Policia kroate ka konstatuar se ditën e mërkurë, një shqiptar po drejtonte një veturë Audi me targa italiane, përpara një veture tjetër të llojit BMW dhe si pararendës i jepte drejtuesit të BMW-së informacione për patrullimet e policisë në itinerar

Një shtetas shqiptar (29) u ndalua të premten pasi u konstatua se ai ndihmonte kontrabandën e njerëzve në zonën e Buzetit të mërkurën duke qenë pararendës i shoferit i cili doli nga rruga, iku dhe në veturë la gjashtë emigrantë të lënduar, njoftoi policia kroate, transmeton portali Shtegu.

Punonjësit e policisë vijojnë kërkimet për drejtuesin e një automjeti BMW me targa italiane, i cili pasi ka shkaktuar një aksident trafiku dhe ka dalë nga rruga është larguar me vrap dhe ka lënë në veturën e përmbysur me emigrantët nga Turqia, të cilët janë transportuar në spitalin e Rijekës.

Policët e Buzetit, në bashkëpunim me punonjësit e Policisë së Shërbimit kundër Krimit të Organizuar të Drejtorisë Policore, kanë kryer hetimin penal dhe kanë konstatuar se një shtetas shqiptar 29-vjeçar ka kryer veprën penale të hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të paligjshëm në Kroaci.

Policia konstatoi se të mërkurën, një shqiptar me veturë “Audi” me targa italiane, nga Rijeka përmes Buzetit, i paraprinte “BMW”-së , si pararendës i jepte shoferit të BMW-së, i cili po transportonte emigrantë, informacione për patrullimet e policisë në itinerar.
29-vjeçari i dyshuar, pas një hetimi penal, pasdite është dërguar në njësinë e mbajtjes në Drejtorinë e Policisë së Istrës.