Një ambient shpresëdhënës në picerinë “Piazza” në Schönbühl afër Bernës, pronari Muhamet Kamberi me bashkëshorten Bukurijen, qëndrojnë të ulur në njërën nga tavolinat e tarracës së restoranit, që në këtë pasdite të vonshme është gjysmë e zbrazur. Edhe pse pronarë të më tepër restoranteve në rrethinë, në fytyrat e tyre nuk mund të vërehet më shkëlqimi i zakonshëm gjatë punës së tyre me mysafirët e shumtë.

“Po e përjetojmë një periudhë të vështirë me masat e koronavirusit. Hapja e tarracave sadopak na i ngjalli shpresat se nuk do të përfundojmë në greminë. Jam i lumtur që sërish mund t`i shërbej mysafirët e mi, por me një rezervë të caktuar, pasi gjithçka varet nga moti i cili mund të ndryshojë në çdo kohë”, rrëfen brengën e tij Muhamet Kamberi.

Qershorin e vitit të klauar, Familja Kamberi e kishte hapur edhe një restorant në Utzensdorf të Zvicrës. Me shpresë se situata me koronavirusin do të tejkalohej sa më shpejtë, pritjet për funksionimin e restorantit ishin të mëdha. Mirëpo, masat e aplikuara nga Këshilli Federal zviceran, gjerat i ngatërruan në masë të madhe, duke e zhytur sferën e gastronomisë në një gjendje të mjerueshme.

“Edhe më tej nuk jemi duke u dorëzuar, por për t`u rimëkëmbur nga kjo gjendje, na duhen edhe së paku 4-5 vite të tjera”, pohon Muhameti, i cili përkundër kësaj situate, asnjëherë nuk e humb buzëqeshjen optimiste për të ardhmen. Natyrisht se edhe personeli i tij ka pësuar batica e zbatica gjatë kësaj periudhe, por le të shpresojmë se gjithçka do të përfundojë për të mirën e punëtorëve në gastronomi. Në fund duhet të theksohet edhe se pritjet për tejkalimin e gjendjes nga shteti zviceran, nuk i përmbushëm kërkesat e nevojshme në këtë sferë.