Babait kosovar nga Zvicra nuk i lejohet bashkimi familjar me tre fëmijët
17:48:31 2018-02-19
Gjykata administrative e Bernës ka refuzuar ankesën e një babai kosovar nga Zvicra, pasi nuk ka mundur ta bindë nëse fëmijët e tij po përkujdesen mjaftueshëm në vendlindjen e tij.
Nga mesi i viteve të nëntëdhjeta, ai ka ardhur në Zvicër si azilkërkues, duke u martuar me një shtetase zvicerane. Vetëm një vit pasi u pajis me lejeqëndrim të rregullt, bashkëshortësia u shkurorëzua.
Po atë muaj, kosovari u martua me një bashkëkombase në vendlindje dhe kjo bashkëshortësi zgjati tre vite, me ç`rast lindën tre fëmijë, përkujdesjen e të cilëve e fitoi babai. Pasi u kthye në Zvicër, në shtator të vitit 2009, babai parashtroi kërkesë për bashkim familjar me tre fëmijët e vet.
Kërkesa e tij nuk u shqyrtua përfundimisht, pasi mungonin disa dokumente. Pesë vite më vonë, rasti ka marrë një zhvillim të ri, ndërsa babai me një partnere është duke jetuar në Emmentalin e Poshtëm të Zvicrës. Në verën e vitit 2016, Enti kantonal i migrimit të Bernës, kosovarit ia ka refuzuar vizën afatgjate për tre fëmijët e vet. Me këtë rast, ai ka parashtruar ankesë para Gjykatës administrtaive.
Gjykatësit e Bernës nuk e kanë shqyrtuar më ndryshe situatën aktuale të fëmijëve. Sipas tyre, mbetet e paqartë nëse fëmijët në Kosovë pas ndarjes janë rritur tek gjyshërit, apo tek xhaxhai.
Gjithashtu mbetet e paqartë, nëse situata e përkujdesjes së fëmijëve ka ndryshuar, shkruan „Berner Zeitung“, përcjellë Shtegu.com. Babai e ka argumentuar kërkesën e tij, duke pohuar se fëmijët e vet nuk do të mund të përkujdesen mjaftueshëm në vendlindje.
Drejtorisë së policisë dhe ushtrisë kantonale, si Instancë paraprake, i mungojnë dëshmi të sakta lidhur me këto të dhëna. Integrimi i fëmijëve në Zvicër do të shoqërohej me vështirësi të mëdha, ndërsa ata tani janë të moshës 17, 15 dhe pothuajse 14-vjeçare.
Mu për këtë arsye, Gjykata e ka refuzuar ankesën e babait kosovar, i cili do të duhet t`i paguajë shpenzimet gjyqësore në një shumë prej 3.000 frangave zvicerane. Vendimi ende nuk është i plotfuqishëm. (Shtegu.com)