovene (VIDEO)

167 Lexime

Byrektorja „Olimpija“ e Lubjanës, pronë e shqiptarit Jusuf Nurishi me origjinë nga Tetova, kohëve të fundit është përkujdesur që të jetë në ballinë të mediave sllovene. Ajo ekziston që nga viti 1979, fillimisht nga gjyshi Ejup Nurishi dhe është qendër shumë e frekuentuar e banorëve sllovenë, pasi prioritet i saj është që mysafirët t`i shërbejë me bio produkte dhe natyrale, mundësisht pa emulgator.

Nga viti 1994, gjyshi ua lë biznesin familjar nipërve Gadaf dhe Jusuf Nurishi, kur ne te njejtin vit në treg dalin me një risi „pizza burek“, i cili në Kroaci dhe Slloveni bëhet një artikul shumë i preferuar dhe i kërkuar nga konsumatorët. Nga viti 2011, Gadafi shpërngulet në bregdetin kroat, në Medulin, po ashtu trashëgimi nga babai i tyre Nuriman Nurishi, ku vepron me punë sezonale turistike me restorant.

Nga ana tjetër, vëllai Jusufi vazhdon të punojë në Lubjanë ku në një konkurrencë të ashpër siç është McDonald`si dhe shumë lokale të tjera të njohura, gjatë dhjetë viteve të fundit, ai është i radhitur në vendin e parë si për nga cilësia e ushqimit, po ashtu edhe nga mikpritja e ngrohtë e pronarit.

Por, Jusufi nuk ndalet me kaq. Më 20 prill të vitit 2018, në Ditën Botërore të Marihuanës, ai gatoi byrekun e parë në botë me një sasi të kanabisit, pa THC (tetrahydrocannabinol), me ç`rast shkruan shumë media prestigjioze botërore, informon Shtegu.com.

Në një video të fundit të mediave sllovene, ato lavdërojnë byrektoren e shqiptarit për një aksion shumë humanitar që i ka ngrohur zemrat e sllovenëve. Qëllimi i aksionit është që kur ndonjë mysafir dhuron psh qindra byrekë për të uriturit, po aq byrekë i dhuron edhe Jusufi me stafin e tij të byrektores. Por, jo vetëm kaq, gjatë gjithë vitit organizohen disa aksione të ngjashme, në mesin e të cilëve edhe Dita e Uniformave, kur të gjithë të punësuarit që janë të veshur me uniforma psh. postierët, vozitësit e autobusëve, policët, zjarrfikësit, punonjësit shëndetësorë etj, mund të ushqehen falas me byrekun e Jusufit.

Për fat të mirë, në botë ka shumë më tepër njerëz të mirë se sa të këqinj dhe shumë më tepër vepra të mira sesa krime. Këtyre ditëve, në qendër të Lubjanës mund të shihen mirësi të vogla, ku shumë njerëz porosisin dy copa në të njëjtën kohë në një byrektore të njohur – një për vete dhe një për dikë që nuk ka para. Fushata „një byrek për një mik“ do të sigurojë që askush të mos mbetet i uritur, shkruajnë mediat sllovene.

Një veprimtari shumë emocionale e Jusuf Nurishit, bashkatdhetarit tonë nga rrethina e Tetovës. I lumtë.

https://www.24ur.com/novice/slovenija/akcija-burek-za-frenda-zelimo-ziveti-v-drzavi-kjer-imajo-vsi-za-burek.html