Është mbresëlënës rrugëtimi i Shefki Dullovit, djaloshit 31-vjeçar nga lagja Serovë e Shkupit, deri në vendbanimin e tij të ri në Bulle të Zvicrës. Në kushte të zakonshme të shumicës së shqiptarëve në këtë rrethinë të Shkupit, pra kushte jo edhe aq të këndshme për një standard të mjaftueshëm të jetës, pas shumë peripecish që një student mund të hasë nëpër universitet e Maqedonisë së Veriut, ai në vitin 2013 arriti të diplomojë në Universitetin Shën Qirili dhe Metodi, në drejtimin e Biokimisë Fiziologjike. Me këtë, ai e fitoi titullin inxhinier i Biokimisë.

Për të ndjekur synimet e tij jetësore, ai u shpërngul nga mesi i vitit 2015 dhe përmes bashkimit familjar vendoset në Zvicër.

“Në të njëjtin vit fillova punë në ndërtimtari, pasi diploma nga Maqedonia nuk m`u nostrifikua tërësisht dhe paralelisht ndoqa edhe kursin e gjuhës frenge. Përgjatë një viti kam punuar dhe e kam mësuar gjuhën frenge jashtë orarit të punës”, rrëfen Shefkiu për Shtegu.com.

Me këmbëngulësinë e tij të një punëtori të zellshëm, në afat prej 1 viti arriti të certifikohet me diplomën B2, për të cilën normalisht duhen dy vite punë intenzive për të arritur te kjo diplomë e gjuhës. Me këtë, atij iu lehtësua për të aplikuar për ndonjë punë praktike në ndonjë laborator, duke i krijuar një kënaqësi të veçantë.

Ashtu siç e paramendonte, ashtu edhe ndodhi: Në fund të vitit 2016, Shefkiu filloi punën në një projekt shkencor pranë qendrës së transfusionit në Lozanë. Përkundër që për 8 muaj punoi në këtë projekt, ai ndoqi edhe formacione të tjera të perfeksionimit pranë universitetit të Bernës. Formacione siç janë: Komunikimi, menaxhmenti, rregullat praktike të laboratorit, vizioni i ideve etj etj. Për të gjitha këto formacione, ai tani posedon certifikata përkatëse.

Pas përfundimit, shefi i laboratorit i rekomandoi një mundësi tjetër: Nje vend shkollimi në laboratorin qendror të Spitalit Kantonal të Friburgut. Në vitin 2017, Shefkiu filloi shkollimin në drejtimin teknik i laboratorit medikal në laboratorin qendror të Spitalit të Friburgut. Shkollimi ishte i paraparë për tre vite, mirëpo me një rutinë tashmë të njohur të tij, ai diplomoi në afat prej vetëm dy vitesh, në vitin 2019.

Pas diplomimit, të gjitha rrugët në Zvicër për Shefkiun ishin hapur. Shumëçka u bë më e lehtë dhe menjëherë, në po të njëjtin vit, ai punësohet në një laborator farmaceutik dhe aktualisht mban postin e përgjegjësit të prodhimit në të. Por, i etur për njohuri të reja, Shefkiu vazhdon të ndjek edhe më tej kurse, siç është ai i trajnerit motivues. Ambiciet e tij janë që të jetë një shembull pozitiv në Zvicër, të kontribuojë si në rrethin familjar, po ashtu edhe në shoqërinë ku jeton.