Bisedë nostalgjike me arbëreshin nga Zara
Është ndjenjë e veçantë të bisedosh me një arbëresh të Zarës në Çarshinë e Shkupit. Bisedën e zhvillojmë herë në shqip e herë kroatisht, mirëpo nuk e kemi vështirë të kuptohemi. Biseda me Ivica Mateshiqin është e këndshme që nga fillimi. Ai është atashe ushtarak i Kroacisë në Maqedoni, prej ku mbulon edhe Shqipërinë dhe Kosovën.
“Këtu ndihem si nshpinë time. Unë jam kroat i cili është krenar me prejardhjen shqiptare. Jeta më pëlqen shumë në Shkup. Kam pasur mundësi të shkoj me detyrë në Poloni, mirëpo e kam zgjedhur Shkupin perse ktu po ndihena ma mirë. Jam edhe më afër shtëpisë”, thotë ai. Herë flet arbërisht, herë në gjuhën letrare, e herë kroatisht. Përveç se është ushtarak, ai është edhe shkrimtar, prandaj e din se çka i intereson më së tepërmi një gazetari shqiptar në këtë bisedë. Ja fillon vetë, pa i parashtruar pyetje.
“Vij nga Arbanasi i Zarës. Dikur ka qenë fshat, mirëpo tani është bë gati qendër e qytetit. Aty jetojmë 3.000 arbëreshë. Vaj (gjithmonë) kemi kjan aq. Edhe kur kemi ardhë nga Shqipëria në vitin 1727 kemi qenë 3.000 edhe tani jemi aq. Shum kan shku në migrim, në Australe, Itole, Amerik, Gjermoni…Ka arbëresh edhe në vende tjera të Kroacisë. Edh në Zemunik ka gati 3.000. Është interesant se ne në Arbanas më shumë e kemi ruajtur gjuhën, kurse në Zemunik gjuhën gati e kanë harruar krejt, por më tepër se ne i kanë ruajtur mbiemrat arbëreshë”, rrëfen Mateshiq.
Ai ka sens të shkëlqyer për humor dhe gjatë tërë kohës sa flet njëkohësisht edhe qeshet. Buzëqeshja e tij humbet vetëm kur me nostalgji flet për fëmijërinë në Arbanas.
“Sa herë që shkoj në Arbanas, e vizitoj edhe shtëpinë tonë plakë (të vjetër). E shikoj dhe habitem ku kemi rronjur gjithë ata fëmijë në atë shtëpi të vogël. Ne, lalat (xhaxhallarët), fëmijët e lalave. Gjyshja dhe gjyshi. Pyetem si na ka nxënë të gjithëve ajo shtëpi. Kemi lozur, kemi këndonjur këngë arbëreshe…”. dhe pak para se ti paraqiten lotët e nostalgjisë, i jep bisedës ton tjetër. “Unë kamë qenë shumë lozonjar, problematik”, vazhdon të qeshet. “Gjyshja ime me tallje më thonte ti ke dreqin në bark. Kurse gjyshi…gjyshi më thonte ti ke flutura në kokë, sepse fluturon pa ndalur”.
Skena kulturore e Zarës, Dalmacisë por edhe e Kroacisë nuk mund të paramendohet pa kontributin e arbëreshëve. Nga gjiri i tyre tanë kanë dalur emra të njohur që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në të gjitha fushat e jetës kroate.
“Në Arbanas është themeluar shkolla e parë për mësues në Dalmaci. Nga kjo shkollë kanë dalur figura të shquara kroate si shkrimtari Vlladimir Nazor, Hrvoje Macanoviq-babai i gazetarisë sportive kroate, shkrimtari i njohur shqiptar Josip rela, Augustin Stipçeviq i njohur me veprën “Trilogjia Arbëreshe”, albanologu i njohur, Aleksandar Stipçeviq. Në Arbanas është themeluar partia e parë e vërtetë kroate në Dalmaci– Partia për drejtësi, e Ante Starçeviqit. Lala Shime Duka ak qenë sekretar i arkivit të Papës në Vatikan. Ivan Prenxha ka qenë episkop në ipeshkvin e Zarës. Dr. Ivo Peroviç ka qenë Ban i Banovinës kroate në vitin 1937. Basketbollisti i njohur Josip Gjergja ka qenë Arbëresh. Josip Beba Gjergja, ministër i jashtëm i Jugosllavisë në kohën e Titos”, numëron pa ndalur Mateshiq figurat e shquara arbëreshe në Kroaci.
“Tani arbëresh më i njohur në politikë është nënkryetari i HDZ-së dhe ish ministri Bozhidar Kalmeta. Mbiemrin e ka nga fshati Kalmetë në Shkodër”, shton ai.
Gjatë kohë së Jugosllavisë, arbëreshët kanë qenë njësoj të përndjekur, sikurse shqiptarët në viset tjera. Shembull konkret është sociologu i njohur, Kruno Krstiq.
“Kruno Krstiq, një nga sociaologët më të mëdhenj dhe autor i enciklopedisë, poashtu ka qenë arbëresh. Ai e ka përgatitur Fjalorin e dallimeve mes serbishtes dhe kroatishtes dhe për këtë arsye është dënuar me burg, sepse shkak se në atë kohë thuhej se serbishtja dhe kroatishtja janë një gjuhë. Kanë dashur ta dënojnë me vdekje, por e ka shpëtuar Vlladimir Nazori. Në fillim të viteve të 80-ta ka botuar veprën për ardhjen e arbëreshëve në Zarë dhe Fjalorin Arbëresh. Sërish i janë bë presione nga qarqet serbomadhe duke e akuzuar se nacionalizmi sërish po çon kokë në Jugosllavi. Thuhet se si rezultat i këtyre presioneve edhe ka ndërruar jetë”.
Nuk harron të flasë edhe për përvojën e tij në luftën kundër forcave serbe, për pavarësimin e Kroacisë prej Jugosllavisë (Domovinski Rat). Nga ajo kohë buron edhe dëshira për t’u marrë me letërsi, sepse ka shkruar dy vepra me poema dhe 6 vepra me tregime, kuhtuar pikërisht kësaj lufte.
“Arbëreshët dhe shqiptarët ishin të parët që iu përgjigjen ftesës për të mbrojtur Zarën. Kam pasur fatin të kemë shumë bashkëluftëtarë shqiptarë, duke filluar nga legjenda jonë, gjenerali Rrahim Ademi, pastaj Agim Çekun, Kadri Kastratin, e shumë të tjerë. Kemi dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, rrëfen Mateshiq.
Para luftës ai ka kryer Shkollën e komunikimit turistik në Zarë, kurse pas luftës i është përkushtuar shkollimit ushtarak, falë të cilit ka arritur në postin e Atasheut ushtarak që e ka sjellë në Shkupin ku ndihet si në shtëpinë e tij. (LAJM)