Atje ku guri peshon më rëndë

74 Lexime

Me protagonistin e librit “7 Brüder, 7 Schwestern: eine kosovarische Familie in der welt” (Shtatë vëllezer e shtatë motra: Një familje kosovare nëpër botë), në takimin përshëndetës, me rastin e kthimit në vendlindje pas më tepër se 40 vite mërgim të rëndë. Ishte një kohë kur çdo gjë që ishte shqiptare, mallkohej dhe dënohej me burgim të rëndë nga klika jugosllave. Por Remziu gjithnjë gjente guxim, kohë dhe humanizëm për tu dalë në ndihmë bashkatdhetarëve, Ishte iniciator i krijimit të shumë shoqatave politike e shoqërore, njëri ndër aktivistët më të njohur të kryeqendrës helvete, donator i palodhshëm i ndihmave për skamnorët, por para së gjithash ishte një personalitet me virtyte e tipare të shkelqyeshme njeriu. Tani, përgjithmone i jep lamtumirën Zvicrës, për tu kthyer atje ku guri peshon më rëndë, në vendin prej nga u shpërndanë shtatë vëllezërit e shtatë motrat, ndoshta për t`i ribashkuar përsëri.

Të rikujtojmë historinë e Remziut dhe idenë për botimin e librit:

Historia e Hasbisë nuk dallon shumë nga ato të shqiptarëve të cilët u rritën në kushte të vështira. Ishin vitet ’60 kur në moshën 15-vjeçare ajo do ta vinte shaminë e kuqe në kokë, pasi prindërit kishin vendosur ta martonin.

As Vahidi nuk e kishte më të lehtë fëmijërinë. Ai kishte përfunduar vetëm katër vjet të shkollës fillore dhe kur i mbushi 18 vjet i duhej të shkonte ushtri. E Remziu në moshë të re kishte shkuar në Austri që të fitonte para për të mbajtur familjen. Por jeta në kurbet nuk ishte e lehtë siç e kishte menduar. Nuk e kishte të lehtë të gjente punë. Kimetja kishte përjetuar periudhën e vështirë të kohës kur Kosova kishte humbur autonominë e saj. Kreu shkollën në shtëpi private.
Këto personazhe mbase me histori të ndryshme kanë një gjë të përbashkët: janë motra e vëllezër të një familjeje të madhe prej katërmbëdhjetë fëmijëve.

Tregimet e familjes Reka nga Kaçaniku janë të përmbledhura në një libër të vetëm. “7 Brüder, 7 Schwestern: eine kosovarische Familie in der Welt” (7 vëllezër, 7 motra: një familje kosovare në botë), është libri i shkrimtares zvicerane Elizabeth Kaestli, të cilin ajo e kishte promovuar në dhjetor të vitit 2013 në Graçanicë. Nën dritën e një llambe, në një prej lokaleve në kryeqytet, në kuadër të “Ditëve të gjuhës gjermane”, që po mbahet në Kosovë, ajo lexoi pjesë nga libri i saj. Me këtë rast ajo tregoi se kontaktin e parë me këtë familje e pati në Maqedoni pasi kishte shkuar në kampin e refugjatëve në rolin e gazetares, profesion që ajo e ushtroi prej vitit 1973, përderisa ka kryer studimet për përkthim në Gjenevë e në Triestë.
Remziu ishte ai me të cilin ajo ishte takuar dhe që aty do t’i lindte ideja për ta shkruar këtë libër.

“Më lindi ideja për një rrëfim të tillë, sepse më duket sikur e kam gjetur Kosovën në një familje të vetme”, ka thënë Kaestli, e cila me këtë libër kishte edhe një synim: të thyejë paragjykimet.
“Mendoj se njerëzit që e lexojnë këtë libër e kuptojnë se sa e vështirë ka qenë dhe është jeta e kosovarëve. E kuptojnë se jo të gjithë kosovarët janë ashtu siç shkruajnë gaztat zvicerane. Mendoj se leximi i historive të kësaj familjeje të jep një pikëpamje tjetër. Por natyrisht se është një numër i vogël i zviceranëve që e lexojnë këtë libër. Njerëzit fatkeqësisht kanë shumë paragjykime”, ka thënë Kaestli, fill pas përfundimit të leximit të disa pjesëve nga libri në gjuhën gjermane. Për herë të parë e solli librin në Kosovë në fund të vitit të kaluar. Kaestli në një intervistë për gazetën kishte thënë se “Shtatë vëllezër e shtatë motra…” pasqyron “një anë tjetër të kosovarëve që jetojnë nëpër botë”.

Në kapitullin e parë të këtij libri autorja përshkruan jetën e familjes Reka gjatë viteve ’60. Duke qenë se familja jetonte në Kaçanik, mbijetesa e vetme e tyre ishte shitja e drunjve, e paratë e mbledhura nuk do të mjaftonin as për të mbijetuar më shumë se një javë. Kjo gjendje edhe kishte bërë që familja Reka të shpërndahet në vende të ndryshme nëpër botë, në Zvicër, Gjermani e deri në Kanada. Kaestli (69), përveç “7 Brüder, 7 Schwestern…” është autore edhe e librit “Gratë në Kosovë: rrëfime nga lufta dhe rindërtimi” i botuar në vitin 2002 dhe “Varrezat dhe urat: miqësitë para dhe pas luftërave në Ballkan”.