Ish boksieri më i mirë nga Kosova, Aziz Salihu ka lindur më 1 maj 1954 në Banullë në afërsi të Prishtinës. Si anëtar i reprezentacionit të ish Jugosllavisë, në Lojërat Olimpike 1984 në Los Anxhelos, Kaliforni ai fitoi medaljen e bronztë në kategorinë super të rëndë. Azizi gjithashtu mori pjesë në Lojërat Olimpike Verore në Moskë në 1980 dhe në Seul në 1988, ku arriti deri në çerekfinale.

Karrierën e tij Azizi e filloi në moshën 15-vjeçare, ndërsa për shumicën e shqiptarëve ai është akoma “Sportist i Shekullit”. Azizi fitoi tetë tituj kampion jugosllav, pesë prej tyre radhazi.
Paraqitjen e tij të parë ndërkombëtare, Azizi e kishte në vitin 1976, në një ndeshje kundër një përzgjedhjeje kubane, në të cilën kundër Luis Valier ai fitoi një herë dhe humbi një herë.
Në Kampionatin Europian në vitin 1979, Azizi u eliminua në të 16 e finales kundër Ferenc Somodi, Hungari (5-0), por vitin e ardhshëm ka mundur të merrte pjesë në Lojërat Olimpike për herë të parë, edhe pse ai u eliminua në meçn e parë kundër fituesit të mëvonshëm të medaljes së argjendtë, Pyotr Sajew. Në Kampionatin Europian në vitin 1981, Azizi fitoi medaljen e bronztë. Në të njëjtin vit ai gjithashtu fitoi Kampionatin Ballkanik, një titull që ai gjithashtu e fitoi në vitet 1982, 1983 dhe 1987.

Në vitin 1983, Azizi u eliminua në çerekfinale në Kampionatin Europian kundër medalistit të mëvonshëm të argjendit Ulli Kaden, DDR (5-0). Në vitin në vijim, ai startoi në Lojërat Olimpike dhe fitoi medaljen e bronztë pas një fitore në çerekfinale ndaj Peter Hussing, Gjermani (3:2), dhe një humbje në gjysmëfinale kundër kampionit të mëvonshëm olimpik Tyrell Biggs, SHBA (5-0).

Në Kampionatin Europian në vitin 1985, Azizi fitoi përsëri medaljen e bronztë, duke humbur në gjysmëfinale nga Ferenc Somodi, Hungari (5-0). Vitin më vijim ai gjithashtu mori pjesë në Kampionatin Botëror dhe e mposhti Somodin në të 16 r finales, kësaj here (4:1), por më pas u eliminua kundër medalistit të mëvonshëm të medaljes së argjendit Alex Garcia.
Në vitin 1987, Azizi u largua herët nga Kampionatin Europian, por më pas, në të njëjtin vit fitoi Lojërat Mesdhetare. Vitin pasues ai mori pjesë në Lojërat Olimpike për herë të tretë, por humbi në të 16 e finales kundër Ulli Kaden, DDR (5-0).

Personaliteti dhe sukseset e Aziz Salihut, ishin një frymëzim për boksierët e rinj shqiptarë, që më vonë të shndërrohej në një kult të tyre. Arsyet e mungesës së sukseseve më të mëdha, mund të kërkohen në anashkalimin e shtetit jugosllav të sportistëve shqiptarë. Rinia e sotme e ka shumë vështirë t`i kuptojë arritjet e tij në një kohë kur gjithçka shqiptare urrehej e nënvlerësohej, në periudhën e zymtë të komunizmit famëkeq jugosllav. Por nuk duhet harruar se ai kishte rezultatet më pozitive se të gjithë sportistët e ish Jugosllavisë dhe një fakt që shumë pak dihet, ai ishte kapiten i ekipit të Europës kundër ekipit amerikan në Rino të SHBA-ve.

Sot, kampioni i madh i boksit dhe krenaria e shqiptarëve në atë kohë, e feston 67-vjetorin e lindjes, gjithnjë i respektuar nga shoqëria, por jo edhe me mirënjohje përkatëse nga shteti i Kosovës. Urime kampion, edhe shumë të tjera të lumtura.