Një grua kosovare 33-vjeçare dëshiron të natyralizohet në Hochdorf të Zvicrës dhe dështon rregullisht. Ajo u rrit atje dhe thotë: “Ku tjetër përkas, nëse jo këtu?”

Yllka Gashi, siç e quajnë mediat zvicerane, ishte 18 vjeç kur për herë të parë ka dashur të natyralizohej. Ajo u këshillua kundër këtij veprimi. Yllka ishte gjobitur për një vepër në trafik, e cila mund të kishte vendosur kundër saj në procedurat e natyralizimit.

Që atëherë, Yllka Gashi ka paraqitur dy kërkesa të tjera të plota, informon Shtegu.com. Ajo ishte shtatë herë para Komisionit për të Drejtat Civile, iu përgjigj dhjetra pyetjeve dhe dorëzoi prova e dëshmi të shumta. Por ajo ende nuk është zvicerane. “Ata nuk më duan këtu”, thotë ajo. Yllka Gashi tani është 33-vjeçare dhe në Zvicër ka jetuar për 23 vjet.

Pse është kaq e vështirë për këtë grua të bëhet zvicerane?

Kushdo që dëshiron të natyralizohet në Zvicër duhet të ketë jetuar këtu për 10 vjet, të jetë “integruar me sukses” dhe “i njohur me mënyrën e jetës zvicerane”. Për këtë mund të lexoni në faqen e internetit të Sekretariatit Shtetëror për Migracionin. Por vendimi se kush është integruar me sukses, si do të provohet kjo – dhe cilat kritere të tjera duhet të plotësojnë ata që kërkojnë natyralizimin – qëndron në duart e kantonit dhe bashkive.

Në Hochdorf në Kantonin e Lucernit, juristja 33-vjeçare nga Kosova, Yllka Gashi (emri u ndryshua) ka bërë përpjekjen e saj të tretë për të marrë një pasaportë zvicerane. Tri herë pa sukses.