LAJME

Bushati në CNN: Jemi rehat, Shqipëria pjesë e koalicionit kundër ISIS

91 Lexime

Tiranë, 29 tetor – Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati sqaron në një intervistë në CNN arsyet përse Shqipëria i është bashkuar koalicionit kundër ISIS. Kryediplomati shqiptar nënvizon se lufta kundër ISIS është një përpjekje globale dhe nuk ka arsye që Shqipëria të ndjehet e rrezikuar.

CNN: Shqipëria është pjesë e koalicionit kundër ISIS-it, së bashku me një grup shtetesh të tjera, rreth 60, prandaj unë doja të kuptoja nuancat, shtresat e angazhimit tuaj në këtë koalicion. A mund të na përshkruani masën e mbështetjes së Shqipërisë në këtë pikë?

Bushati: Shqipëria ka bashkë-sponsorizuar Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftëtarët e huaj terroristë dhe, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA, përgjigja e qeverisë sonë ka qenë e gjithanshme, ashtu siç ishim të sigurt që do të ishte. Ne e kemi ndihmuar prej kohësh qeverinë irakiane nëpërmjet dërgimit substancial të armatimeve dhe municioneve, si dhe kemi ndërmarrë masa për të dekurajuar fenomenin e luftëtarëve të huaj. Por mos harrojmë dhe masat parandaluese. Në Shqipëri ekziston një bashkëjetesë e konsoliduar fetare, e cila u tregua edhe gjatë vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, përpara pak javësh. Ne kemi punuar shumë me të gjithë përfaqësuesit më të lartë fetarë në vend për gjetjen e një përgjigjeje efikase, me qëllim parandalimin dhe çradikalizimin. Por ne nuk jemi të vetëm në këto përpjekje. Flasim për një fenomen botëror, i cili…

CNN: Keni shumë të drejtë kur thoni se ju nuk jeni vetëm. Ju nuk jeni gjithashtu i vetmi vend me shumicë myslimane, shumica e të cilëve sunitë me sa kuptoj. Sa shqetësim, sa debat ka mbi rreziqet e një lufte kundër grupit sunit mysliman me të cilin ju jeni përfshirë dhe sa të shqetësuar jeni për rrezikun e një sulmi në vendin tuaj? Kjo është padyshim diçka që të gjitha vendet që i janë bashkuar koalicionit duhet ta marrin në konsideratë.

Bushati: Më lejoni të jem shumë i qartë. Shqipëria është një vend evropian, një vend laik, ku ka një ndarje të qartë të çështjeve fetare nga ato shtetërore. Ne jemi një shoqëri ku evropianët myslimanë dhe ata të krishterë jetojnë në paqe dhe në harmoni. Ne nuk ndjehemi të rrezikuar. Sigurisht, duhet të kuptojmë që ky nuk është një fenomen shqiptar, ky nuk është një fenomen ballkanik, çka do të thotë që Ballkani nuk është burim luftëtarësh të huaj të rinj, por ekziston një element i vërtetë rreziku dhe unë mendoj që të gjitha vendet e Ballkanit, edhe për shkak të vendndodhjes gjeografike, mund të jenë të rrezikuara, sidomos nëse flasim për kthimin e këtyre luftëtarëve të huaj në vendet e tyre të origjinës. Këta të fundit mbartin pa dyshim një rrezik, sidomos aty ku strukturat shoqërore janë të pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është ende i paformuar ose ku ka përbërje të ndërlikuar fetare dhe etnike, siç është rasti i Ballkanit, dhe për këtë çështje nuk ka përjashtime më duhet të pranoj.

CNN: Nëse mund t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje. Mjaft interesante ka qenë edhe përfshirja e gjerë e Shqipërisë. Në shtator, ju thatë se i keni ofruar deri në 22 milionë fishekë dhe 32.000 predha artilerie forcave kurde. Fqinjët tuaj gjithashtu kanë kontribuar për koalicionin, por gjithsesi përfshirja / angazhimi i tyre është më i vogël. Ju ka habitur kjo?

Bushati: Siç e përmenda në fillim, ne jemi një vend që ka ofruar një paketë të konsiderueshme armësh dhe municionesh për qeverinë irakiane. Ne jemi duke punuar ngushtë me aleatët tanë të NATO-s dhe me qeverinë e SHBA-së në këtë drejtim. Kjo nuk është përfshirja dhe përpjekja jonë e parë ndërkombëtare, si një vend anëtar i NATO-s. Ne e dimë këtë, sepse kemi ardhur nga një regjim tradicional komunist dhe e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të luftosh për liri. Ne jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s në Ballkanin Perëndimor pasi Kroacia iu bashkua BE-së, kështu që në thelb, në një mënyrë apo një tjetër, ne jemi gjithashtu përgjegjës për të zgjeruar më tej demokracinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me vendet e tjera. Ky bashkëpunim është shtrirë edhe në organet e agjencive të zbatimit të ligjit, në shërbimet inteligjente, e në këtë mënyrë ne gjithashtu kemi testuar kapacitetet tona administrative, në mënyrë që të kontribuojmë për një kauzë globale. Kjo nuk ka të bëjë fare me Islamin, nuk ka të bëjë me një vend të caktuar, dhe ne nuk duhet të stigmatizojmë një vend apo komb të veçantë për këtë gjë. Që në fillim, kjo ka qenë filozofia jonë kur jemi angazhuar me qeverinë e SHBA-së dhe të tjerët në këtë përpjekje ndërkombëtare.