Për nder të Ditës së Pavarësisë së Zvicrës, kryetarja e shtetit zviceran Simonetta Sommaruga i ka ndarë mirënjohje edhe bashkatdhetares nga Gostivari, Xhemile Fetajit, e cila ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftimin e koronavirusit në rrethinën ku ajo banon.

41-vjeçarja Xhemile Fetaji nga Steckborni është shtetase e dyfishtë nga Gostivari. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, ku së bashku me bashkëshortin e saj, përmes fabrikës së tyre të shisheve për lëngje frutash, luftoi për kushte më korrekte dhe kundër korrupsionit në vendlindjen e saj. Pas kësaj, ajo u kthye në Zvicër dhe nuk u dorëzua asnjëherë.

Që nga kjo përvojë, Xhemilja u angazhua në temën e integrimit në sistemin shëndetësor dhe në çështje preventive me migrantët te “Perspektiva Thurgau”, si dhe si politikane e Partisë SPnë nivelin kantonal.

Në një intervistë për gazetat zvicerane, ajo ka rrëfyer momentin emocional kur është ftuar për të marr mirënjohjen. Koha për të gjatë pandemisë ka qenë sikurse në ndonjë film pa përfundim, duke dhënë 200 për qind të fuqisë së saj, në njërën anë në punë dhe në anën tjetër edhe në shtëpi.

Ajo nuk e ka problem të ballfaqohet me dy lloj kulturash, atë zvicerane dhe shqiptare. Përderisa për 12 vite ishte në Maqedoninë e Veriut, Zvicra i mungonte pa masë, prandaj rregullisht e vizitonte. “Zvicra është vendlindja ime dhe jam shumë e lumtur që mund të jetoj këtu”, ka pohuar Xhemile Fetaji.

Xhemile Fetai gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e opnionit zviceran, por edhe të shqiptarëve, ndërsa motoja e saj për shoqërinë është “Të gjithë qeshemi në të njëjtën gjuhë”.