Ekipi shqiptar FC Prishtina nga Berna, është duke vazhduar me sukseset e saj në Ligën e dytë regjionale të Kantonit të Bernës, kësaj radhe duke mposhtur ekipin FC Alle në fushën e kësaj të fundit, me rezultat 1:3.

 

 

Golin e parë e shënuan vendësit, me anë të futbollistit Mohamed Amine Boukaoui nga penalltia, në minutën 19` duke kaluar në avantazh me rezultatin 1:0. Por, kjo nuk i dëshpëroi djelmoshat e rinj shqiptarë që të vazhdojnë lojën me sulme. Pjesa e parë përfundoi me të njëjtin reultat, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, FC Prishtina dëshmoi formën e saj të lartë, duke barazuar rezultatin në minutën 50`për 1:1. Ishte ky një gol i shënuar nga Bujar Mehmeti dhe kthesë e madhe në vazhdim të ndeshjes.

 

 

Si duket, mbrëmja ishte e rezervuar për tifozët e flaktë të FC Prishtinës, të cilët edhe kësaj radhe nuk përtuan që ta shoqërojnë ekipin e tyre të zemrës në udhëtimin e tyre në Kantonin Jura, si dhe për Bujar Mehmetin, golashënuesin më efikas të ekipit, njofton “Shtegu.com”. Vetëm pesëmbëdhjetë minuta më vonë, në minutën 64`, Bujar Mehmeti shënon edhe golin e tij të dytë, duke shkaktuar kënaqësi e  eufori të madhe tek tifozët, ndërsa huti në radhët e ekipit vendës.

 

 

Rezultatin përfundimtar dhe tri pikë të reja për Prishtinën, i vulosi kush tjetër, përpos Bujar Mehmetit dhe hat-trickut të tij, në minutën 90`4`. Edhe një fitore e merituar e FC Prishtinës nga Berna, e cila vërtetë ka krijuar një befasi të madhe në shoqërinë e re të Ligës së dytë rajonale të Bernës, duke përforcuar pozitën e dytë në tabelën e klasifikimit, dy pikë më pak se lideri, ndërsa gjashtë pikë më shumë se katër ekipet e tjera që pozicionohen pas saj, e në mesin e të cilave është edhe ekipi shqiptar i FC Besa Biel-Bienne.   asd