17:21:29 2017-08-26
Policia e Kosovës dhe pjesëtarë të zjarrfikësve janë detyruar të intervenojnë për të nxjerrë nga vetura një grua e cila besohet se ka qëndruar e ngujuar në kohën kur burri i saj ka shkuar në xhami.
Rasti ka ndodhur në parkingun e një marketi në Gjilan, dhe është njoftuar nga një dëshmitar i rastit në një grup të feminizmit.
Sipas dëshmitarit, gruaja ka nisur që të mos ndihet mirë për shkak të temperaturës së lartë brenda në veturë, dhe nuk ka mundur të hapë ndonjë xham të veturës.
Aty janë afruar njerëz të tjerë, para se të vinin njësitë e policisë dhe zjarrfikësve.
“Tipi e ka parku kerrin në ETC, e ka mshel grujen në kerr, edhe ka shku mu fal në xhami, si te premteve qysh ju zgjat ma shumë. Ajo gruja për shkak temperaturës, ka nis mu ndi në siklet edhe ka fillu me met pa frymë, asnjë xham s’ka mujt me qel, edhe e ka kap panika, njerzit tjerë o deshtë me ndërhy”, tregon ngjarjen dëshmitari, shkuan Gazeta Express.
“Kan ardhë zjarrfikësit, bashkë me ambulantën e policinë, tipi u kthy prej xhamisë, tani tu kqyrë me rre grujen para krejt atyne njerëzve që jon mbledh aty”, rrëfen tutje i njëjti dëshmitar.
Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin. Shaban Azizi nga Drejtoria Rajonale në Gjilan për Insajderin ka thënë se gruaja nuk ka probleme shëndetësore dhe rasti po vazhdon të hetohet.
Ai ka thënë se burri dyert e veturës i ka mbyllur nga pakujdesia ndërsa është e mundshme që gruaja nga paniku nuk ka arritur t’i hapë ato nga brenda. (Insajderi)