Në një postim të Facebook-ut, është paraqitur një shoqatë gjermane e cila ka apeluar që sa më shpejt të merren nën përkujdesje qentë endacakë në Maqedoni. Shoqata është formuar në Wolfsburg të Gjermanisë dhe ka për qëllim të përkujdeset me kafshët endacake nëpër rrugët e Maqedonisë. Për momentin, ajo është duke përkrahur shoqatën nga Velesi “Animals Voice”, e cila disa herë i ka bërë apel për të ndihmuar.

Apelit i është përgjigjur udhëheqësja e shoqatës, Yvonne Staudinger e cila ka pohuar se është duke ndihmuar në përkujdesjen e kafshëve nëpër rrugë. Të gjitha kafshët dërgohen tek veterineri në Shkup ku marrin përkujdesjen e duhur, duke pranuar ushqim të rregullt dhe pije, ndërsa shumica e tyre marrin ushqim dhe vitamina shtesë. Po të jetë nevoja, ato pranojnë edhe medikamente të ndryshëm dhe terapi.

Në shumicën e rasteve, kur kafshët janë aksidentuar me ndonjë automjet apo tren dhe u janë amputuar gjymtyrët, ato dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Angli apo Francë, përcjellë “Shtegu.com”. Në të shumtën e rasteve, kjo shoqatë ballafaqohet me mungesë të mjeteve financiare, prandaj ajo apelon tek qytetërt gjermanë që të dhurojnë mjete financiare.

Gjermanët më së shumti i ka tronditur një pasqyrë e një deponie të mbeturinave në afërsi të Velesit, në të cilën janë duke luftuar për ekzistencë mbi njëqind qenë, të shkëputur nga qytetërimi. Ushqimi i tyre i vetëm janë mbeturinat dhe coftinat e kafshëve (qenë, derra etj.”), ndërsa mbetet e paqartë se prej nga e marrin ujin, pasi në afërsi nuk ka ndonjë lumë apo përrua. Deponia digjet dy herë në vit dhe për kafshët është një katastrofë e vërtetë.

Kafshët atje trajtohen si mbeturina dhe në raste më të këqinj, ato digjen për së gjalli. Ato janë të sëmura, të plagosura, me gjymtyrë pjesërisht të sakatosura. Me këtë rast, shoqata ka bërë apel që sa më shpejt të ndihmohet nga shtetasit gjermanë! (Shtegu.com)