U12 e KF “Fortuna 2009” nga Hasanbegu me të drejtë mban epitetin e ambasadorit të zonës së Karadakut. Me rezultatet e shënuara në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare kanë lënë gjurmë të pashlyera, ndërsa rekordet e tyre për gjatë kohë nuk do të mund t`i thyej asnjë skuadër. Ngjyrat e kësaj skuadre janë duke i mbrojtur fëmijë nga vendbanimet- Hasanbeg, Haraçinë, Straçincë, Inxhikovë dhe Matejç (komuna e Likovës).

KF “Fortuna 2009” nga Hasanbegu, gjenerata U12, e përfundoi pjesën e rregullt të kampionatit pa asnjë humbje. Shpresat e futbollit të kësaj skuadre që vijnë nga rajoni I Karadakut të Shkupit dhe Kumanovës, kanë 18 fitore në 18 ndeshjet e zhvilluara në pjesën e rregullt të Ligës së Fëmijëve në Futboll, që zhvillohet nën ombrellën e FFM-së. “Fortuna 2009”, drejtohet nga trajnerët prof.dr. Kenan Asani dhe Safet Ademi dhe synon edhe në “play-off”, të vazhdojnë me këtë ritëm dhe për herë të parë një klub nga kjo zonë e Karadakut të fitojë titullin e kampionit shtetëror në futboll për grupmosha të reja.
Gjatë një sezoni garash në Ligën e Fëmijëve, U12 e “Fortuna 2009” nga Hasanbegu ka arritur të thyej një sërë rekordesh të këtyre garave. Ndërsa ne kemi veçuar disa nga ata që janë më të rëndësishëm.
1. Në 18 ndeshje shënoi po aq fitore
2. Një sezonë të plotë pa humbur në ndeshjet zyrtare
3. Fitoren më të lartë e shënoi me rezultat 26:0
4. Skuadra e parë që në sezonë ka shënuar më shumë se 100 gola
5. Golaverazhin më të madh 128:19 ose plus 109 gola
6. Tre futbollistët e saj Behar Fetahu (30) Xhemil Jahii (35) dhe Mehmed Bafqari (18) shënuan 83 gola

“Fortuna 2009”, mbetet në pritje të mësimit të emrit të skuadrës kundërshtare për në “play- off”. Pikërisht “Fortuna 2009” është një ambasador i vërtetë i rajonit të Karadakut, pasi ngjyrat e kësaj skuadre po i mbrojnë fëmijë nga vendbanimet- Hasanbeg, Haraçinë, Straçincë, Inxhikovë dhe Matejç (komuna e Likovës).
Për në fund të theksojmë se të gjitha këto rezultate janë arritur në saje të kontributit të pashoq të banorëve dhe prindërve të rrethinës, duke sanuar stadiumin dhe përkrahur materialisht fëmijët që rregullisht janë te detyruar të anulojnë ftesat nëpër turne të ndryshme për shkak të gjendejes së dobët financiare të klubit. Të besojmë se së shpejti edhe kjo gjendje do të tejkalohet dhe klubi të fitojë një mbështetje më të gjerë të sportdashësve.