Kohë ma parë, kryebashkiaku i Komunës së Zelenikovës, Borçe Gievski kishte premtuar se pjesën e braktisur të Karshiakës, respektivisht fshatrat Dikavec dhe Dobrinë, do ta zhvillojë në një vend turistik. Premtimi i tij ishte se rruga do të shtrohet me asfalt, apo tampon. Ai fshatarëve ua ka siguruar vetëm një eskavator, me të cilin tani fshatarët në mënyrë vullnetare ia kanë filluar punës për ndërtimin e rrugës së premtuar.

Interesimi i fshatarëve për t`u kthyer në vendlindjen e tyre është i madh, por askush nuk qan hallin për ta dhe të harruar nga e gjithë shoqëria në Maqedoninë e Veriut, ata po përpiqen të realizojnë një “punë Sizifi”, të lënë tërësisht në harresë. Në këtë katrahurë mbijetese, nuk mungon as kontributi i vendasve që vite më parë kishin emigruar në Turqi. Njëri nga ta është edhe Mesut Aktash, i cili për të ndihmuar bashkëkombasit, ka ardhur enkas nga Turqia për të dhënë një kontribut sadopak të vogël në punën e rëndë fizike për rregullimin e rrugës.

Përkundër përjekjeve të “Shtegu.com” për të kontaktuar autoritetet komunale në lidhje me këtë çështje, deri më tani ata ende nuk janë prononcuar. Prandaj, fshatarët e shfrytëzojnë rastin për të kërkuar ndihmë financiare dhe fuqi punëtore, në mënyrë që këto dy fshatra të mos zhduken nga harta gjeografike.

 

Të interesuarit mund të ndihmojnë duke kontaktuar:

Naser Murati       070 817 152

Bujamin Bajrami 070 446 550