Setki Ibraimi, asambleist në Stockerau të Austrisë

 

E bujshme është jeta e politikanit shqiptar nga Stockerau i Austrisë, Setki Ibraimi, i cili tashmë 30 vite jeton dhe vepron në këtë komunë. Setkiu është me prejardhje nga Siniçani i Tetovës, ndërsa e ka përfunduar shkollën e tregtisë. Në moshën 20-vjeçare, ai vendoset në Austri përmes bashkimit familjar. Si edhe shumica e mërgimtarëve tanë, edhe Setkiu nuk e kishte problem të madh të përsoste gjuhën gjermane dhe të integrohej fuqishëm në përditshmërinë austriake. Duke bashkëjetuar me shumë familje shqiptare në këtë komunë dhe duke dashur t`u vijë në ndihmë me potencilain e vet grandioz, Setkiu vendosi të merret edhe me aktivitete politike, të cilat në vitin 2016 rezultuan me zgjedhjen e tij si asambleist në Komunën Stockerau, nga Partia Popullore austriake ÖVP.

Setkiu nuk heziton në asnjë moment që të ndihmojë bashkatdhetarët sa u përket problemeve të ndryshmë që i tangojnë ata. Problemet me të cilat ballafaqohen ata janë lehtësimi i kushteve të çështjes banesore dhe lejeqëndrimi në vend, punësimi i tyre, përmirësimi i standardit jetësor të tyre etj. Me fjalë të tjera, Setkiu u vjen në ndihmë bashkatdhetarëve tanë që të mund të integrohen në shoqërinë austriake si është më së miri.
Në këtë kontekst, nuk mungon edhe bashkëpunimi me homologët e tij në Austri, siç është rasti me asambleistin Nisret Bujari në Baden etj.

Synimet e Setkiut nuk përfundojnë me kaq, ai dëshiron të vazhdojë t`i përfaqësojë edhe më tej shqiptarët në Austri me dinjitet dhe do të përpiqet të ngjitet edhe më lartë në skenën politike.

Në zgjedhjet e fundit, në qytetin e Stockeraus kishte ardhur edhe ish kryeministri austriak Sebastian Kurz, i cili u kishte dhënë përkrahje të madhe, ndërsa Setkiu e potencon këtë takim me shumë admirim. Të shpresojmë se Setkiun së shpejti do ta shohim në ndonjë post edhe më të lartë në politikën austriake.