Intervistoi: Eneida Jaçaj
Të flasësh për gjuhën e nënës, gjuhën shqipe, çdo patriot i flaktë do të kaplohej nga entuziazmi për ta përcjellë këtë pasuri të kombit më së miri ndër breza dhe për ta ruajtur atë të pacënuar nga prurjet e huaja leksikore apo huazimet. Gjuha shqipe, pjesa më e vyer e trashëgimisë sonë kulturore, është një gjuhë indoeuropiane, është gjuha e pellazgëve që flitet në Shqipëri, në Kosovë, në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi, në Serbinë Jugore dhe nga shqiptarët etnikë, në pjesë të tjera të Ballkanit Jugor. Gjuhëtarët e kanë vënë theksin gjithmonë në përdorimin e gjuhës standarde shqipe, bazat e së cilës janë hedhur në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, në Tiranë, si nevojë për t’u kuptuar me njëri-tjetrin nga të gjitha viset. Me kalimin e viteve, gjuha ka pësuar ndryshime, madje gjuha jonë letrare kombëtare ka një leksik popullor shumë të pasur, që nuk është përfshirë i plotë në fondin leksikor të gjuhës standarde. Gjuhëtarët kanë propozuar që pasuria e madhe leksikore popullore, që është kryesisht në gegërishten, duhet të futet në fjalorin standard të shqipes. Kështu është parë e nevojshme të krijohet një fjalor i ri i gjuhës standarde shqipe. Profesori i gjuhës shqipe, Eroll Sejdiu, ka dhënë lajmin se në vitin 2023 do të publikohet Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, me mbi 100 mijë fjalë, për të cilin janë duke punuar leksikografët: akademiku Jani Thomai dhe prof. dr. Valter Memisha. Do të jetë një pasuri madhore për kombin tonë. Në një bashkëbisedim me profesorin, u ndalëm edhe te përdorimi i huazimeve. Profesor Eroll Sejdiu thekson se huazimeve duhet t’u vendoset një gardh që në zanafillë, pasi në rast të kundërt, gjuhës do t’i kanoset një rrezik i madh në të ardhmen.
-Gjuha e folur shqipe, me dialektet, nëndialektet, shprehjet e saj, pjesë të zhargonit në komunikimin e përditshëm, na identifikon si komb dhe gjithashtu është pasuri e kulturës sonë si popull. Gjuha ndër shekuj ka pësuar ndryshime dhe ka evoluar me kohën.
Kur u hodhën bazat e para të gjuhës standarde shqipe, dhe pse u pa si e nevojshme?
Tashmë dihet nga të gjithë ata që do të kenë lexuar qoftë edhe fare pak shkrime që kanë të bëjnë me rrugën që ka ndjekur shqipja për standardizimin e saj, se, krahas Kongresit të Manastirit më 1908, kur u themelua alfabeti i shqipes, ngjarja tjetër, mbase më e madhja kulturore shqiptare, ka qenë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në nëntor të vitit 1972, në Tiranë. Vështruar qoftë edhe nga ana e jashtme, po sidomos vështruar mbi bazë të emrave të shkencëtarëve e studiuesve të shqipes që vinin nga të gjitha viset e qendrat më të mëdha të studimeve albanologjike jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, po edhe ndër arbëreshët e Italisë, Kongresi i Drejtshkrimit krijoi përshtypjen e një ngjarjeje shumë të madhe shkencore e kulturore në shkallë kombëtare për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe. Në gjithë rrugën që u ndoq për standardizimin e gjuhës shqipe, motivi dhe kërkesa kryesore ka qenë një standard i vetëm, sepse ky shihej edhe si një nga faktorët shumë të rëndësishëm, qoftë në luftën për çlirim kombëtar dhe qoftë për synimin për bashkimin e shqiptarëve, të paktën në fushë të kulturës, të letërsisë e të historisë. Madje, kjo ka qenë aspiratë e vazhdueshme, sidomos pas vitit 1970 të shekullit të shkuar, e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, sepse një standard gjuhësor i përbashkët, jo vetëm konsiderohej si një element me shumë ndikim në krijimin e lidhjeve sa më të ngushta dhe në synimin për t’u bërë pjesë e një kombi të vetëm- e kombit SHQIPTAR, po ishte edhe një tregues i fortë që shqiptarët në ish-Jugosllavinë ishin një etni krejtësisht tjetër nga popujt sllavë, udhëheqja politike e të cilëve, herë më hapur dhe herë në mënyrë perfide, kishte synuar për t’i ndarë nga bashkëkombësit në Shqipëri, madje edhe duke i quajtur me emërtime të ndryshme: Albanci dhe Shiptari!
Ne e dimë që gjuha letrare shqipe është ndërtuar mbi toskërishten letrare. Por, përpos toskërishtes letrare, që është baza kryesore, a ka marrë gjuha stadarde shqipe nuanca edhe nga gegërishtja?
Arkitektët e shqipes standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes (Tiranë, 1972) në kodifikatorin e shqipes letrare kombëtare, të miratuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha forcat intelektuale pjesëmarrëse, të gjuhëtarëve dhe të letrarëve, duke pasur parasysh ngaherë faktin se “shqipja është një gjuhë e vetme po të përjashtojmë disa ndryshime të vogla dialektore” (Pederseni), kanë vënë për bazë toskërishten letrare dhe jo si thuhet gabim dialektin e toskërishtes, sepse varianti toskë ishte më i lëvruar gjatë Rilindjes dhe Rilindja ishte epokë përcaktuese në historinë e gjuhës letare kombëtare, por në të bashkëveprojnë elemente të gegërishtes. Ndryshimet kryesore janë fonetike e në leksik, më pak në morfologji e shumë më pak në sintaksë. Po marrim në syzim disa tipare të gegërishtes që janë përfshirë në sistemin e gjuhës standarde:
a)Formimet me: ue+shëm: i besueshëm, i gëzueshëm etj.
b)Nga gegërishtja kanë hyrë formime të tilla, si: askund, askush, kurrkush, gjithandej, gjithçka, gjithfarë, amtar, furrnaltë, rrafshnaltë, i vranët, vranësirë, fyej, gjymtoj, dhunë, ranishte, shtang etj.
c)Nën ndikimin e gegërishtes, gjuha standarde ka pranuar si normative format me bashkëtingëllore fundore të zëshme dhe jo të shurdhët si në toskërishte, p.sh., i madh (jo i math), zog (jo zok) etj.
d)Format me “e” të theksuar para bashkëtingëlloreve hundore: m, n, nj, si në gegërisht dhe jo me “ë” si në toskërisht, p.sh., vend (jo vënd), mendje (jo mëndje), dhen-të (jo dhëntë) etj.
e)1Format me nistoret sh / zh si në gegërisht dhe jo me ç / xh si në toskërisht, p.sh., shpoj (dhe jo çpoj), shfaq (dhe jo çfaq), zhvesh (dhe jo xhvesh) etj.
Pra, dialektet e gjuhës shqipe janë shumë të afërta me njëra-tjetrën, në kundruallësinë si dy degëzimet më të mëdha gegërisht-toskërisht, po edhe në kundruallësinë më të ulët ose ndërmjet nënsistemeve dhe nëndegëzimeve a nëndialekteve në secilin prej dy dialekteve të shqipes. Ideja e kufijve, sidomos e kufijve “të prerë” ose “absolutë” midis dy dialekteve të shqipes, ka shpënë ndonjëherë në vlerësime të gabuara, sidomos të atyre që kërkojnë të shohin jo dy degëzime dialektore të së njëjtës gjuhë, por dy “idioma” të ndryshme, madje dy gjuhë. Koncepti ynë ka qenë dhe mbetet ky: SHQIPJA ËSHTË GJUHË E TË GJITHË SHQIPTARËVE, dhe në të gjitha hapësirat shqiptare, andej dhe këndej kufirit, banorët e etnikumit shqiptar e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe.
Dialektet janë thesar i kulturës së kombit tonë. Nëpërmjet dialekteve janë shkruar shumë vepra letrare, të cilat janë pasuri e pashtershme e djepit kulturor. Duke lëvruar gjuhën standarde, a mendoni se po zhduken dialektet?
Dialektet nuk zhduken, por rrojnë sa të rrojnë bartësit e tyre; kjo do të thotë se ato nuk humbin, nuk asgjësohen, por vetëm mund të mënjanohen, të tkurren e të mbeten në hije pa u përdorur, por kurdoherë të plotvlershme e të zonjat për të hyrë në përdorim nëse do ta lypë nevoja. Me një fjalë, dialektet janë gurrë e pashtershme për pasurimin e gjuhës standarde.
A mund të na veçoni disa shkrimtarë që me anë të veprave të tyre shërbyen si shembull për përdorimin e gjuhës standarde shqipe?
Ka shumë shkrimtarë, si: Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Sabri Hamidi e shumë të tjerë. Veçoj Kadarenë. Kadare gjuhën e veprës së tij letrare e ndërton me fjalësin e njohur të shqipes, veçse ai fjalët i merr dhe i laton, i gdhend me mjeshtëri. Ai krijon fjalë të reja dhe fort të pëlqyeshme, stilema të mëvetësishme me kuptime të veçanta shprehësie, që i sjellin një pasuri të madhe gjuhës, me mjete fjalëformuese para-e prapashtesore dhe me përngjitje. Kështu, nga fjala e mbarë gjuhës “borë”, Kadare krijon leksema të reja: borëtim, borëton, borimë, bornajë. Mbi bazë të togfjalëshit foljor “kërkoj falje” farkon kompozitën emërore “kërkimfalje”. Duke vazhduar mëtej: darkëtar (i ftuar për darkë), fundvjeshtë (fundi i vjeshtës), beqarore (dhomë beqari) etj.
Fjalori i parë i gjuhës shqipe është ai i Frank Bardhit, i vitit 1635. Në këtë fjalor pati shumë huazime nga greqishtja dhe sllavishtja. Megjithatë ishte një përpjekje që i hapi rrugë fjalorëve të gjuhës shqipe. Kur u punua fjalori i mirëfilltë i shqipes?
Në fushën e fjalorëve normativë shpjegues të leksikografisë shqiptare është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” (1954). Fjalori është i tipit të vogël dhe ka rreth 25 000 fjalë. Për periudhën e fundit do të thotë pas standardizimit të gjuhës, janë realizuar arritje të shënueshme me 4 botime fjalorësh. Fjalori i parë i mirëfilltë i gjuhës shqipe është Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) me rreth 41 000 fjalë, afro 7 000 njësi frazeologjike e me mbi 180 000 kuptime. Pastaj fillohen të botohen: Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1984) me rreth 34 000 fjalë, Fjalori i Shqipes së Sotme (2002) me rreth 35 000 fjalë dhe Fjalori i Gjuhës Shqipe (2006) me 48 000 fjalë të hartuar nga Departamenti i Leksikologjisë dhe i Leksikografisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës. Thuhet me të drejtë se fjalori është libri i parë i një kombi. Prandaj edhe fjalori i gjuhës shqipe mund të quhet libri i parë i kombit shqiptar, institucion kombëtar. Duke qenë një vepër jo vetëm utilitare e dorës së parë, por edhe një vepër prestigji, fjalori kombëtar si i tillë synon gjithmonë të përfshijë dhe të vërë në varg thesarin e gjuhës, fjalësin aktiv e pasiv. Natyrisht se kërkesat e tilla mbeten të parealizueshme, sepse nuk ka fjalor që do të mund të përfshinte gjithë fondin leksikor të gjuhës.
Emigrimi i popullsisë, rrjetet sociale, zhvillimi i teknologjisë, bota e televizionit ka bërë që të futen shumë huazime në komunikimin e përditshëm të shqipes, madje huazimet i gjejmë edhe nëpër libra e studime të ditëve të sotme. Në çfarë gjendje e shihni sot gjuhën shqipe? A i kanoset rrezik guhës shqipe në të ardhmen për shkak të përdorimit të fjalëve të huaja?
Gjuha standarde shqipe, me normën e saj të kodifikuar drejtshkrimore e drejtshqiptimore, ka arritur një shkallë të lartë të kristalizimit dhe të përvetësimit nga të gjitha shtresat e folësve të saj, ka krijuar një standard të lakmueshëm, të shëndoshë e të ngritur të shprehjes gjuhësore në të gjitha përmasat e zhvillimit të saj dhe, kjo është e arritura më e madhe kombëtare shqiptare.
Por, krahas këtyre rezultateve të arritura shfaqen edhe prirje të disa individëve e të rrjeteve sociale për ta mbushur këtë gjuhë me fjalë e me ndërtime sintaksore të huaja, me standarde të thata e me përfryrje të zbrazëta, me “intelektualizëm” të tepruar dhe me huazime, që e bëjnë këtë gjuhë, të zverdhur e të këputur, të lodhur e të molisur, të nëpërkëmbur dhe mbi të gjitha, të nënçmuar dhe të përbuzur deri në skajshmëri.
Në fushën e fonetikës e të morfologjisë, të fjalëformimit e të sintaksës, të frazeologjisë e të stilistikës, të drejtshkrimit e të drejtshqiptimit, bëhen shkelje të rënda e të panumërta të normës gjuhësore me përmasa shqetësuese, duke krijuar gati secili nga një normë të vetën ose nga një mbinormë gjuhësore.
Përdhosjeve që i bëhen shqipes duhet t’u vihet një gardh i fortë dhe i padepërtueshëm, sepse po s’u penguan ato në zanafillë, mund të lëshojnë rrënjë, që vështirë se mund të zhduken pastaj.
Organet e shtypit e të radiotelevizionit merren po ashtu pak ose aspak me gjuhën, thuajse e kemi të zgjidhur në këtë drejtim çdo gjë ose sikur gjuhën me të cilën shprehen ta kishin gjuhë të huaj.
Në kumtimet e gazetarëve për ndodhitë nga terreni, sidomos për të përshkruar dyndjen e fiseve sllave nga Kroacia dhe ardhjen e tyre në Kosovë, vetëm në një raport të shkurtër për ditarin informativ të Radio Tiranës kemi dëgjuar të përmendet dhjetë herë termi “INSTALIM”: Instalimi i serbëve në Kosovë; serbët e instaluar në Kosovë etj., për termin vetjak të shqipes “VENDOSJE”.
Vendosja e serbëve në Kosovë.
Serbët e vendosur në Kosovë.
Pra, fjalët që merren prej gjuhëve të huaja u nënshtrohen rregullave të gjuhës shqipe. Për përdorimin e tyre duhet të jemi të kujdesshëm. Huazimet kur përdoren pa nevojë, duke u zënë vendin fjalëve shqipe, ato e dëmtojnë gjuhën shqipe. Nuk duhet të huazohen e të përdoren fjalë të huaja në gjuhë, kur kemi fjalët tona, veçse në ato raste kur ato sjellin një kuptim të ri, një nuancë, një ngjyrim emocionues a stilistik etj., që nuk e japin mjetet e vetë shqipes. Kështu s’ka pse të përdorim fjalët e huaja: aktivitet për veprimtari; akumuloj për grumbulloj; ambient për mjedis; biografi për jetëshkrim; bulevard për shëtitore; detaj për hollësi; dimension për përmasë; elozh për lavd; erozion për gërryerje, fenomen për dukuri e shumë të tjera. Ndaj ne duhet të përpiqemi vazhdimisht ta mbajmë të pastër gjuhën tonë që të mos ketë rrezik, sepse ajo është një nga thesaret më të vyera të popullit e të kombit tonë.
A është e nevojshme të rishkruhet fjalori i gjuhës shqipe?
E kemi thënë disa herë se FGjSh-ja duhet të korrespondojë me zhvillimet e reja gjuhësore dhe t’u përgjigjet kërkesave dinamike të kohës. Të pasurohet me lëndë të re gjuhësore të krijuar këto 49 vjetët e fundit nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit, gjuhëtarët etj., fjalë që kanë hyrë tashmë në qarkullim në gjuhën e folur dhe në gjuhën e shkruar. Të përfshijë sa më shumë gjithë lëndën gjuhësore që rron në popull nga të gjitha dialektet e shqipes, të papërfshirë deri më tani në fjalor. Gjuha jonë letrare kombëtare ka një leksik popullor shumë të pasur, të pafutur sa duhet në fondin leksikor të gjuhës standarde. Kjo pasuri e madhe leksikore popullore, që është kryesisht në gegërishten, duhet të futet në fjalorin standard të shqipes. Por një gjë duhet ta dimë se fjalori i shqipes nuk përfshin vetëm fjalët shqipe, por fjalët që shqipja i ka në përdorim. Tani është duke u punuar Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, ku projektues janë leksikografët: akademik Jani Thomai dhe prof. dr. Valter Memisha. Mendohet të ketë më shumë se 100 000 fjalë. Do të jetë një vepër madhore për kombin tonë. Përfundon në fund të vitit 2023.
A janë sot të vetëdijshëm shqiptarët e diasporës, se gjuha amtare na mban gjallë dhe është panteoni i identitetit dhe nacionalitetit kombëtar? A po e ruan sa duhet diaspora gjuhën shqipe?
Diaspora jonë është vlerë e çmuar. Ajo shumë herë këtë e ka dëshmuar në çdo vend e në çdo kohë kur e ka kërkuar nevoja e atdheut. Diti ta ruajë gjuhën me të cilën identifikohet. Tani është më afër se kurrë me vendlindjen. Mërgata jonë ka arritur ta ketë mësimin e shqipes në shkolla, mjete të informacionit masiv etj. Pra, mendoj se diaspora jonë shqiptare është shumë e vetëdijshme dhe e përkushtuar ta ruajë dhe ta kultivojë jo vetëm gjuhën, por edhe visaret e tjera kombëtare për çka personalisht i përgëzoj e i uroj.
A keni një mesazh apo një thirrje kundrejt komunitetit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, në lidhje me gjuhën standarde shqipe?
Standardi i përket një rrafshi të veçantë të komunikimit, një rrafshi që është i përbashkët për të gjithë shqiptarët. Flasim për komunikimin në rrafshin e të gjitha shkencave, duke filluar nga filozofia e deri te shkencat praktike e teknologjike.
Intelektuali e ka për detyrë për ta zotëruar standardin e gjuhës së tij, sepse vetëm standardi është ai i cili të bën të mundshme të shprehësh gjithçka që duhet për të zbërthyer probleme, elemente, materie e përmbajtje- që mund të jenë filozofike e krejt abstrakte- dhe të cilat nuk është e mundur të zbërthehen me gjuhën popullore, sepse (kjo e fundit) nuk i kishte ato nevoja.
Standardin e gjuhës duhet ta mësojnë të gjithë ata/ato që duan të hyjnë në jetën kulturore e shkencore. Nuk mund të hysh pa gjuhën standarde aty.
Asnjë formë e gjuhës, asnjë varietet i saj nuk mund të jetë i rëndësishëm sa është standardi. P.sh., të gjithë fjalorët e librat normativë në gjithë botën janë të shkruar në gjuhën standarde. Por nëse një autor shkruan në një dialekt, atëherë ai duhet ta ketë parasysh faktin se nuk do të kuptohet nga të gjithë. Standardi është bërë në bazë të studimeve paraprake, nuk është bërë me hamendje.
Gramatika e gjuhës shqipe është një det i thellë. Askush nuk ka arritur aq thellë sa ta prekë fundin e tij. Këtë standard që e kemi, duhet ta konsiderojmë të hapur. Për pasurim është i hapur. Sa u përket ndryshimeve, këto duhet të bëhen pastaj me shumë vëmendje.