Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Dauti Komerc, Xhemail Dauti, në zyrat e tij ka pritur deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinofci, i cili nga ana e menaxhmentit është njoftuar me punën e kompanisë në planin ndërkombëtar, si dhe investimet dhe aktivitetet e Dauti Komerc.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik rajonal, zhvillimet e fundit në Kosovë, integrimi i tregut ballkanik në atë europian si dhe për sfidat e radhës të cilat e presin rajonin në planin e zvogëlimit të papunësisë.

Bajqinofci, gjithashtu informoi Dautin, për ndryshimet institucionale që duhet bërë në Kosovë, me të vetmin qëllim që biznesi të funksionojë konform standardeve të Bashkimit Europian dhe tregu i lirë të mbetet forca e ndryshimeve shoqërore. Nga ana e tij drejtori i përgjithshëm, Xhemail Dauti, e ka informuar deputetin e Vetëvendosjes, për metodologjinë dhe aktivitetet e kompanisë si dhe planin zhvillimor.

Ai gjithashtu është zotuar se kompania do të vazhdojë me investimet në të gjitha vendet e rajonit përfshirë edhe Republikën e Kosovës dhe se kjo ndërmarrje mbetet e përkushtuar në aktivitetet e saja për një zhvillim më të madh dhe më dominues në tregun e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë.