Një zënkë e ndodhur kohë më parë në Zvicër, ka eskaluar në përdorimin e armëve në mes disa të rinjve në Viti të Kosovës. Sipas raportit policor, njëri nga të plagosurit në Viti ka humbur jetën

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi policor, Ismet Hashani i cili ka deklaruar se banori i Vitisë nuk u ka mbijetuar plagëve të marra nga arma e zjarrit.

“Dy të lënduar janë dërguar në spitalin rajonal në Gjilanit, ndërsa i treti është ndalur për trajtim mjeksor në emergjencën e Vitisë. Edhe përkundër ndihmës së mjekëve në qendrën emergjente në Gjilan, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit, njëri nga të lënduarit, banor i Vitisë ka ndërruar jetë”, ka deklaruar ai.

Deri më tani është arrestuar një person i dyshuar për pjesëmarrje në këtë rast, informon portali Shtegu.

Burime nga RTV Dukagjini kanë konfirmuar se mosmarrëveshja kishte filluar në Zvicër, ndërsa dëshmitarë të rastit kanë pohuar se që të dy veturat kanë qenë me autotarga zvicerane.