12:34:29             2016-06-26

 

 

 

 

Kur po i shkruaj këta rreshta, mbi kufomat e Florentës 13 vjeçe  dhe Florentit, 11 vjeç, tashmë janë hedhur copat e dheut të varrit të tyre të njomë.

Familjarët po i qajnë me lot e bashkëmoshatarët e tyre po dënesin prej vajit fëminor.

Bashkatdhetarët janë të trishtuar!

Vetëm përgjegjësit e kësaj vrasje rrijnë nën hije, nuk mërziten, nuk derdhin lot, fëmijët e tyre i kanë të sigurt dhe në varrimin e Florentës e Florentit nuk kanë fytyrë të marrin pjesë.

E ata janë:

  1. Qeveria e Kosovës – Ministria e Planifikimot Hapësinor! A ka inspektor kjo Ministri? A del dikush në terren, përtej zyrave të tyre komode, që të shohin se si po e degradojnë dhe si po e shkatërrojnë natyrën individët dhe kompanitë e shumta anembanë Kosovës. Dilni more prej zyrës (mos dalshi kurrë!) e shkoni në Mramor, në Bjeshkët e Zatriqit, në magjistralen afër Klinës, në shtratin e Lumit Drini i Bardhë e në shumë e shumë vende të tjera e shihni se si po i shkretojnë bukuritë natyrore të Kosovës, individë e kompani të papërgjegjshme!
  2. Komuna e Prishtinës – Mos i fshehni letrat dhe kërkesat me shkrim të personave të kësaj ane të cilët kanë bërë kërkesë tash e sa kohë për mbylljen e kësaj grope tragjike. Mos i trajtoni qytetarët se “je me Isa Mustafën apo me Shpend Ahmetin!’. Florenta dhe Florenti janë fëmijë të komunës së Prishtinës e të Republikës së Kosovës. Vdekja e tyre do të duhej të ju trishtonte edhe juve në Komunë.
  3. Pronari i gropës tragjike. E di që e ke shitur pronën për ca lekë, por pse nuk je kujdesur për pronën tënde të shëmtuar nga blerësi. Ajo edhe më parë edhe tash në gjendje të shëmtuar është pronë e jotja. A je kujtuar ndonjëherë se në atë gropë ka mundur të bie edhe ndonjë fëmijë yti ose familjes tënde. Ajo më nuk është pronë jotja: është varri i Florentës dhe Florentit! E lashë shkret atë pronë!
  4. Kompania që ka hapur gropën. Ju pronarë të asaj kompanie që keni hapur atë gropë, mbajeni në mend gjithë jetën. Keni hapur varrin e Florentës e Florentit. Por ai që ia hap varrin tjetrit, bie vetë në atë varr! Kujdes, mos hapni varre se një ditë do të ju mallkojë Zoti dhe do të bini vetë në ato varre!

Këta janë përgjegjësit e vdekjes se Florentës e Florentit. Florenti e Florenta prej sot janë fëmijët e mi, janë fëmijët e Kosovës, janë dhembja jonë e përgjithshme!

 

 

Bota Press