Një grup qytetarësh nga Cyrihu i Zvicrës kanë inicuar një peticion sa u përket masave të koronavirusit, të aplikuara nga Këshilli Federal zviceran e që kërkojnë prova të proporcionalitetit të masave të koronavirusit në përputhje me Kushtetutën Federale zvicerane. Sipas tyre, një hetim i pavarur dhe i hapur është thelbësor për të mbrojtur ekonominë dhe lirinë demokratike!

Peticioni i quajtur “Petition Frühling 2020” kërkon krijimin e një komisioni hetimor jashtëparlamentar, të pavarur. Njëra nga projektueset e këtij peticioni është edhe aktivistja shqiptare nga Cyrihu, Valbona Gashi, nënë e katër fëmijëve dhe sipërmarrëse e suksesshme.
Në një prononcim për Shtegu.com ajo ka rrëfyer se përse është krijuar ky peticion. Sipas saj, masat e aplikuara nga Këshilli Federal zviceran janë të dyshimta dhe të panevojshme, pasi nuk ka asnjë labor që e ka vërtetuar izolatin. Që nga muaji maj ajo është aktive në grumbullimin e nënshkrimeve dhe ngritjes sa më të fuqishme të zërit kundër paranoizmit të panevojshëm të Këshillit Federal zviceran sa u përket masave kundër koronavirusit.
“Testet që po realizohen kundër këtij virusi janë të panevojshëm, pasi mund të krahasohen me një test të ngjashëm sikur meshkujve t`u bëhet testi i shtatzanisë”, ka pohuar Valbona. Për fat të keq, ajo nënvizon se interesimi te qytetarët është i dobët, megjithëse deri më tani janë grumbulluar mbi 22 mijë nënshkrime.

Ndër të tjera, Valbonën e pret një senacë gjyqësore kundër këshilltarit federal zviceran dhe ministër i Shëndetësisë, Alain Berset, që ka të bëjë me masat e koronavirusit. Në të njëjtën kohë, ajo në gjykatë do të ballafaqohet edhe me këshilltaren e përkohshme të Kantonit të Cyrihut dhe kreun e Drejtorisë Arsimore, si dhe presidente aktuale e Konferencës Zvicerane të Drejtorëve të Edukimit Kantonal, Silvia Steiner, pasi si nënë e katër fëmijëve është e mendimit se shkollarët po u nënshtrohen masave të panevojshme të mbrojtjes nga koronavirusi, duke apeluar që për një vit fëmijët të tërhiqen nga mësimi dhe të gjejnë formën e përshtatshme të mësimit.

Aktiviteti i Valbonës dhe bashkëmendimtarëve të saj po shihet me një sy të ashpër nga shteti zviceran, kështu që ajo do të duhet të ballafaqohet edhe me tre seanca gjyqësore që janë aktuale ndaj saj.