Vallë a i ka shkuar mendja ndokujt se nëpër rrugët e rajonit të Bödeli në Zvicër, mund të shëtitesh me karrocë kuajsh të drejtuar nga shqiptari Lush Nushi. Nga një zgjidhje e përkohshme, tashmë janë bërë 23 vite të tëra: Për një periudhë kaq të gjatë, Lush Nushi është duke e drejtuar karrocën e tij nëpër Bödeli, duke i shëtitur turistët e huaj. Gjatë një rrugëtimi në karrocën e tij, gazetarët zviceranë kanë mësuar se si ka ardhur deri te kjo punë, cilat kanë qenë baticat më të mëdha dhe përse ai i gëzohet pensionimit të tij

Njeriu i cili ka shëtitur turistët e panumërt me karrocën e tij nëpër rajonin Bödeli është shqiptari Lush Lushi. Orari i tij fillon në ora 6.30 të mëngjesit, mu atëherë kur shumica e nëpunësve nëpër zyra ngriten nga shtrati dhe bëhen gati të shkojnë në punë. Ai e rregullon ahurin, e pastron vendin dhe i ushqen kuajt. „Gjithnjë ka diçka për të bërë“, deklaron ai. Udhëtimet e para i bën zakonisht pasi e ha mëngjesin, atëherë kur edhe për turistët fillon dita e re. Për udhëtimin e jashtzakonshëm me gazetarët zviceranë, ai e ka përgatitur kalin e tij më të preferuar: Leika. «Një kalë i mirë», rrëfen ai gjatë udhëtimit. është dhjetëvjeçare dhe është një kafshë shumë e urtë. Shumica e kuajve nuk e durojnë zhurmën e makinave dhe mund të tremben, por me Leika nuk mund të ketë probleme.

Gjatë sezonit të verës ndodhin udhëtimet më intensive të turistëve me kuaj, ndërsa gjatë këtij viti, më së shumti kanë qenë arabët të cilët e kanë shfrytëzuar karrocën e tij, më pas holandezët, francezët dhe gjermanët. Nuk ka kurrfarë rëndësie se çfarë gjuhe flasin ata, Lushi mundohet në mënyrën e tij tu shpjegojë për rajonin. Në një gjuhë të çalët gjermane dhe angleze, ai u rrëfen turistëve se çka u ofron qyteti i Interlaken. Por, gjatë këtij viti, ai e ka vërejtur frekuencën e dobët të turistëve. «Në një ditë të bukur vere, unë i realizoj ndoshta gjashtë udhëtime», vazhdon ai. Për shkak të vlerës së madhe të frangut zviceran, apo ndoshta për shkak të verës së dobët. Para disa vitesh, ai kishte realizuar dhjetë deri njëzet udhëtime në ditë, ndërsa punën e kishin përfunduar vonë në mbrëmje.

Lushi është njëri ndër bashkëpunëtorët më të besueshëm të sipërmarrësit të kuajve Ernst Voegeli, edhe pse ai e filloi këtë punë vetëm si një punë të përkohshme. Para 33 vitesh, ai kishte ardhur nga Kosova në Zvicër me familjen tij dhe në atë kohë punonte në hotelieri. Puna e tij e mëtutjeshme hotelierike është shtrirë pothuajse në të gjithë Zvicrën gjermanofolëse, derisa nuk është vendosur përfundimisht në këtë rajon. Duke punuar edhe më tej në hotelieri, atij i sëmuret babai dhe është i detyruar të shkojë në Kosovë. Pas kthimit nga Kosova, Ernst Voegeli i ofron punë si karrocier. «Në atë kohë mendova, do të punoj një vit apo dy, përderisa nuk e gjej ndonjë punë tjetër», shton Lushi. Prej atëherë, kanë kaluar 19 vite dhe ai asnjëherë nuk u nda nga karroca e tij. Lushi është duke e pritur me padurim pensionimin e tij, pasi atëherë do të ketë më shumë kohë për të shikuar ndeshjet e djemve të tij në futboll, sport të cilin e luajnë që të dy. Zefi, më i riu, para pak kohësh është transferuar nga FC Interlaken në ekipin Rothorn, ndërsa Kristiani, më i moshuari, tashmë është një emër i njohur në futbollin profesionist zviceran dhe luan në ekipin e FC Winterthur.

Në kohën kur ndeshjet luhen gjatë fundjavës, shumica e mysafirëve duan të bëjnë shëtitje me karrocën e tij, prandaj ai nuk mund t`i përcjellë ndeshjet e futbollit. Pas përfundimit të udhëtimit me karrocë, kuajt lirohen nga karroca dhe Lushi përkujdeset për ta. „Nuk është mirë që kali të qëndrojë rregullisht në karrocë dhe të mos mund të lëvizë i lirë“, u shpjegon ai gazetarëve zviceranë. Gjatë punës së tij shumëvjeçare, ai përmend edhe raste të veçanta, si për shembull pjesëmarrja e tij si statist në një film të njohur. Tashmë, udhëtimi i gazetarëve zviceranë ka përfunduar dhe kali përsëri vendoset në ahurin e tij. Udhëtimin tjetër, ai do ta bëjë me ndonjë kal tjetër.