Shtetasi belg i pranishëm në autobusin e aksidentuar në Bullgari është lënduar dhe po trajtohet në spital, kanë thënë të martën nga Ministria belge e Punëve të Jashtme në Bruksel.
Shtetasi bleg nuk ka vdekur. Shërbimi diplomatik belg i stacionuar në Sofje konfirmoi se një shtetas belg ishte i pranishëm në autobus në momentin e aksidentit. Gjendja e tij e saktë shëndetësore ende nuk dihet, shkruan “La Libre”, transmeton portali Shtegu.

Një aksident autobusi në Bullgari shkaktoi 46 viktima, duke përfshirë pesë fëmijë, gjatë natës nga e hëna në të martë, tha për radion kombëtare bullgare, Vladimir Krstevski, nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Sofje.

Sipas zëvendësprokurorit të përgjithshëm Borislav Sarafov, shumica e viktimave janë nga Maqedonia e Veriut. Megjithatë, shumë viktima ende nuk janë identifikuar zyrtarisht.
Tragjedia ndodhi rreth orës 02:00 (01:00 HB) në autostradën pranë fshatit Bosnek, 40 km në jug të Sofjes. Në autobus ishin pesëdhjetë pasagjerë dhe dy vozitës.

Sipas Ministrisë së Brendshme bullgare, autobusi i cili vinte nga Stambolli dhe ishte nisur për në Shkup nëpërmjet Bullgarisë, kishte targa maqedonase. Autobusi për arsye të panjohura është përplasur për barrierën në këtë pikë dhe ka marrë flakë. Pak nga pasagjerët kanë mundur t’i shpëtojnë zjarrit.

Vendi ku ndodhi aksidenti dihet se është i prirur për aksidente, tha kryetari i një komune fqinje për Radion Kombëtare Bullgare. Kryeministri i përkohshëm bullgar Stefan Janev shkoi menjëherë në vendngjarje. “Është një tragjedi e madhe”, tha ai, përpara se të shprehte ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.