Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Ditë më parë, lexuesit tanë janë informuar edhe nëpërmjet portalit tonë se në xhaminë shqiptare në Bernë ndodhi një rast jo i dëshirueshëm për të gjithë dhe ne i njoftuam lexuesit tanë prej burimit kryesor të këtij lajmi. Ndërkohë, po në atë lajm patëm lajmëruar se do të ju njoftojmë më gjerësisht edhe nëpërmjet një interviste. Prandaj, u munduam që me këtë bisedë të gjatë, gati plot dy orë, që e zhvilluam në xhaminë shqiptare në Bernë, konkretisht në zyrën e imamit të kësaj xhamie, të sqarojmë më hollësisht se çfarë ka ndodhur me të vërtetë atë ditë. Kemi shkëputur pjesë nga intervista jonë e zhvilluar në Bernë, në rrugën Hochfeldstrase 117, 3012.

Zoti Mehmeti, Ju falënderojmë për mikpritjen! Dukeni paksa i lodhur?

Ju falënderoj që erdhët në objektin e xhamisë dhe ta merrni të vërtetën prej dorës së parë. Kështu bëjnë ata që e njohin mirë profesionin. Kemi lexuar dhe po lexojmë për lajmin në fjalë. Por, kjo vizitë më gëzon se do të flasim drejtpërdrejt, apo siç thuhet sy më sy dhe që t’i njoftoni lexuesit drejt. Më lejoni që të ju uroj punë të mbarë! Herë pas here e kam lexuar portalin «dialogplus», prandaj ju dëshiroj suksese nga zemra! Nuk jam i lodhur, përkundrazi kam edhe më shumë elan pune. Kam elan pune, duke e ditur se jam në rrugë të drejtë, duke u bazuar në parimet etiko-fetare e njerëzore. Jam shumë i vetëdijshëm se e kam një detyrë shumë të rëndësishme dhe këtë e bëj me përgjegjësi të madhe, duke u përpjekur që të jem i përpiktë në punën që e bëj.

Xhamia shqiptare e Bernit, së shpejti, më nuk do të jetë në podrum

Megjithatë jeni i shqetësuar me ngjarjen që ka ndodhur ditë më parë në xhaminë tuaj, aty ku jeni imam?

Natyrisht, por jo edhe aq shumë. Ç’është më kryesorja, punën tonë dhe vullnetin nuk mund të na e ndalojë askush, përveç Perëndisë.

Ndoshta edhe nuk ke dëshirë të flasësh për temën, në të cilën dua të dal?

Do të kisha dashur që të shkruajmë më tepër për sukseset, por megjithatë ajo ka ndodhur dhe kjo tashmë dihet. Për atë që di, do ta flas pa asnjë problem.

Sigurisht ke lënë diçka pa thënë, kur dihet se keni dhënë disa prononcime dhe intervista nëpër media të ndryshme?

E kam thënë të vërtetën dhe do ta them edhe për Ju. E tash, varet se çka më pyetni.

20141021_124603

Gjersa ndodheshe në haxhillëk, xhamia ku predikoni është sulmuar nga persona deri më tash të panjohur?

Po, kjo është e saktë. E kanë shkatërruar listën e anëtarëve dhe projektin e xhamisë, që ishte në brendi të xhamisë për Qendrën e Religjioneve. Në këtë qendër të religjioneve do të praktikohen edhe fe të tjera.

Sa anëtarë i ka xhamia në Bernë?

Xhamia ku po predikoj, siç po e shihni, është në podrum. Kemi 300 anëtarë aktivë dhe kemi edhe të tjerë, që janë pasivë.

Do të dalim nga një temë te tjetra. Ju ligjëroni vetëm në gjuhën shqipe?

E kuptoj deri diku punën tuaj. Çdo të premte në xhaminë tonë ligjëroj në katër gjuhë, sepse kemi besimtarë të kombeve të ndryshme.

Ligjëroni edhe nëpër burgjet e Bernës?

Po, për çdo të martë, të mërkurë dhe të enjte gjendem duke ligjëruar nëpër burgje, jo vetëm për myslimanët, por edhe për pjesëtarët e feve tjera. Zvicra e ka një koncept të kujdestarisë shpirtërore dhe pritem shumë mirë nga të gjithë të burgosurit. Hiç më pak se mbi njëmbëdhjetë vjet kam jetuar në Arabi, Tunizi dhe Arabi.

20141021_130116 (1)

A keni pasur paralajmërim pakënaqësie për ndërtimin e xhamisë? 

Në xhaminë ku unë veproj jo. E për të tjerat, nuk e di.

A ke marrë ndonjë kërcënim personal nëpërmjet telefonit, apo sy më sy?

Jo! Mund të flasë e të shajë kush të dojë, edhe pse nuk është e njerëzishme, por askujt nuk i kam bërë dëm. Përpiqem për të mirën e të gjithëve, të predikoj ashtu si duhet dhe të jem i afërt me të gjithë, sepse, tek e fundit, jemi njerëz. Zvicra është vend i sigurt. Nuk është e lehtë të bëhet në Zvicër një kërcënim. Këtë e dimë të gjithë. Sidomos pas 11 shtatorit, Zvicra është vendi më i sigurt të botë. Zvicra është shtet i drejtësisë dhe i sigurisë. Ka ofendime të ndryshme nga disa struktura, por ato janë të natyrshme. Ofendimi është rezultat i dështimit. Me fakte, kur i posedon një njeri, nuk është ofendim. Nuk duhet të marrim kulturë të huaj. Myslimanët shqiptarë, udhëheqësit shpirtërorë, duhet ta bëjnë një program të pavarur nga të tjerët, që të mos ketë koncepte të tjera. Pra, ta kemi projektin tonë se si duhet ta kemi këtë fe në këtë kontinent. Ne kemi kapacitete dhe kuadro e mundësi për të ndryshuar. Shikojeni Turqinë, e ka përpiluar një koncept në përputhje me konceptin dhe klimën. Pse edhe ne të mos e kemi një koncept në përputhje me Kuranin dhe synetin e Pejgamberit, që është i kapshëm për vendin ku jetojmë. Sepse njerëzimi duhet të zhvillohet e të mos ndalet, të mos kthehet prapa.

Berni (Foto d.h)

Sa vjet i ke bërë në Zvicër?

Në Zvicër jetoj dhe veproj hiç më pak se 23 vjet. Në atë kohë nuk ka pasur xhami shqiptare. Katër apo pesë vjet isha pa familje dhe pastaj e kam sjellë edhe atë këtu. Si imam i rregullt, në Bernë kam filluar të punoj që nga viti 1991.

Si priten ligjëratat tua nëpër burgje nga besimtarët jomyslimanë?

Sinqerisht jua them – priten shumë mirë. Ky koncept i kujdestarisë shpirtërore është i mbrojtur me Kushtetutë. Kujdestari shpirtëror duhet të jetë global, pra t’i përfshijë të gjithë. Tek unë vijnë edhe të krishterët dhe bisedojmë për tema të ndryshme, për motivimin e jetës dhe sesi të kthehet përsëri morali i njeriut dhe i jetës së vet. Jeta dihet se ka sfida, e kështu me radhë. Të burgosurit i kanë hallet e veta dhe na presin me admirim që t’i vizitojmë dhe të takohemi me ta. Atyre u mundësohet të takohen me ne, atëherë kur nuk i mundësohet familjes. Prandaj, thuhet personel shpirtëror dhe ky mision e ka një domethënie të madhe.

Cilat janë raportet tua me hoxhallarët e tjerë shqiptarë?

Sa u përket raporteve me imamët e tjerë shqiptarë, nuk kemi dallime personale. Mund të jenë dallimet konceptuale, apo se si i zbërthejmë ato. Mund të jenë dallime ideologjike se si i trajtojmë ato. Dallimi mund të jetë me vetë jetën në Zvicër. Jetën e shoh këtu më ndryshe, nga siç e sheh dikush tjetër. Ne nuk jemi në konfrontim me ta. Mospajtimi është i arsyeshëm. Në botën arabe, kam jetuar si në Siri, Arabi, Tunizi, edhe atë hiç më pak se njëmbëdhjetë vjet dhe vij nga një vend konfliktuoz, si në aspektin nacional, ashtu edhe ndërfetar. Kështu që mendoj se i gjithë ky bagazh më ka bërë që ta bëj një ndryshim. Jetën këtu nuk e shoh si tragjedi, apo të dhunshme, dhe e trajtoj si një fat të mirë dhe si një dhunti të Perëndisë. Pra, dallimet janë të mëdha me disa të tjerë, që janë konservativë, e më thonë sesi ky vend është më i mirë se disa vende të tjera. E unë u them të mos vijnë në kundërshtim me veten e tyre, pra njeriu shkon atje ku ai dëshiron.

Cilësoheni si imam i moderuar. Pse?

Po, faktikisht, mediet e kryejnë punën e vet dhe e kanë të drejtën e tyre, të etiketojnë me vlerësimet e tyre. Për ne është me rëndësi, sepse moderimi akuzohet nga forcat konservative, sepse tentohet që të futet në një të re në aspektin fetar. Ata nuk e kanë qëllimin e keq, por mendojnë se kjo përshtatet me klimën ku veprojnë. Qëllimet tona, që i kemi shfaqur për disa tema të prekshme, kanë të bëjnë me objektivitetin. Ne përqendrohemi realisht dhe objektivisht. Sepse Islami nuk është shkencë ekzakte, është teksti i vjetër 1 500 vjet, që nuk ndryshon dhe nuk evoluohet. Ajo mund të përshtatet dhe të përputhet, të shkohet me klimën dhe atmosferën ku veprohet. Në Zvicër janë të brengosur se çfarë na pret nesër, jo vetëm ata që kanë të lindur këtu, por edhe ne. Na nevojitet që të mos përsëritet që popujt të konfrontohen ndërmjet vete, deri në atë fizike. E bëj punën time me rregullore dhe pa u ngutur, duke e parë realisht se ku jam dhe ku jetoj. 

Projekti i ideuar që është prishur

Na flitni, Ju lutemi, në lidhje me projektin që do të realizohet në kryeqytetin zviceran dhe në xhaminë tuaj. U thye ai projekt dhe u morën listat e anëtarëve?

Është një projekt që ka filluar pas vitit 2001, e që ndodhi me rastin e 11 shtatorit. Në Zvicër u ngrit një zë progresiv. Erdhi në pyetje se çfarë duhet të bëjmë që t’i evitojmë eventualisht dëmet që mund të vijnë, gjithnjë duke i parë konfliktet jashtë vendit. E shumë forca progresive, nga akademikët dhe shoqëria, vlerësuan se duhet të ndërmerret një hap dhe doli ideja që të gjitha regjionet të bashkohen dhe të demonstrojnë se jeta e përbashkët është e mundur, por ajo varet nga njerëzit. Por disa forca regresive, jo vetëm brenda Islamit, nuk i duan këto ide. Ne e kemi filluar këtë ide shumë më herët dhe jemi në fazën përfundimtare si ‘Europa Platz’, që do të jetë një shembull i shkëlqyeshëm për të gjitha regjionet në një vend. E ai vend do të jetë në Bernë. Xhamia jonë është gati. E disa njerëz që janë bërë kurban i mendimeve të dëmshme mendojnë se qendra është një vend që nuk u përgjigjet aspiratave dhe dëshirës së tyre, prandaj ato ditë që nuk kemi qenë këtu e kanë thyer projektin. Anëtarësinë e kanë marrë me vete. Nga kjo nënkuptohet se qëllimi ishte kundër këtij projekti. E kanë thyer modelin e xhamisë që është përgatitur nga një arkitekt dhe e kanë marrë projektin në mur, që ishte i detajuar. Kjo ka ndodhur në kohën kur unë isha në haxhillëk. E patëm vendosur në brendi të kësaj xhamie, që të shihet sesi do të duket ajo. Assesi nuk mendoj se ka ndodhur nga anëtarët tanë, ka ndodhur nga të tjerët.

Nga kush mendoni?

Nga konservativët e tepruar.

Kush janë ata?

Nuk e di se kush janë. Por, ata duan të na frikësojnë dhe të na dëmtojnë, por këtë e kanë të pamundur.

20141021_124528

Keni pasur më herët ndonjë paralajmërim për këtë?

Jo, nuk kemi pasur. Ne e kemi një konsensus ndërmjet nesh. Nuk kemi pasur ndonjë gjë të paqartë. Te ne vijnë njerëz edhe nga xhamitë tjera. Ne nuk bëjmë dallim, sepse nuk shërbejmë vetëm për anëtarët tanë, por edhe për të tjerët. Anëtarët e xhamisë sonë e kanë mirëpritur projektin dhe i janë gëzuar atij.

I keni njoftuar bashkësitë islame në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni në lidhje me projektin?

Për këtë projekt nuk jemi konsultuar me vendlindjen. Këtë e kemi bërë për arsye të shumta. Ky projekt ka të bëjë me vendin dhe jetën ku ne veprojmë. Nuk ka të bëjë asgjë me natyrën e vendlindjes sonë. Nuk ka pasur nevojë të konsultohemi, sepse gjithçka është konform normave dhe Librit të Shenjtë të Kuranit. Nuk mund që dikush ta argumentojë me Kuran se ky projekt kundërshtohet. Është e drejta e njerëzve të vendosin.

Sa do të kushtojë ky projekt?

Ky projekt mbështetet nga shumë faktorë nga të gjitha institucionet zvicerane, kushton diku rreth 15 milionë franga dhe këto të holla janë të siguruara. Ne si grup islam kemi ofruar pak, vetëm për rregullimin e brendshëm. Kjo për ne ka qenë e mirëseardhur. Ky projekt e ka legjitimitetin. Do të jetë ajo një xhami që i plotëson të gjitha rregullat me dispozita.

Duke e shfletuar revistën dialogplus

Do të ketë minare xhamia?

Xhamia do të jetë pa minare, sepse ato janë të ndaluara sipas një referendumi, që u mbajt në Zvicër. Ne e respektojmë ligjin e këtij shteti ku jemi. Sa herë që jam pyetur për minaret, kam thënë se kjo është sekondare, se do të vije koha, falë njerëzve progresivë, kur do të lejohet minarja edhe në këtë shtet. E jo siç është sot gjendja kaotike. Jo që disa persona, dy-tre veta, ta blejnë një garazh dhe të përpiqen ta ngrenë një minare. Do të vijë koha kur do të bëhet edhe minarja. Shpresoj shumë. Në bashkëpunim me miqtë tanë këtu kemi rëndë dakord që të jetë një simbol dallues, që do t’i vendoset, prej 2,5 metra. Pra, do të jetë një simbol tregues, i cili njofton se kjo është një xhami.

Sa do të jetë hapësira e xhamisë?

Hapësira e xhamisë do të jetë rreth 500 metra katror. Xhamia do të jetë me formë sakrale, me mafil, si atje në Atdhe. Do të ketë hapësirë edhe për gra, pra lirisht mund të them se do të jetë sikur në vendlindje, por do të ketë edhe lokale.

DSC_1197

Jeni kryetar i Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër. A mund të na i thoni dy-tri fjalë rreth kësaj bashkësie?

Ne jemi këtu për t’i penguar fenomenet negative, nëse janë ato aktive. Dikush, me qëllim apo pa qëllim, nuk e përkrah Bashkësinë Islame, e kjo nuk është e mirë. Nuk na takon ne që të merremi me problemet e lindjes. Ne e kemi historinë tonë, kemi gjeografi tjetër, jetën tjetër, na bashkon feja, por para të gjithave – qenia njerëzore. Pas Zotit, imami duhet t’i shërbejë njerëzit e atij vendi ku është duke shërbyer. Bashkësia Shqiptare Islame në Zvicër i ka rregullat e veta dhe ne do të ecim përpara, siç jemi duke ecur edhe sot e kësaj dite. Nuk duhet të na mbërthejnë emocionet. Kur njeriu në mënyrë paqësore nuk mund t’i arrijë qëllimet e tij, e përdor forcën. Jemi që të ligjërojmë drejt, pa u futur në urrejtje me të tjerët. Bashkësia Shqiptare Islame në Zvicër bën organizimin e jetës fetare të shqiptarëve myslimanë, e në veçanti edhe të haxhit dhe organizimeve të tjera. Ne kemi shumë sfida në fokus të veçantë kur është në pyetje përfaqësimi i interesave të shqiptarëve në Zvicër. Ne duhet ta marrim fatin tonë në duart tona, që faktikisht të mos flasë askush në emër të shqiptarëve, që të mos e instrumentalizojë Diasporën tonë, që nuk është në përputhje me interesat tona gjeostrategjike.

A do ta pengojë projektin kjo që ka ndodhur?

Jo, nuk e pengon. Përkundrazi. Gjatë këtyre ditëve kemi marrë mesazhe nga miq të ndryshëm këtu në vend, të cilët i njohin qëndrimet tona dhe na inkurajojnë dhe motivojnë që ne duhet ta vazhdojmë misionin, sepse është frymëzues dhe shpresëdhënës. Gjithçka do të shkojë drejt dhe mirë. Kjo na forcon edhe më shumë, se duhet të vazhdojmë në konceptin e bashkëjetesës, se në fund njerëzimi është gjithçka, sepse pa njerëzim nuk ka vlerë asgjë, as shteti, as jeta. Ky është prioriteti. Ne nuk dorëzohemi dhe nuk kemi pse. Të gjitha forcat progresive këtu në Zvicër na përkrahin dhe na motivojnë që ta vazhdojmë këtë rrugë. Gjithë kjo filozofi, nëpërmjet Bashkësisë Shqiptare Islame për Zvicër, mund të jetë një ombrellë në të ardhmen për një gjë të mirë, si për shqiptarët, ashtu edhe për të tjerët. E kemi themeluar këtë organ me këtë emër, kemi mundur të themi vetëm bashkësi islame, por e kemi bërë Bashkësia Shqiptare Islame, e ne nuk e kemi bërë e Kosovës, e Maqedonisë, apo e Shqipërisë. Gjithë atë kapital e kemi investuar që ta reflektojmë e ta ruajmë autoritetin tonë, kulturën tonë, bagazhin tonë. Historia jonë është e pasur, edhe pse ajo ishte e hidhur.

Jeni për kompromise?

Pa dyshim! Jeta është për të bërë ndryshime, e jo për ngërçe. E shihni se edhe forcat perëndimore kanë avantazh në këtë drejtim, sepse atyre forcave ua kërkojnë kompromisin. Nëse të tjerët mendojnë se duhet të ecim së bashku, duhet të jemi të gatshëm për kompromise e të ulemi dhe të ecim së bashku. Jam i hapur për bashkëpunim. Sot për sot, organi ynë është i gatshëm të ulet me gjithkënd. Pa asnjë kusht, pa marrë parasysh, të ulemi e të bisedojmë për gjithçka. Nuk kemi temë tabu. Nëpërmjet dialogut arrijmë vizion, qëndrime e bindje. Ato të gabuarat i bëjmë të shëndosha. Nëse rrimë të mbyllur, atëherë kjo na dëmton. Prandaj, ne e kemi këtë platformë. Nuk e kemi gjuhën përjashtuese, por vetëm afruese.

Ju urojmë suksese dhe shpresojmë që do të realizohet projekti në fjalë!

Po! Ashtu siç ju thashë edhe më lart, dhe prapë po ju them – do të realizohet gjithsesi, sepse është një projekt shumë i mirë. Edhe ata që janë kundër, nëse janë, do ta shohin pak më vonë se e kanë pasur gabim që kanë kundërshtuar. Ndoshta inati nuk i lejon që të pranojnë realitetin, por, në rregull, kryesorja – proceset të ecin përpara. Ne punojmë e do të punojmë, jo vetëm për këtë brez, por edhe për brezat e tjerë që do të vijnë, duke e falënderuar gjithmonë Zvicrën dhe popullin e saj që na ka mundësuar gjithë këto të mira dhe këtë liri. Ne do ta ruajmë këtë frymë demokratike në të gjitha fushat dhe lutemi që Zvicra të jetë mirë e më mirë, e pa dyshim se do të jetë në rrugë të mbarë. (dialogplus.ch)