I hershëm është rrugëtimi i Muhamet Shaqirit nga Nerezi i Shkupit për në mërgim. Qysh në vitin e largët 1982, ai i ndërpreu studimet dhe vendosi të marr rrugën e mërgimit duke u vendosur në Bernë të Zvicrës. Si edhe çdo mërgimtar, edhe ai hasi në vështirësi e barriera të ndryshme për të gjetur punë. Filloi në sferën e gastronomisë, duke punuar nëpër restorasnte të ndryshëm në kryeqytetin helvetik dhe duke fituar një përvojë të madhe në këtë drejtim.

Pas kësaj, pas ngjarjeve në trojet shqiptare në kohën e luftës së Kosovës, pas solidarzimit dhe ndihmës së pashoqe për të ndihmuar bashkatdhetarët nëpër trojet shqiptare, ai i rreket punës në një lokal për të shërbyer bashkatdhetarët tanë që ishin adhurues të klubit futbollistik F.C. Prishtina Bernë, dy vite në Ostermundigen dhe 5-5 vite në Hinterkappelen, duke u kujdesur që ekipi të funksionojë sa më gjatë. Thjesht, lokali i tij ishte shndërruar nën një ambient ku argëtohej një pjesë e madhe e rinisë shqiptare.

Muhametin e gjetëm në restorantin “Petinesca” në Komunën Studen të Kantonit të Bernës. Në kohën romake, Petinesca quhej lokaliteti i sotëm i Studenit. Ky vendbanim u ndërtua nga romakët si një stacion ushtarak në vitin 58 p.e.s. dhe ishte vendosur në rrugën e rëndësishme lidhëse nga Aventicum, përmes Salodurum në Augusta Raurica.
Gjatë hyrjes në restorant, mund të dëgjohej transmetimi i RTK-së në gjuhën shqipe, gjë që menjëherë bie në sy në Zvicër, pasi zakonisht gastronomët lëshojnë ndonjë muzikë të huaj nëpër restorantet e tyre.

“Jam i preokupuar me zhvillimet në trojet shqiptare”, thotë Muhameti për “SHtegu.com”, duke aluduar në marrjen në pyetje të disa politikanëve shqiptarë nga Gjykata speciale. Askush nuk mund të më urdhërojë se në çfarë gjuhe duhet t`i argëtoj klientët e mi. Mysafirët i kam 99 për qind zviceranë dhe tani të gjithë më njohin shkëlqyeshëm. Atyre aspak nuk u intereson se me çfarë gjuhe do t`i shërbej. Kryesorja, ata janë të stërkënaqur nga shërbimet tona dhe nga shija e ushqimit të cilin ua shërbejmë, vazhdon mëtutje Muhameti.

Restorantin në fjalë e menaxhon me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, duke u përkujdesur të krijojë një ambient të ngrohtë familjar. Kuzhina e tij është ekskluzivisht italiano-zvicerane, por “a la minute” me ushqime të freskëta dhe me furrë drunjsh.

Pandemia e Covid-19 ka ndikuar gjithashtu edhe te Muhameti, por ai është i kënaqur me këtë situatë, pasi mysafirët i ka të rregullt dhe të besueshëm, kështu që nuk mund të vërehet edhe aq shumë kriza e kësaj periudhe, siç është rasti me restorantet e tjerë.

Mikrptija e ngrohtë e Muhametit për bashkatdhetarët mund të vërehet menjëherë. Së fundmi, një ekip aktorësh prej gjashtë personash në krye me Shkumbin Istrefin e kishin vizituar restorantin “Petinesca”, duke incizuar një pjesë filmike që ende nuk është shfaqur. Në mbrëmje grupit iu bashkëngjitën edhe disa persona e që u bënë gjithsej 12. Natyrisht, Muhameti dhe familja e tij i shërbyen shkëlqyeshëm dhe me shpenzime të tyre. E për këtë mbrëmje është pronocuar edhe aktori i madh nga Kosova, Shkumbin Istrefi, i cili pohon: Kam qenë mysafir aty kur e kemi pasur një xhirim të një filmi. Kemi xhiruar nje skenë aty dhe pronari na ka pritë shumë mirë. Kemi ngrënë një darkë të mrekulkueshme. E falënderoj shumë për nderin që na e ka bë.