Qysh si i ri, në mungesë të një perspektive në Kosovën e pasluftës, bashkatdhetari Fitim Gashi nga Begraca e Kaçanikut, përmes bashkimit familjar vendosi që fatin e jetës ta kërkojë në Gjermani. Në vitin 2012, ai vendoset në qytetin Spelle, ku fillimisht e mësoi gjuhën, rrethin ku banonte që më vonë të integrohej në mënyrë të shkëlqyeshme në shoqërinë gjermane. Në vitin 2014, Fitimi vendosi ta sfidonte vetveten, duke themeluar një kompani personale të specializuar në sistemin kabllovik.

Përkundër peripecive fillestare, Fitimi ishte këmbëngulës në synimet e tij për të arritur atë që e kishte planifikuar më herët. Aktualisht, kompania e tij “Gashi Garten- und Pflasterarbeiten” numëron 25 punëtorë, duke ia shtuar edhe njëqind të tjerë të huazuar, pasi kërkesa në këtë fushë është shumë e madhe, ndërsa nga ky vit ajo llogaritet si GMBH.

“Tenderët i marrim drejtpërsëdrejti nga Telekomi gjerman. Nga viti 2017 kemi filluar që të vendosim kabllo interneti nën tokë, ndërsa gjatë një viti arrijmë t`i shtojmë rreth 300 kilometra kabllo. Është një kompani bashkëkohore e cila merret me teknikën më të sofistikuar bashkëkohore për shpimin e tokës, edhe ate në thellësi deri në 200 metra. Përpos kësaj, merremi edhe me katrorë të vegjël asfalti”, thekson Fitimi enkas për portalin Shtegu.

Ambiciet e tij janë që të vazhdojë të zgjerojë kompaninë e tij dhe natyrisht të përcjellë trendin më të ri të punimeve në këtë drejtim.