Një 41-vjeçar nga Kosova, të mërkurën u dënua me tre vjet burg në Gjykatën Rajonale të Feldkirchit në Austri, për trafikim të qenieve njerëzore. Kosovari po punonte si kontraktor ndërtimi në Vorarlberg dhe për vite me radhë shfrytëzoi punëtorë nga jashtë.

Zyra e prokurorit publik dyshon se për kosovarin kanë punuar më shumë se 100 persona, për një pagë të ulët, informon Shtegu. Në gjashtë raste është dëshmuar se punëtorët ai i kishte paguar shumë pak dhe i kishte përfituar ata.

I dënuari kishte një kompani ndërtimi për shtrimin e hekurave në dysheme – një sferë ndërtimi në të cilën vazhdimisht kritikohen kushtet e punës. Punëtorët ishin të varur nga ai sepse ata nuk kishin shkollim dhe kontakte shoqërore në Vorarlberg.

Kosovari u dënua gjithashtu për kontrabandë, pasi përmes Hungarisë dhe Serbisë, ai kishte sjellur ilegalisht tre kushërinj të tij në Vorarlberg. I pandehuri e pranoi veprën plotësisht, ndërsa duhet të paguajë një pjesë të parave që ua kishte mbajtur punonjësve të tij: rreth 155 000 euro. Vendimi është i plotfuqishëm.