Austriakët me tullumbace kundër dëbimit të një familjeje kosovare
Një familjeje shtatantarëshe nga Kosova, me vendbanim në Lauterach të Austrisë, është duke iu kërcënuar dëbimi. Vendimi përkatës tashmë është sjellë. Paraprakisht, nxënësit austriakë kishin protestuar me tullumbace kundër dëbimit të familjes kosovare.
„Duke filluar nga 15 gushti i këtij viti, familja kosovare ka 14 ditë afat për të lëshuar vullnetarisht Austrinë, përndryshe ata do të dëbohen“, ka deklaruar Bettina Miltner, mësuese e shkollës së mesme në Lauterach. Zonja Miltner tashmë disa muaj është duke u përkujdesur për familjen në fjalë: Dy nga fëmijët janë duke e vijuar shkollimin në Lauterach, janë të integruar shumë mirë dhe kanë krijuar miqësi të reja. Familjes nuk i mbetet gjë tjetër, përpos gjashtë javëve afat për të parashtruar ankesë rreth vendimit.
Vendimin e autoriteteve austriake, mësuesja e konsideron si të dyshimtë, i cili referohet në mungesën e njohurisë së gjuhës gjermane. Kjo gjë e injoron plotësisht faktin se e tërë familja ka kryer kurset e nevojshme të gjuhës. Përpos kësaj, prindi i familjes në Kosovë rrezikohet me gjakmarrje për shkak të një grindjeje familjare. Për shkak të prolongimit të dëbimit me rastin e shtrimit të babait në spital, ai tashmë përsëri është dërguar për shërim të sërishëm.
Për herë të fundit, avokati austriak i fëmijëve, Michael Rauch kishte paralajmëruar se dëbimi i familjes kosovare i lëndon të drejtat e fëmijëve. Në procesin e shqyrtimit të kërkesës për azil, sipas tij, nuk janë shqyrtuar sa duhet aspektet e të drejtave për fëmijë.
Qysh nga fillimi i muajit qershor, nxënësit e shkollës së lartpërmendur kishin lëshuar në ajër tullumbace në shenjë përkrahjeje për familjen kosovare. Disa video dhe lutje të tjera u ishin drejtuar kryetarit austriak Heinz Fischer, ministres së Brendshme Johanna Mikl-Leitner (ÖVP) dhe autoriteteve federale austriake, të cilave u kishin paraprirë tullumbacet e lëshuara në ajër. Miltner është duke ndërmarrë gjithçka për të tubuar sa më shumë përkrahës të familjes kosovare, të cilët do të pengonin dëbimin evetual të saj.