Shoqatat e migracionit angazhohen kundër iniciativës së Partisë Popullore të Zvicrës SVP/UDC, e cila cënon të drejtat e migrantëve

Në lokalet e Sindikatës Unia në Bernë, të shtunën është mbajtur takimi me parullën “Solidaritet në vend të përkufizimit” që ka të bëjë me votimin kundër iniciativës kontroverse të Partisë SVP, që është e njohur edhe si “iniciativa e pezullimit të marrëveshjes për qarkullimin e lirë të personave”. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm rreth 50 përfaqësuese dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme të migrantëve në Zvicër, aktivist të Sindikatës Unia , të sindikatave dhe partive të ndryshme progresive.

Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetarja e Sindikatës Unia, Vania Alleva. Ajo mes tjerash tha, se lufta kundër kësaj iniciative është luftë për mbrojtjen e të drejtave të mërgimtarëve dhe punëtorëve. Sulmi i SVP-së është perfid, sepse pretendon se do kufizim të migracionit, në të vërtetë ka për qëllim heqjen e shumë të drejtave të migrantëve, heqjen e sistemit të suksesshëm për mbrojtjen e pagave dhe dobësimin e të drejtave të punëtorëve.
“Ne nuk duam të kthehemi në kohën kur punëtorët e huaj jetonin në baraka të ngushta, të ftohta në periferi të qyteteve. Pa të drejtë të bashkimit familjar. Ne nuk duam të kthehemi në kohërat e turpshme, ku prindërit me leje për një sezone nuk kishin të drejtë të merrnin familjet me vete dhe nëse e bënin këtë, fëmijët detyroheshin t’i fshehin në banesa të ngushta.”, tha ajo dhe apeloi te të pranishmit të angazhohen në shoqatat e tyre dhe rrethin e gjerë që kjo iniciativë e rrezikshme të mos kaloj.

 

Zvicrën e ndërtuan migrantët

Referatin kryesor e mbajti Fabian Molina, politikan zviceran (PS/Juso) dhe deputet në parlamentin zviceran. Ai përkujtoi se Zvicra e sotme është e paimagjinueshme pa migrantë.
Në kohërat si kjo, ku kemi pasiguri të madhe në tregun e punësimit, të rrezikosh prishjen e marrëdhënieve me partnerin kryesorë, është sikur t’i biesh plumb gjurit tënd.
“1.5 Milion vende të punës varen nga eksporti në vendet e BE-së, pra çdo i treti frang fitohet prej eksportit në shtetet përreth”, theksoi Molina. Sipas Molina edhe zviceranet dhe zviceranët përfitojnë nga Qarkullimi i Lirë i Personave. Gati gjysmë milion zviceranë jetojnë, punojnë dhe mësojnë nëpër vendet e Evropës.

Prishja e marrëveshjes Bilaterale për Qarkullim të Lirë rrezikon edhe 6 marrëveshje me rëndësi në pakon e bilateraleve 1, sepse këto marrëveshje, sipas Deputetit Molina janë të lidhura njëra me tjetrën. “Prishet një marrëveshje, bien krejt tjerat”, tërheq vërejtjen ai.
Në përfundim Molia kritikon SVP-në dhe eksponentët e saj, sidomos z. Martullo Blocher, një Miliardere, e cila sipas Molinës vet ka thënë se problemi më i madh që ka ajo nuk është numri i lartë i punëtorëve migrant, por rregulloret e shumta, të cilat mbrojnë punëtorët dhe pagat nga dumpingu në paga. “Këtë mudn edhe ta shohim edhe kështu: SVP nuk do me kufizu numrin e punëtorëve migrant, por do migrant pa të drejta. Që të mund t’i paguaj edhe më pak dhe të mbush edhe më shumë xhepat e saj dhe njerëzve të saj në kurriz të punëtorëve”, përmbledh Molina. Ai apelon te të gjithë, që të mos bien në grackë të SVP-së dhe të votojnë Jo kundër kësaj iniciative, e cila nuk zgjidh probleme, por shkakton shumë.

Manifesti për një Zvicër solidare pa diskriminime

Në vazhdim të diskutimit u prezantua edhe Manifesti i Shoqatave të Migracionit, ku mes tjerash thuhet. “Pa ne migrantët, Zvicra nuk do të ishte ajo që është sot nga ana ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Në vend që të njohin kontributin e të gjithëve, politikanët dhe partitë popullsite të krahut të djathtë përpiqen të fusin përçarje kundër njëri-tjetrit.”

E para në këtë drejtim dhe më kryesorja është SVP. Me iniciativën e re të përkufizimit, ajo tani po përpiqet të mohojë të drejtat themelore të migrantëve dhe në të njëjtën kohë të përkeqësojë pagat dhe të drejtat e të gjithë punëtorëve në Zvicër. Me ose pa pasaportë zvicerane, ne me vetëdije të plotë e kundërshtojmë shkatërrimin e të gjitha të drejtave tona! Le të mos lejojmë që SVP të kalojë me idetë e saj antisociale.

Më tej, të pranishmit parashtruan pyetje e propozime të ndryshme, ndërsa me një shumicë votash u miratua edhe manifesti i shoqatave të migracionit.

Ana kreative e takimit

Paralelisht me takimin, në korridor përpara sallës ku u mbajt takimi, piktorja me prejardhje nga Chile, Tamara Caracoles, bashkë me të pranishmit ka pikturuar një pikturë të njohur si “Murales”, me pejzash të migracionit.

Në fund të takimit, të pranishmit kishin mundësinë të hanë edhe një drekë të shijshme.