Strugudica është një fshat në pjesën juglindore të Shkupit me një largësi prej rreth 30 kilometrash nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut. Sipas statistikës së vitit 2002, Strugudica ka numëruar 269 banorë, prej të cilëve vetëm njëri prej tyre maqedonas ndërsa të tjerët shqiptarë. Tani fshati ka mbi 400 banorë, ndërsa njëri nga ta është edhe Medin Elmazi.

Qysh i ri, Medini u dallua me zellshmërinë e tij për të arritur diçka në jetë. Pasi në kushte tepër të vështira, e kreu me sukses të shkëlqyeshëm shkollimin fillor me paralele të kombinuara, ai vazhdoi shkollimin e mesëm, duke mos iu dorëzuar asnjëherë katrahurave të jetës së vështirë në fshat. Më pas, ai vazhdoi me studime në Universitetin e Europës Juglindre në Tetovë, Fakulteti i Drejtësisë, për ta vazhduar dhe përfunduar më tej në USHT.

Mërgmi asnjëherë nuk i pëlqeu Medinit edhe pse dy herë e provoi fatin në Gjermani. Ishte i bindur se edhe në Maqedoni të Veriut, njeriu mund të punojë e të përparojë në secilën sferë që do të angazhohet.

Gjatë studimeve, ai mundohej të siguronte pak të ardhura për studime dhe të ndihmonte sadopak familjen e tij. Kështu, ai punësohet si arsimtar i paraleleve të kombinuara me nxënës në fshati malor Dobrinë, i cili tashmë është zhdukur nga harta gjeografike, për shkak të mosinteresimit absolut të pushtetarëve për banorët, informon portali Shtegu. Nga mësimdhënia e arsimtar Medinit dolën nxënës të suksesshëm me njohuri, bile njëri nga ta aktualisht është edhe studenti më i mirë në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Ishte një angazhim grandioz i tij për të mësuar nxënësit në Dobrinë e Gumalevë, duke udhëtuar në borë e në shi, në këmbë e me traktor, vetëm e vetëm që nxënësit e tij t` i pajis me dituri.

Mirëpo, ai u bind se ky profesion nuk ishte përkatës për të dhe vendosi që aftësinë e tij ta kërkojë në një sferë tjetër, atë të suvatimit. Me këmbëngulësi të pashembullt dhe me një punë të palodhur, ia doli ta profesionalizojë edhe këtë lëmi. Aktualisht, 34-vjeçari Medin Elmazi ka një kompani që numëron 12 punëtorë dhe me një tendencë për të shtuar ekipin e tij profesional në kompaninë “Medo Knauf”, për të cilën kualiteti i punës dhe respekti ndaj klientit janë primare.