Asgjë nuk i lë rastësisë, si çdoherë elegant, në gatishmëri për të pritur mysafirët me mikpritjen më madhështore, me një zë të qetë por dominant, Semi Shaini me prejardhje nga Tetova, na uroi mirëseardhje në picerinë e tij të famshme “Piazza” në Bernë të Zvicrës. Lokali pothuajse i zbrazët për shkak të rregullave rigoroze të koronavirusit dhe motit me shi që po mban këtyre ditëve në kryeqytetin helvetik. Dy-tri tavolina në tarracë me mysafirë që po konsumonin duke mos i dhënë rëndësi lagështisë.
“Mu sot i mbushi të 45-tat, në këtë festë të Bajramit. Jeni të mirëseardhur”, fillon enkas për Shtegu .com Semi duke na ofruar kafe e bakllava të përgatitur në shtëpi. Është shumë interesante biografia e tij, pasi fillimisht nuk e kishte menduar se do t`i qasej aq seriozisht gastronomisë. Në Tiranë studioi shkencat sportive dhe i vazhdoi me magjistrim në Institutin Johann Wolfgang von Goethe në Frankfurt, instituti më i famshëm kulturor i Republikës Federale të Gjermanisë që vepron në të gjithë botën, e që promovon njohjen e gjuhës gjermane jashtë vendit dhe kultivon bashkëpunimin ndërkombëtar kulturor.
Menjëherë të lind kurreshtja, po çfarë e shtyu Semin me gjithë këtë bagazh arsimor t`i qasej gastronomisë ?! “Në gastronomi hyra pak si anësh. Përvojën e parë e kisha te restauranti `La Gioia`, në sheshin kryesor të Bernës, në periudhën 2003-2006 ku punova si kryeshef së bashku me dhëndrin. Në vitin 2007 më lindi ideja e një projekti që kisha dëshirë ta realizoja, me shpresë se kam aftësi restaurative (restaurator do të thotë marrja me konservimin dhe restaurimin, si dhe regjistrimin shkencor dhe teknologjik të artit dhe pasurive kulturore, ose thjesht, prej asgjë – të bësh diçka)”.
Dhe ashtu ndodhi. Semi iu përvesh punës njëvjeçare për ta bërë të gjallë lokalin “Piazza”, me një përkushtim grandioz dhe punë precize që do të linte pa fjalë çdo mysafir, çdo gjë në lokal është studiuar për kohë të gjatë dhe me saktësi marramëendëse, ku shërbehet kuzhinë mesdhetare me specialitete të freskëta italiane. Në vitin 2008, edhe zyrtarisht filloi me punë “Piazza”, një vendtakim i preferuar i gjithë banorëve të Bernës, pasi ambienti që ia ka përshtatur Semi, është si një magnet tërheqës. Në solemnitetin e hapjes ishte edhe atëbotë kryebashkiaku i Bernës, një politikan zviceran i SP-së tashmë i ndjerë dhe këshilltar kombëtar, Alexander Tschäppät dhe shumë e shumë personalitete të tjerë eminentë, në mesin e të cilëve kishte edhe nga këshilltarët federalë. Lokalin e pagëzoi sipas dirigjentit të njohur zviceran Ernest Ansermet, emrin e të cilit e mabn edhe një shesh i vogël përpara lokalit Ansermetplatz.
Në vitin 2010 u realizua edhe akti final në të cilin ishin të pranishëm shumë e shumë mysafirë të njohur, ndërsa nuk mungoi edhe tenori i famshëm shqiptar Saimir Pirku, i cili në “Piazza” interpretoi edhe “La Boheme” të Giacomo Puccinit. Një manifestim që padyshim ka lënë mbresa te të gjithë të pranishmit, pasi angazhimi i Semit me të vërtetë ishte rezultat se ai çdo gjë kishte bërë me përpikmëri.
Semi njihet edhe si mentor i shkëlqyeshëm, duke u lënd vend të tjerëve që të depërtojnë në gastronomi, këshu që në vitet 2010-2011, ai e mori nën menaxhim restorantin “Wangenbrüggli” në afërsi të Bernës, një lokal me kuzhinë tradicionale franceze e zvicerane, tek i cili banorët i shijonin specialitetet e tij tashmë të njohura, të përgatitura nga një ekip profesionist.
Semi do t`u kujtohet edhe banorëve të Tetovës pasi në periudhën 2012-2016 ai e menaxhonte restorantin e famshëm bistro “Barcode”, me një staf kompetent dhe atmosferë të këndshme, me specialtetet të shumtë meskikano-amerikane e që tërhiqnin edhe mjaft turistë të huaj dhe në të cilin u thyen të gjitha rekordet gastronomike e arkitekturale, pasi të gjitha idetë kishin lindur nga ai.
Restauratori shqiptar është ndër të rrallët që nuk ankohet nga pasojat e koronavirusit. “Në lidhje me situatën e vështirë të përiudhës së pandemisë, unë qëndroj neutral për pasojat e pandemisë, pasi më me rëndësi është shëndeti, ndërsa nuk besoj se gastronomët kanë humbur, por edhe as që kanë fituar, pasi të gjithë janë kompensuar në mënyrë përkatëse”, përfundon Semi Shaini, “i heshturi” i Bernës që ka një famë të madhe në Bernë.