Ishin vitet e rënda për popullin shqiptar në trojet e ish Jugosllavisë, pasi shqiptarët ishin të nënshruar në një presion të madh nga ana e pushtetit serbosllav, në mënyrë që të realizohej pastrimi etnik që po përgatitje në Kosovë. Atyre nuk u jepej mundësia të punësoheshin, të arsimoheshin e të siguronin ekzistencën, prandaj Halit Gashi nga fshati Begracë i rrethinës së Kaçanikut u detyrua të kërkojë një perspektivë më të mirë në Perëndim, megjithëse aftësitë e tij për të gjetur punë në vendlindje ishin shumë të mëdha.
Mirëpo, shpirti sikur ia ndjente se ai mund të arrinte shumë më tepër dhe prandaj vendosi të marr rrugën e mërgimit, duke u vendosur në Zvicër. Fillimisht në Lugano, Thun, për t`u vendosur më në fund në Schniten, ndërsa u punësua si mekanik – makinist në Plaselb, një lokacion në Kantonin e Friburgut. Pas disa vitesh në këtë vend pune, ai pëson një aksident të rëndë dhe që atëherë ai është nën përkujdesje të organeve përkatëse shëndetësore.
Në vitin 1996, Haliti bën bashkimin familjar, duke sjellë në Zvicër bashkëshorten dhe fëmijët. Nuk do mend se për Esatin 15-vjeçar dhe Arbenin 13-vjeçar po fillonte një jetë e re, përplot gjerash të panjohura dhe shumë e ndryshme nga ajo në Kosovë. Esati ishte i detyruar ta ndërpresë shkollimin që e kishte filluar në sferën e ekonomisë në një shkollë të mesme në Ferizaj, por edhe Arbeni u largua me plagë në zemër nga bankat shkollore. Vëretë një jetë e panjohur për ta, pasi tani duhej fillimisht së përvetësohej gjuha frenge, e më pas të zhyteshin në sferat e jetës dinamike zvicerane.
Me gjithë vështirësitë fillestare, Esati dhe Arbeni ia dolën shumë shpejt të integroheshin në familjen zvicerane, duke mësuar shumë shpejt gjuhën duke kryer arsimin përkatës dhe duke u integruar me sukses në këtë përditshmëri. Ata u punësuan te kompania e mirënjohur zvicerane “Riedo” që merret me sistemet e ngrohjes, pompat e nxehtësisë, klimat, kaldajet, sisteme të shpërndarjes së nxehtësisë me radiatorë, konvektorë të dyshemesë, ngrohës të ajrit, ngrohje dyshemeje, makina industriale me amoniak e gazra dhe shumë më tepër.
Në fillim të dekadës së dytë të këtij shekulli, të dy vëllezërit vendosën që të provojnë fatin e tyre si sipërmarrës të pavarur duke themeluar kompaninë e tyre “AEG Montage Technik GmbH me seli në Gurmels.
Dhe falë aftësive dhe angazhimit të tyre të pashoq, ata nuk u zhgënjyen. Në fillim startuan vetëm dy vëllezërit, ndërsa aktualisht ata kanë të punësuar hiq më pak se 27 punëtorë, duke u përkujdesur për sistemin e ngrohje të kompanive gjigante në Zvicër, siç janë: Bell në Bazel, Rolex në Biel, Micarna në Courtepin, Commet në Flammat dhe së fundmi në gjgantin e ngrohtores së Bernës “EWB Bern”. Padyshim një arritje grandioze e dy vëllezërve, të cilët punën e kryejnë me cilësi të lartë, besueshmëri të madhe dhe në afat të caktuar kohor që është një prioritet në normat e sistemit të punës në Zvicër.
“Një sukses i madh i firmës sonë mu në dhjetëvjetorin e themelimit”, rrëfen Esati paksa i ngazëllyer për respektin që i ishte besuar nga kjo kompani e madhe e Bernës. “Është një ofertë që na bënë krenarë, pasi të rrallë janë ata që mund ta përfundojnë këtë mision te EëB. Edhe pse Riedo është sipërmarrje me 350 punëtorë, ajo nuk mund të ofrojë atë që ne e realizojmë, pasi jemi të specializuar në këtë drejtim”, vazhdon Esati enkas për Shtegu.com.
Ambiciet e vëllerëve Gashi janë të mëdha, pasi mendojnë të punësojnë edhe më tepër persona, por të kualifikuar dhe me përvojë të nevojshme. Nga 27 punëtorët e tyre, në firmë mbisundon një diversitet i rrallë i prejardhjes së tyre, duke filluar nga zviceranët, portugezët, shqiptarët, francezët, bile ka edhe hungarezë e polakë. Një shembull i shkëlqyeshëm i integrimit të të huajve në një shoqëri të larmishme zvicerane.
Kohën e lirë të tyre, vëllezërit Gshi e kalojnë si pjesë e klubit të motoristave “9qat”, një klub që përpos argëtimit me motoçikletat e tyre, përkujdesen edhe për ndihma humanitare në vendlindje. Të njëjtën gjë e bën edhe Halit Gashi që nëpër kuloare të ndryshme dëgjohet të përmendet shpesh emri i tij si donator i madh në vendlindje.
.