“Puna e Pendimit. Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë, se kam bjerrë parrisin, kam merituar ferrin por ma fort se të kam fye Ty. O e mira e pambarueshme, që kaq fort më ke dashtë, më mëshiro Zot, më fal o Zot, po të jap fjalën, me ndihmën tënde që mos me të fye më kurrë”, thoshte Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Terezë.

Kjo është një nga provat e Nënë Terezës e cila dëshmon përkatësinë e saj etnike. Ajo gjatë marrjes së çmimit Nobel për paqe në vitin 1979, në shqip kishte deklaruar:

“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkut dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Por pavarësisht dëshmive, përkatësia etnike e Nënë Terezës vazhdon të fshihet duke u quajtur vetëm si shkupjania Nënë Tereza. “Nënë Tereza nuk flet shqip për autoritetet vendore të Shkupit. Në tabelat që mbajnë mbishkrime të thënieve të saj, përdoret vetëm se maqedonishtja dhe anglishtja”.

Institucionet heshtin për anashkalimin e shqipes në këto mbishkrime sikur edhe në emërtimin e shkollave, institucioneve, bulevardet, rrugëve që vazhdojnë të qëndrojnë vetëm se në maqedonisht. I vetmi është korridori 8 që mbishkrimin e ka edhe në gjuhën shqipe. Ky diskriminim që i bëhet Nënë Terezës, duke mohuar gjuhën amtare të saj në vendlindjen e saj, bie në kundërshtim me aktivitetin e saj humanist.

“Unë jam duke u lutur për ju. Zoti qoftë me ju”. /Alsat