Dy themeluesit e revistës Shenja Afrim Gashi dhe Zeqirija Ibahimi kanë hequr dorë nga revista, por edhe nga portali shenja.mk, për shkak të angazhimeve të tyre në lëvizjen politike ‘Besa’, duke ju lënë hapësirë të tjerëve që ta ruajnë neutralitetin e revistës, që pa bagazh politik do ta vazhdojnë këtë projekt.

Lexoni më poshtë qëndrimin e plotë:

Zeqirija Ibrahimi & Afrim Gashi

Kur e filluam përgatitjen e këtij numri të revistës “Shenja”, megjithëse kishim shumë tema aktuale, që nga mosformimi i qeverisë së Kosovës, e deri te problemet globale në Lindjen e Mesme e gjetiu, e pranojmë se nuk e kishim marrë me mend se megjithatë tema qendrore e muajit tetor do të ishte ndeshja e futbollit mes kombëtares shqiptare me atë serbe. Jo që ne ishim aq shumë optimistë sa të besonim se “përballjet” serbo-shqiptare kanë përfunduar, siç pretendonin shumë komentatorë të Republikës së Shqipërisë, por kishim bindjen se, derisa ajo ishte një ndeshje futbolli nën mbulesën e UEFA-s, nuk kishte mundësi të eskalojë. Por, ja që kësaj radhe e kishim gabim, ngase pikërisht UEFA në dëshpëroi – ajo mori anën e Serbisë. Megjithëse Shqipëria ishte e detyruar të shkojë në Beograd pa tifozë, një rregull që vetë federata evropiane e futbollit po e shkelte, dhe, madje mezi të shpëtonte kokën, ajo doli – si thotë fjala shqipe – “edhe e fikur, edhe e koritur”: edhe e dënuar, edhe e rrahur, edhe e nënçmuar, edhe pa pikë. Sa keq që secilit shqiptar kështu iu vyshkën shpresat se Europa është burimi i drejtësisë! Prandaj, detyrimisht, një pjesë e temave të këtij numri i dedikohen pikërisht këtij momenti.

E, nëse në gjithë këtë “mort” megjithatë “u pamë”, ajo që vlen për t’u theksuar është se kjo përballje mbase ka ndikuar që bashkëkombësit tanë të Republikës së Shqipërisë, shumë nga të cilët asnjëherë nuk na kanë kuptuar se pse ne jemi në një konflikt shekullor me serbët, që përfundimisht ta marrin vesh se serbët nuk kanë problem vetëm me shqiptarët e Kosovës e me të Maqedonisë – atyre u pengon gjithçka shqiptare. Nëse kjo është arritur, megjithatë ia ka vlejtur “Beogradi”.

Dhe, derisa ne – në anën tjetër – po merreshim me konfliktin në Lindjen e Afërt, që nuk ka lënë pa prekur edhe mjedisin tonë, ndërsa kjo është reflektuar me disa arrestime në Shqipëri e Kosovë, duke ndërmendur se në këtë “fshat global” nuk ka më asgjë “përtej” dhe “larg” dhe duke përkujtuar se, për fat të keq, në mungesë të shteteve të mirëfillta e të fuqishme, edhe ne jemi bërë palë e konflikteve të tilla, ndodhi “Beogradi” dhe përsëri na fokusoi në tema ballkanike, për të na e kujtuar se sa “larg është Vjena dhe Stambolli” (D. Merlin) për ne. Kemi ende shumë punë me veten tonë.

Sidoqoftë, ky numër i Shenjës ka bërë përpjekje të japë një ndihmesë për ta kuptuar saktë se çfarë po ndodhë në Lindje të Afërt, që kështu – me aq sa ka ndikim – edhe kjo revistë të ndihmojë në perceptimin e drejtë të atij konflikti dhe të kontribuojë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve si popull se nuk kanë pse gjykojnë se edhe ata janë të detyruar të shkojnë atje, por për t’ua kujtuar edhe institucioneve shtetërore shqiptare në Kosovë e Shqipëri, por edhe atyre në Maqedoni, se duhet të punojnë më shumë në parandalimin e fenomeneve e jo vetëm në ndëshkimin e njerëzve që mund të kenë rënë në grackë të këtyre formave të indoktrinimit global.

Numri i nëntorit shënon edhe një moment tjetër me rëndësi për projektin medial “Shenja”. Pas 43 numrave, ne – dy themeluesit e kësaj reviste mbarëkombëtare: Afrim Gashi dhe Zeqirija Ibahimi – për shkak të angazhimit tonë në politikë, që ta ruajmë neutralitetin e revistës dhe të lëmë hapësirë që aty të angazhohen të tjerë, që pa bagazh politik do ta vazhdojnë këtë projekt, kemi vendosur të heqim dorë nga revista, por edhe nga portali shenja.mk.

Në këtë mënyrë dëshirojmë të përçojmë mesazhin se misioni jonë vazhdon në fushë tjetër, ndërsa “Shenja” e vazhdon rrugën e saj në mënyrë krejt të pavarur.

Mbetemi me shpresë se të dyja këtë projekte do ta gjejnë rrugën e tyre të suksesit!